Opinione

Kur zgjedhim të heshtim, fëmijët tanë humbasin

Skena politike, më shumë se kurrë, është një shesh beteje. Jo për parime. Jo për përparim. Vetëm për pushtet.

Mimoza Manxhari
Kur zgjedhim të heshtim, fëmijët tanë humbasin
Mimoza Manxhari

Nga MIMOZA MANXHARI

Profesoreshë, pranë Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës.

Po hyjmë në ditët e fundit të një fushate zgjedhore _ por çfarë lloj  fushate është kjo, në të vërtetë?

Ata që janë në pushtet kërkojnë ende një mandat të katërt. Opozita është e raskapitur, e fragmentuar dhe e pa aftë të ofrojë një shpresë të besueshme. Zërat e rinj, ata pak që kanë mbetur, seriozë, të qartë dhe të qetë, kërkojnë një rotacion në një mjedis mizor, të pa mbështetjeur dhe thuajse të padukshëm, të mbytur nga zhurma e një sistemi që refuzon t'i dëgjojë.

Skena politike, më shumë se kurrë, është një shesh beteje. Jo për parime. Jo për përparim. Vetëm për pushtet. Ndërkohë,  vendi ynë i dashur mbetet i ngujuar në një tranzicion pa fund, që e gërryen përditë nga brenda, si një sëmundje e fshehtë dhe e pashërueshme

Dhe pasojat janë kudo:

§  Korrupsioni as nuk fshihet më. Thuhet se po hetohet, por askush nuk po ndëshkohet. 

§  Shqipëria, e rendtur mes vendeve më të i varfra të Evropës, vazhdon të prodhojë miliarderë me pasuri të pajustifikuara, që fyejnë çdo njeri të ndershëm. Vetëm një pjesë e vogël e kësaj pasurie do të mjaftonte, për të shpëtuar mijëra të tjerë nga mjerimi. Kjo është grabitje e organizuar, me firmë dhe vulë.

§  Qytetet fryhen me beton, por zbrazen nga jeta. Fshatra e qytete dikur plot jetë,  sot janë kthyer në  rrënoja të shkërmoqura kujtimesh të heshtura, që nuk interesojnë askënd.

§  Të rinjtë ikin. Jo për aventurë. Ata ikin nga dëshpërimi dhe e vetmja derë që u hapet është ajo e daljes!

§  Mungesa e kompensimit të drejtëpërdrejtë e të ndershëm ndaj pensonistëve  nuk është vetëm  dështim politik për vetë konceptin e qeverisjes, por tradhti ndaj atyre që e ndërtuan këtë vend. Turp për një shoqëri që përbuz themeluesit e saj. 

§  Ata që deri tani kishin mundësinë të na garantonin jetën, sot guxojnë të kërkojnë sërish besimin, duke premtuar të ringjallin atë, që ata vetë masakruan me duar të pista dhe krenari të paturpshme.

§  Begatia e kësaj toke, dikur një bekim, është bërë një funeral kombëtar. Ne të gjithë po marrim pjesë, por askush nuk mban zi. Me pasivitetin e viktimës, e shohim, por nuk veprojmë. Jemi bërë varrmihësit  e të ardhmes tonë, të hutuar, të mpirë  dhe ç’është më e keqja, duke e konsideruar varrimin si lindjen dhe zhvillimin e jetës që po shuhet!

§  Për tre mandate me radhë na premtuan rilindje, por ajo që na ofruan ishin kulla që lartësohen mbi gjelbërimin e vrarë dhe kujtesën e fshirë. Një grusht qytetesh, parajsë për vinçat e ferr për qytetarët, po mbushen me hijet e betonit dhe po zbrazen nga zëri i jetës.

§  Si karem elektoral inagurohen rrugë vetëm kur afrohen zgjedhjet, por dhe ato nuk kanë kuptim nëse nuk të çojnë askund. Rrugë  drejt boshllëkut, jo drejt shpresës.

§  Pas çdo fjalimi për turizmin, fshihet rrënimi i një ekonomie që dikur punësonte, prodhonte dhe eksportonte. Shqipërinë e bënë një skenë për vizitorë, por pa jetë të brendshme.

§  Shqipëria sot ka fabrika të braktisura, bujqësi të rënuar. Spitale ku mungojnë ilaçet, por gëlon korrupsioni. Institucione me fasada, por pa qëllim. Zona turistike pa mikëpritës, pa etikë, pa vizion.

§  Nuk ka më shkencë. Ka vetëm beton, marketing dhe largim masiv. Çdo zë që mendon ndryshe, përjashtohet ose heshtet. Intelekti është zëvendësuar me shërbim, merita me servilizëm.

§  Turistët vijnë të shohin një vend që po vdes në heshtje, i plaçkitur nga oreksi politik dhe korrupsioni i pacipë.  Në këtë vend nuk ka më politikë, por pazar. Nuk ka më shtet, por pronë private.

§  Të gjitha partitë që kanë qeverisur deri më tani, janë bashkëfajtore në një krim kombëtar. Ato nuk kanë dështuar. Kanë tradhtuar. Dhe tani, kanë kurajon të kërkojnë votat për vazhdimin e shkatërrimit, që e paraqesin si pjesë të një rruge drejt antarësimit në BE, duke luajtur me ëndrën gjithnjë e më të pamundur të çdo qytetari për një të ardhme normale.

Le të Mos Pretendojmë se e Gjitha Kjo Është e Rastësishme!

Pikërisht arsimi, kjo fushë ku kam jetuar dhe shërbyer tërë jetën, nuk është më dritë, por mjegull. Mjegull e qëllimshme, e dëndur për të mbajtur shoqërinë  në një tranzicion pa destinacion, pasi një popull që nuk mendon, është i lehtë për t’u qeverisur.

Ndaj arsimi u godit i pari.

o   U godit me masa burokratike që s’kanë lidhje me dijen.

o   U godit me reforma që zhveshin universitetin nga çdo autonomi mendimi.

o   U godit me vendime të pabazuara në realitetin e dijes dhe punës shkencore.

Në vend që të formojë qytetarë të lirë, ai sot prodhon “të dëgjueshëm”, që nuk pyesin, nuk kundërshtojnë, nuk mendojnë. Prodhon burokratë mediokër, që mësojnë përmendësh teoritë e tjetrit, pa bërë dot një pyetje të vetme për botën që i rrethon. Ky sistem nuk është më arsim, por një aparat vetë-riprodhues, që zhvillon dhe promovon pa aftësinë,  duke skualifikuar çdo mendje të lirë.

Nuk i kam këto me të thëna. Për dekada gjendem në auditore. Kam dhënë mësim, kam folur.

Auditori, jo rrallë herë duket si linjat e montimit të Taylor-it, ku e vërteta është varrosur nën nota të dyshimta dhe diploma të pamerituara.

Pikërisht nga këto auditore kanë dalë sot ata që:

-      mbajnë poste pa meritë,

-      vendosin për drejtësinë pa ndjeshmëri,

-      hartojnë ligje pa logjikë dhe

-      përfaqësojnë qytetarët me fjalime të shkruara nga të tjerë, që as vetë nuk i kuptojnë.

E nëse mendja nuk mësohet të jetë e lirë dhe e përgjegjëshme, atëherë:

§  demokracia është veç një fasadë,

§  drejtësia një mashtrim, dhe

§  zhvillimi një iluzion.

E pavarësisht se sa rrugë, kulla, apo “reforma” do të inagurohen, shoqëria do të mbetet e pazhvilluar, sepse truri i saj ka vdekur. Le të mos mashtrohemi, shkatërrimi  i arsimit nuk është paaftësi, por një strategji. Kjo, sepse një njeri i edukuar është:

·         i pakontrollueshëm,

·         i pakorruptueshëm,

·         i pakërcënueshëm.

Pikërisht ky njeri është armiku i çdo pushteti, që mbijeton mbi frikën, injorancën dhe bindjen pa pyetje.

Në mes të kësaj errësire, pati dy momente drite që do duhej të kishin ndryshuar rrjedhën:

«  Protesta e Studentëve, një nga lëvizjet më të pastra të shoqërisë sonë, nuk ishte ankesë, por revoltë për dinjitet. Studentët,

§  Nuk kërkuan favore, por kuptim.

§  Nuk donin të ishin klientë, por qytetarë dhe,

§  Për këtë u ndëshkuan.

«  Bojkoti i Profesorëve dhe i Stafit, një akt i rrallë ndërgjegjeje profesionale, nuk u bë për rroga, por për shpirtin e universitetit. Ata nuk kërkuan privilegje, por dinjitet. Dhe për këtë, u përballën me heshtje, frikë dhe manipulim.

Këto dy ngjarje,  nuk u shtypën nga dhuna, por nga një e keqe më e thellë: Indiferenca Kombëtare.

Nuk duhet ta harrojmë. Dhe nuk duhet ta falim. Sepse tradhtia që i është bërë arsimit nuk është thjesht gabim – Është Krim Kombëtar.

Ata që përdhosën dijen, që i dhanë autoritet injorancës dhe shitën të ardhmen, janë bashkëpunëtorë të këtij shkatërrimi.

KUR DEMOKRACIA SHNDËRROHET NË SHFAQJE DHE VOTA SI ILUZION!

Në vend të një debati të ndershëm politik, përdoren fjalë të stisura për të manipuluar emocionet, veçanërisht ato të grave të pa mbrojtura nga mungesa e formimit, të cilat shndërrohen në dekor për një duartrokitje boshe.  Entuziazmi i tyre i ekzagjeruar mbush sallat e spektaklit për një lider që i ledhaton me fjalë, pa kuptuar se pas kësaj fshehet një tjetër mënyrë për t’i mbajtur larg pjesëmarrjes së vërtetë.

E kështu rëndom na rishfaqet folklori enverian i   "Pëllumbeshës" , që nga punëtore na  bëhej drejtore!

Turmat brohorasin e kandidatët bërtasin, por askush nuk flet për institucionin e thyer, tempullin të cilit i është përdhosur hyjnia.

E vërtetë. Asgjë nga këto nuk është e panjohur tashmë: Të gjithë i shohin. Të gjithë i dinë. E megjithatë shumë thonë: “ Nuk Do Votoj” : Nga neveria, dëshpërimi, ose thjesht nga lodhja.

Por është, pikërisht heshtja ajo, që i mban  këto plagë të hapura.

-      40-vjet diktaturë në emër të proletariatit.

-      35- vjet tranzicion nën sundimin e partive - të majta dhe të djathta - të cilat e shndërruan ëndrrën e Partisë së Punës për 'njeriun e ri' në një erozion shkatërrues dhe të rrezikshëm të vlerave, dinjitetit dhe të vetë njeriut.

Ndaj ky nuk ka qenë tranzicion. Ka qenë kolaps, i maskuar si reformë!

Çdo qytetar që rri në shtëpi,  u jep pushtet atyre që e kërkojnë jo për të  shërbyer, por për të dominuar.

_ Nëse askush prej tyre nuk të përfaqëson – Voto Kundër! Vendos një X. Ama shfaqu. Shprehu. Mos hesht. Mos u fshih.

Bëje sistemin ta numërojë edhe mosbesimin tënd. Edhe mosbesimi është një zë.

 Demokracia nuk vdes papritur. Ajo shuhet ngadalë:  

Ø  kur të ndershmit tërhiqen,

Ø  kur të mençurit heshtin,

Ø  kur të drejtët dorëzohen,

Ø  kur të varfrit humbasin shpresën.

Shiko përreth e dëgjo të vërtetën e asaj që ndjen vetë. Ti.

Lërë zemrën dhe mendjen të jenë të kthjellta:

«  Që të votosh me përgjegjësi,

«  Që të thuash të vërtetën,

«  Që të  mbrosh të drejtën.

Këto nuk janë veprime politike. Janë veprime ndërgjegjeje. Janë vepra dashurie. Sidomos për ata që e quajnë veten prindër.

Sepse prindërimi kërkon guxim: Të mos heshtësh përballë padrejtësisë. Të jesh shembull ndershmërie, jo frike

Të sjellësh në jetë një fëmijë dhe pastaj t’ia dorëzosh të ardhmen korrupsionit, frikës dhe injorancës do të thotë të tradhtosh vetë shpirtin e prindërimit.

Një shoqëri ngrihet vetëm kur prindërit nuk ulin kokën para mashtrimit dhe nuk sakrifikojnë të ardhmen për rehatinë e momentit- qoftë edhe një vend pune.

Nëse je i/e aftë dhe guxon - jeta të ofron plot mundësi të tjera edhe më të ndershme.

Pikërisht për këtë arsye  sistemi ka nevojë për të paarsimuar të certifikuar, sepse vetëm në terrin e injorancës mbretëritë rrijnë të sigurta

Historia na e ka treguar këtë, por siç paralajmëronte Hegeli, rrallë i mësojmë mësimet e saj.

Le të jetë kjo herë ndryshe.

Le të dëshmojmë që mësuam nga historia se :

§  Heshtja, përballë Padrejtësisë, është Bashkëfajësi.

§  Pasiviteti Nuk është Pafajësi dhe,

§  Një e Ardhme e Ndërtuar mbi të Vërtetën, Lind nga Guximi. Me guximin tënd.

Ndaj në 11 maj, le të shfaqemi para kutive të votimit me qartësi dhe me peshën e përgjegjësisë sonë:

«  Për veten tonë. Për ata që ishin para nesh. Dhe, mbi të gjitha, për ata që vijnë pas nesh.

Poll

MOS HUMB