
ELBASAN- Një mesazh i publikuar në rrjetet sociale të kryedemokratit Sali Berisha kanë detyruar kryebashkiakun e Elbasanit që të dalë me një sqarim publik. Mëngjesin e sotëm, ish-kryeministri Sali Berisha nxorri në Facebook mesazhin e një qytetari, i cili pretendonte se disa persona të njohur të botës së krimit kishin rrahur në zyrë kryebashkiakun Gledian Llatja.
Denoncimi i publikuar nga Berisha sipas qytetarit dixhital
Përshëndetje,
Jam një punonjës në Bashkinë e Elbasanit dhe dua të denoncoj një ngjarje shumë të rëndë. Nuk kemi ku të ankohemi dhe nuk kemi besim te Policia e Elbasanit, sepse është nën urdhrat e banditit dhe kriminelit Suel Çela. Para dy ditësh, banda e Suel Çelës ka dhunuar në zyrën e tij kryetarin Llatja. Kanë qenë tre persona, me në krye vrasësin me pagesë Shkëlzen Hasanpapaj. E di i tërë qyteti, por askush nuk ka guxim të flasë. Le të dalë kryetari Llatja dhe ta mohojë këtë ngjarje. Ju lutem, publikojeni këtë, sepse jeni i vetmi vend ku ne, qytetarët e thjeshtë, kemi shpresë dhe mund të dëgjohet zëri ynë. Ju përgjërohem të ruani anonimitetin, sepse kemi fëmijë për të rritur. Qyteti i Elbasanit është bërë i pabanueshëm nga kjo bandë kriminale, me përkrahjen e kriminelit kryesor Taulant Balla. Përshëndetjet më të përzemërta! Jeni e vetmja shpresë ku mund të ankohemi.
Pas publikimit të lajmit, një sqarim publik bëri Llatja, i cili tha se ngjarja e pretenduar nga personi që i ka shkruar Berishës nuk ka ndodhur.
“S’ka mundësi të rrihet një kryetar bashkie,”-tha Llatja në një përgjigje për ReportTV.
Deri tani, nga Berisha nuk ka asnjë koment për përgënjeshtrimin që Llatja i bëri publikisht./ZËRI