Politikë

Akuzat e Arben Ahmetajt/ Rama: Ishte një karrige më tutje se un, sot në kërkim nga drejtësia

Ahmetaj ngriti akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve aktualë të Partisë Socialiste, duke deklaruar se Shqipëria është në duart e krimit të organizuar. 

F.I
Akuzat e Arben Ahmetajt/ Rama: Ishte një karrige më tutje se un, sot
Edi Rama dhe Arben Ahmetaj

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot akuzat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia. Teksa fliste për Reformën në Drejtësi, Rama ka deklaruar se ata që i quajnë çetë hajdutësh, deri dje kanë qenë në një karrige afër tij dhe sot janë në kërkim nga drejtësisa.

Edi Rama: Duke sharë, shpifur, akuzuar, sajuar, fabrikuar përshtyrë, bërtitur ulëritur ata do ju thonë se unë dhe ne jemi çdo gjë që në fakt janë ata vetë. Por ju do të shikoni Shqipërinë dhe do ti thoni vetes dhe të tjerëve, kush e bëri më të mirë mund ta bëjë edhe më të mirë akoma, ndërsa kush e la keq do ta bëjë simos më keq. Ata do ju thonë se unë dhe ne jemi një çetë hajdutësh sepse ja ky dhe ai që ishin deri dje me ne, madje deri një karrige më tutje nga unë janë sot në duart e drejtësisë apo në kërkim nga drejtësia por ju do i thoni vetes e të tjerëve se po të mos ishim ne socialistët që e përdorëm pushtetin tonë për ti dhënë pavarësinë drejtësisë sot nuk do të kishte asnjeri të lidhur me pushtetin politik të sotëm apo të djeshëm para drejtësisë sic nuk pati kurrë më parë, nga viti 1912 deri kur ne bëmë reformën në drejtësi.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë për “Syri TV” nga Zvicra, ngriti akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve aktualë të Partisë Socialiste, duke deklaruar se Shqipëria është në duart e krimit të organizuar. Ahmetaj pretendon se Rama ka vendosur figura të lidhura me botën e krimit në pozita kyçe politike dhe se vendimet qeveritare janë të orkestruara nga një “organizatë kriminale” dhe jo një strukturë qeveritare legjitime. Ndër të tjera ish-zëvendëskryeministri ka akuzuar ministrat aktualë dhe të kaluar të qeverisë Rama për afera korruptive, duke përmendur ministra që, sipas tij, janë emëruar për të mbrojtur interesa të ngushta dhe për të siguruar vazhdimësinë e “plaçkitjes së buxhetit të shtetit”.

Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI

Poll

MOS HUMB