SHKODËR- Kryeministri Edi Rama ka komentuar reagimin e Famulltarit Dom Vlash Palaj, i cili mbajti një qëndrim të ashpër gjatë meshës të së dielës në Shkodër lidhur me aksionet e fundit për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit.
Palaj kritikoi sjelljen e autoriteteve, duke i akuzuar për mashtrim dhe braktisje të banorëve të zonës, ndërsa kryeministri Rama sqaron se nuk është prerë në besë askush. Ndër të tjera, ai shpreh habinë për faktin se si një njeri i Zotit ndërhyn në një çështje të tillë, duke i cilësuar fjalët e tij si joshje dhe rrena. Kreu i qeverisë thekson ndër të tjera se premtimi i vetëm i bërë në këtë zonë, ka qenë legalizimi i pronës së gjyshërve dhe kjo është që po tentohet të arrihet.
“Ka edhe një teori tjetër që e kishte nxjerrë në pah edhe një prift çuditërisht dje dhe u habita se si një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori, duke folur për joshje e rrena, dhe më pas i premë në besë. Ne s’kemi prerë në besë askënd. Kemi shkuar në Theth me kryetarin e bashkisë dhe me Fondin shqiptar të zhvillimit dhe me agjencinë e Kadastrës dhe që kur kemi shkuar dhe premtuar të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, që ishte problemi kryesor i atyre banorëve, e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që ata disponojnë. Pra premtimi ynë ka qenë do të legalizojmë pronën e gjyshërve.”, tha Rama.
Kujtojmë se gjatë fjalës së tij famulltari Dom Vlash Palaj kërkoi dialog si e vetmja rrugëzgjidhje për situatën e krijuar. Ai u bëri thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të reflektojnë thellë mbi mënyrën se si sillen me njëri-tjetrin, duke veçuar rastet me komunitetet e vogla ku besimi dhe solidariteti janë jetikë.
"Vërejmë në vendin tonë të kundërtën, siç thashë kërkojmë të shfrytëzojmë tjetrin. Pse ndodh kjo gjë? Sepse jemi të varfër, nuk kemi kuptuar të duamë të afërmin. Një konflikt i madh në Theth, më vjen shumë keq, sepse i joshën, i rrejtën, i shfrytëzuan, i vjelën dhe në fund i hodhën dhe i tradhëtuan, i dogjën, i shkatërruan. Do i gjobisin dhe do i burgosin. Faik Konica thotë një fjalë që duhet të na bëjë të reflektojmë: E keqja e madhe e Shqipërisë janë shqiptarët. Merre përpara vëllaun tand, ule dhe kërko ta bindësh se cila është e mira dhe e vërteta. Nuk të dëgjon? Mos e gjyko as paragjyko sepse nuk je ti Zoti i tij. Thirri dhe 2-3 dëshmitarë, nëse prapë nuk dëgjon, ftoje krejt bashkësinë. Kur e ke bërë edhe tentativën e tretë, atëherë lëqite. Sepse ai nuk e do të mirën. Unë ftoj të mendoni seriozisht në lidhje me këtë gjë. Bindni njëri-tjetrin dhe gjeni një rrugë-zgjidhje. Nuk është ligji mbi çdo gjë. Mes vëllezërisht duhet gjithëmonë me u marr vesh. Ata që janë skllevër nuk marrin parasysh se kujt i shkatërrohet jeta. Ka prapë shumë ligësi dhe nuk dinë me u marr vesh për të mirën.", tha Doma Vlash Palaj.
View this post on Instagram
Ndërkohë, përmes një postimi Famulltari Palaj kishte bërë një tjetër reagim të ashpër:
“Edhe kyt kishim mangut…!
Regjimi i asaj kohe detyroi kyt t’shkretë popull të HA barë, ky i sotshmi të PI barë. Dallim i vogel…!
Po, si kshtu more, t’marroftë Zoti, ti që për 30 vite nuk legalizove pronen, për 30 ditë legalizon kanabisin!?
Siguria në kulm… Kanabis i legalizuar në pronë të palegalizuar.
Dhe çka asht ma e keqja, prap fajin e ka populli.
Në fakt populli e ka fajin…!
Jo më kotë Konica thoshte: “ Shqiptari asht por sdin me thanë jam!”
Deri kur…”./ZËRI/