Politikë

8 muaj larg zgjedhjeve parlamentare! Politika e ndarë mes mosbindjes civile dhe SPAK

Një panoramë e politikës...

k.m.
8 muaj larg zgjedhjeve parlamentare! Politika e ndarë mes mosbindjes civile
Foto ilustruese

TIRANË- Në varësi të ditës së zgjedhjeve që do të vendosin maxhoranca dhe opozita, Shqipëria është gati 8 muaj larg zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin që vjen. Por situata në të cilën ndodhet vendi është kaotike, megjithatë jo e pazakontë për politikën shqiptare. Nga njëra anë kemi maxhorancën që nuk pranon dialog me opozitës, nga ana tjetër kemi kërkesa të shtruara për qeveri teknike dhe zgjedhje pa Edi Ramën si kryeministër. Të shumta kanë qenë zhvillimet e fundit në mjedisin politik, por po aq kontradiktore. E gjitha nisi me arrestimin e Ervin Salianjit për "kallëzim të rremë". Ish-deputeti duhet të vuajë 1 vit burg në Fier për çështjen "Babale". Arrestimi i tij duket se ndezi aksionin opozitar që prej kohësh lajmërohej nga kryedemokrati Sali Berisha. Prej më shumë se një viti, nga dritarja e shtëpisë së tij ku 'vuan' masën e sigurisë "arrest shtëpie", Berisha kërkonte qeveri teknike për të siguruar zgjedhje të lira. Arrestimi i Salianjit duket se i dha opozitës një shkasë për të protestuar dhe për të bërë premtime të mëdha. Disa prej të cilave nuk i kanë mbajtur edhe pse premtojnë se mosbindja civile është "full time". Ndërkohë që tubimi i parë dhe më gjasë i fundit nga opozita u pa më 7 tetor. Përveçse ngarkoi me përgjegjësi penale Gazment Bardhi dhe Flamur Nokën, nuk pati asnjë ndikim tjetër.

Ç'ndodhi pas arrestimit të Salianjit?

Kaos! Opozita hyri në  seancë plenare për të djegur karriget dhe për të mos lejuar zhvillimin e një seance normale paralamentare. Kështu premtoi se do të ishin edhe takimet e tjera që zakonisht lihen për çdo të enjte. Përveç Kuvendit, premtuan se nuk do të linin që të vazhdoheshin si normalisht as Komisionet Parlamentare. Premtime që deri më tani nuk janë mbajtur. Kaosi funksionoi në seancën e parë, ndërsa herën tjetër maxhoranca plotësoi kuorumin e nevojshëm dhe u fut në sallë. Seanca zgjati më pak se 30 minuta por sërish kishin votat e mjaftueshme për të miratuar një marrëveshje të lidhur me Gjermaninë. Takimi i tretë që ishte lënë për të enjten u anulua me pretendimin se opozita mund të shkaktonte trazira gjatë kohës që vendi ynë vizitohej nga presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan. Deri më tani nuk është lënë një takim tjetër. Për këtë javë, Parlamenti nuk ka caktuar asnjë seancë plenare, përveç komisioneve. Edhe pse opozita ishte zotuar që të ndalonte çdo punim, për komisionet nga opozita ka pasur tolerancë. Çdo ditë socialistët janë mbledhur për të diskutuar për ligje të ndryshme, një prej tyre ishte edhe sot. Në Komisionin e Edukimit u zhvillua e pashqetësuar dhe pa trazira nga opozita, biseda mes akademikëve për projektligjin për shkencat.

Por mosbindja civile nuk respektuar gjithmonë! 3 nga 4 drejtuesit e bashkive që opozita fitoi në zgjedhjet e fundit lokale morën pjesë në një takim me kryeministrin Edi Rama. Madje i paraqitën edhe kërkesat për komunitetet e tyre. Në takim morën pjesë kryebashkiakët e Fushë Arrëzit, Pukës, Mirditës, por mungoi ai i Kavajës. Ndoshta për shkak të arrestimit të Salianjit, pasi ky i fundit ishte drejtuesi politik për qarkun në zgjedhjet e kaluara.  

Por nuk janë të vetmit! Edhe pse ka pasur për qëllim që të ndalojë punimet, edhe Albana Vokshi ka marrë pjesë në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësisë. Në tryezën e udhëhequr nga disa organizata që mbrojnë lirinë e shtypit, opozita u përfaqësua nga dy deputetet Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa.

8 muaj larg zgjedhjeve parlamentare! Politika e ndarë mes mosbindjes civile

Madje në një moment kjo e fundit i zgjati edhe dorën ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Edhe kryedemokrati Sali Berisha numëroi se 77 forma të mosbindjes civile, por deri më tani, asnjë prej tyre nuk e ka implementuar vetë. Disa ditë më parë, i pyetur se nëse edhe ai vetë do të tregojë mosbindje duke thyer arrestin e shtëpisë dhe duke iu bashkuar qytetarëve në protest, Berisha nuk dha asnjë përgjigje konkrete. Ndoshta ky skenar po mendohet për në një moment të dytë, ndoshta jo…

“Unë mendoj se vetë burgosja ime në shtëpi është dëshmia më flagrante e dhunimit të Kushtetutës, së ligjeve dhe opozitës së këtij vendi. Por mendoj se po qëndroj si çdo protestues i pamposhtur. Siç e shihni ju, ata që 4 vite më parë shpallën non grata Sali Berishën mbi bazën e lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Sorosit, ata që shkelën çdo parim dhe kërkuan ndjekjen penale të Sali Berishës, Edi Rama që bënte thirrje për persekutim,in e Sali Berishës, pas një procesi 4-vjeçar mortën përgjigjen më ekzempale. Kjo përgjigje ishte: Sali Berisha, një politikan, një qytetar që nga vitet 90 e der’ sot, kishte nderuar veten e tij, familjen e tij, qytetarët që i kishin besuar dhe miqtë e tij në mbarë botën,”-tha Berisha në përgjigjen e tij.

Ndërsa qetësia ka kapluar prej disa ditësh kampin opozitar, të tjera forca politike kanë pasur zhvillime. Sërish nga opozita, Endrit Brahimllari ka zyrtarizuar largimin nga Partia e Lirisë duke lënë edhe postin e kryetarit të këshilltarëve bashkiakë të Partisë së Lirisë. Ish-kryedemokrati Lulzim Basha vazhdon me takimet e tij apo me reagimet politike edhe pse i vetëm tashmë. Po ashtu, prej kohësh Basha nuk shkon më as në Kuvendin e Shqipërisë. Megjithatë reagimet nga ana e tij në rrjetet sociale ende vazhdojnë. Ndryshe nga Basha, ata që dikur ishin aleatët e tij kanë krijuar një forcë të re politike.

PARTITË E REJA

Deputeti Enkelejd Alibeaj krah deputetit Arbi Agalliu, por dhe Edvin Kulluri, Rezart Kthupi, Agron Kapllanaj ka prezantuar një parti e re: “Djathtas 1912”. Demokratë të ndarë prej kohësh nga Sali Berisha, por që së fundmi janë shkëputur edhe nga Lulzim Basha prezantuan  pak ditë më parë edhe nismën e re.

8 muaj larg zgjedhjeve parlamentare! Politika e ndarë mes mosbindjes civile

Tashmë kanë një vulë, një logo dhe në zgjedhjet e ardhshme do të futen për të marrë mandat. Por në mesin e tyre mungon Flutura Açka. Kjo e fundit u shpreh se nuk është pjesë e kësaj partie, por se mbështet kolegët e saj edhe pse për arsye personale ka zgjedhur që të mos  bashkohet.

“Nuk jam pjesë e “Djathtas 1912” nuk jam pjesë e grupit themelues dhe organizator. Mbështes kolegët e mi. Nuk marr pjesë për arsye personale jo për frymën e kësaj partie. Mbështetja ime është në një farë mënyrë pjesëmarrje. “Gurët” kanë ardhur më shumë nga kampi opozitar se sa nga opinioni publik. Politika është një art që bëhet në ansambël, shpesh e kam ndjerë veten vetëm. Me keq të vjen kur ndodh që as miqtë nuk kanë kuptuar çfarë kam dashur të them. Politika shqiptare ka disa doza të tepruara barbarizmi”, u shpreh ajo.

Ndryshe e ka parë Berisha këtë parti të re duke mos e kursyer ironinë. Berisha nuk kurseu epitetet për deputetët demokratë dhe demokratët duke i cilësuar si “puçistë”, apo “taotao”, term që zakonisht e përdor për persona që sipas tij kanë lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Taulant Balla.

"...Së pari njëherë për Tao Tao partitë, siç është kjo e fundit që përmende ti, e kupton vetë qëndrimin e Sali Berishës. As Sali Berisha dhe asnjë njeri tjetër, nuk mund të përcaktojë përveç shqiptarëve, atë që ata duan në drejtim.  Ata që përpiqen të rrënojnë opozitën, ta dekapitojnë apo caktojnë asaj kryetarin, ata janë puçistë që shkelin kombëtar dhe ndërkombëtar dhe ligjet e vendit të tyre. Pra ti imagjinosh ti apo ndonjë tjetër, se Sali Berisha do të lëkundet nga ky pozicion që e pranoi si mision në emër të qenies shqiptar, që i thotë mikut, mik, por që di ti thotë vetes, ‘Zot më ruaj nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë’. Pra është iluzive të mendosh se për hir të mafias shqiptare e ndërkombëtare, Sali Berisha do të cedojë. Kurrë, kurrë, kurrë,”-tha Berisha në një konferencë me gazetarët.

Një parti të re ka krijuar edhe Inida Gjata, e njohur me emrin e artit "Zhaku" dhe historiania Elena Kocaqi. Bëhet fjalë për partinë "Aleanca Kombëtare Shqiptare"! Prezantimin zyrtar nuk e kanë bërë ende, kështu që deri më tani nuk dimë shumë për programin e tyre.

TË GJITHË NË SULM

Si kryedemokrati Berisha, edhe kryeministrin Edi Rama kanë shpërndarë porositë për “të besuarit” e tyre. Në të gjitha takimet që Rama ka pasur ka kërkuar që kandidatët e ardhshëm për deputetë të komunikojnë me qytetarët dhe të reflektojnë çdo takim në rrjetet e tyre sociale. Edhe Berisha i ka ndarë demokratëve “6 rregulla” të arta që duhet të ndjekin. Ashtu si Rama, edhe Berisha kërkon që demokratët që të jenë më aktivë në Facebook, Instagram dhe rrjetin X. Po ashtu, Berisha kërkon që demokratët të marrin pjesë në debate nëpër emisione, të bëjnë konferenca për shtyp, të japin prononcime për media, të mbajnë marrëdhënie korrekte me gazetarët, dhe analistët. E më kryesorja: të mos shmangin asnjë debat me socialistët. Por para se të bëjnë të gjitha këto, kërkon që të njoftojnë zyrën e shtypit që t'i ndjekin jo vetëm për të nxjerrë lajmet, por edhe për t'i ndihmuar me të dhëna që mund t'u duhen!

Sa i përket takimeve në qarqe duket se të dy partitë kryesore e kanë marrë “seriozisht” angazhimin dhe janë në terren. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për “disaporën”. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, po zhvillon takimet me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, ndërsa demokratët janë ndalur vetëm me një takim që  Belind Këlliçi zhvilloi me shqiptarët në Amerikë. Mesa duket Partia Socialiste është më e fokusuar në votat që do të vijnë nga jashtë vendit, për herë të parë ndonjëherë në historinë e pluralizimit shqiptar. Por edhe vota e diasporës nuk kalon pa diskutime. Edhe pse në “arrest shtëpie” si vjehrri i tij, kreu i departamentit për mjedisin në PD, Jamarbër Malltezi ka publikuar një mesazh që i është dërguar punonjësve të administratës dhe ku kërkohen emrat dhe adresat e 5 antarëve të familjes së tyre, apo miq që jetojnë jashtë vendit.

8 muaj larg zgjedhjeve parlamentare! Politika e ndarë mes mosbindjes civile

Të njëjtit denoncim i është bashkuar edhe Adriatik Lapaj. Edhe ky i fundit ka publikuar një format të modelit të patronazhimit dhe thotë se punonjësit e administratës janë detyruar nga eprorët të paraqesin lista të të afërmve në diasporë dhe të paguajnë postën për votime.

8 muaj larg zgjedhjeve parlamentare! Politika e ndarë mes mosbindjes civile

Për këtë pretendime, kreu i Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" citon dhe nenin 328/b, paragrafi i parë të Kodit Penal dhe paralajmëron përballje në gjykatë me të gjithë ata që shkelin ligjin.

"Pjesëmarrja e një punonjësi që  kryen një detyrë shtetërore në shërbimin civil ose në një funksion jopolitik në administratën shtetërore, në  kundërshtim me ligjin, në  aktivitetet ose fushatën zgjedhore, të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet,"-shkruan Lapaj.

TË GJITHË PARA SPAK

Kur na ndajnë edhe pak muaj nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, beteja politike mes dy partive të mëdha përfundon në dyert e SPAK-ut. Pas kaosit të shkaktuar në Kuvendin e Shqipërisë, Policia kallëzoi në Strukturën e Posaçme kundër Korrupisonit dhe Krimit të Organizuar 23 deputetë të opozitës, duke i cilësuar përgjegjës për dhunën dhe kaosin në seancën parlamentare të 30 Shtatorit, ku u dogjën edhe karriget e Kuvendit. Nga ana tjetër, edhe PD iu përgjigj me  kallëzim për dy vepra penale, që lidhen me moszbatimin e vendimit të Kushtetueses, për mandatin e Olta Xhaçkës. Nga PD ka 74 deputetë të kallëzuar.

“Konkretisht në kallëzimin e dorëzuar në SPAK 73 deputetët e Partisë Socialiste akuzohen se kanë konsumuar në bashkëpunim veprat penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të Gjykatës”, parashikuar në nenet 320 dhe 320/a të Kodit Penal”, thuhet në denoncimin e bërë nga opozita.

Në rast ekstrem, nëse SPAK ngre akuza për të dyja palët, zgjedhjet e ardhshme asnjë prej tyre nuk mund të garojë për deputet për shkak të pengimit që i bën ligji për dekriminalizimin. Megjithatë deri atëherë do të kemi parë edhe më shumë nga 77 format e mosbindjes civile./ZËRI

Poll

MOS HUMB