Politikë

A do ketë zgjedhje të parakohshme në Tiranë? Çfarë tha Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura

Rama foli për faktin që Bashkia aktualisht është pa një kryetar të zgjedhur nga votat e qytetarëve.

k.m.
A do ketë zgjedhje të parakohshme në Tiranë?
Edi Rama

TIRANË- A do të ketë zgjedhje të pjesshme të parakohshme në Tiranë? As kryeministri Edi Rama nuk e ka një përgjigje! Në mbledhjen e sotme me drejtuesit politik të qarkut të Tiranës, drejtorët e bashkisë Tiranë dhe të gjithë deputetët, Rama foli për faktin që Bashkia aktualisht është pa një kryetar të zgjedhur nga votat e qytetarëve. Në mbledhjen që aktualisht po zhvillohet me dyer të mbyllura, burime për “Top Channel” bëjnë me dije se kryeministri është ndalur shumë shkurt në zgjedhjet e parakohshme. 

“Nuk i dihet nëse do kemi zgjedhje të parakohshme në Tiranë tani apo pas dy vitesh,”-raportohet të ketë thënë Rama në mbledhje me dyer të mbyllura, duke e lënë me kaq këtë çështje. Por shtoi se u ka kërkuar drejtuesve politik së bashku me dy deputetë të ngrenë grupe pune për të rifreskuar burimet njerëzore në të gjitha bashkitë e vendit.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen, Ajola Xoxa ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI

Poll

MOS HUMB