Politikë

Berisha kundër Kodit të ri Penal: Ka dalë nga shpellat e mafies, "atentat" ndaj fjalës së lirë dhe mediave!

Berisha tha se ky kod i ri, i hartuar dhe miratuar pa asnjë konsultim.

k.m.
Berisha kundër Kodit të ri Penal: Ka dalë nga shpellat e mafies,
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi ndryshimin e kodit penal të Shqipërisë si të nxjerrë nga “shpellat e mafies”. Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se ky kod i ri, i hartuar dhe miratuar pa asnjë konsultim është një përpjekje për të mbrojtur zyrtarët. Sipas Berishës, ndryshimet e shpeshta e zhysin sistemin juridik në një mjedis pasigurie.

PJESË NGA FJALA E BERISHËS:

Berisha: Kodi i ri penal ka dalë nga shpellat e mafies! Ndryshimet e shpeshta e zhysin sistemin juridik në një mjedis pasigurie

Narkoshteti paraqiti dy ditë më parë narkokodin penal të Shqipërisë, në të cilin goditen pa mëshirë qytetarët, trajtohen me butësi maksimale zyrtarët dhe ata të cilët në drejtësinë e shekujve për aktet e tyre kanë marrë dënimin me vdekje, por duke e ndaluar një masë të tillë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, vendet anëtare të Këshillit të Europës, kanë hequr dënimin me vdekje nga kodet penale dhe kanë ruajtur dënime të tjera. Ata tani kanë të mundur plotësisht të dalin dhe të bëjnë punë vullnetare sepse janë eksponentë kryesorë të mafies qeveritare. Nga viti 1992 gjer sot, Shqipëria ka hartuar ligje të bazuara në standardet më të mira dhe të asistuar nga institucionet kompetente evropiane. Në këtë kontekst, në vitet ’90 u nda nga kodet e vjetra të diktaturës komuniste dhe u vendosën ligje të reja. Natyrisht ligji nuk është një e dhënë njëherë e përgjithmonë, por veçanërisht kodet, me dinamizmin e krimit dhe veprave penale, ato pasqyrojnë ndryshimet e realitetit.  Por gjithmonë një parim nga themeluesi i parimeve të shtetit modern, Monteskje, ligji preket rrallë dhe kur preket, preket me një dorë që dridhet. Pse kjo? Sepse stabiliteti i ligjit është kushti madhor i sigurisë juridike, e cila përbën dimension më cilësor të shtetit ligjor. Duke përmbysur në mënyrë të vazhdueshme ligjet, ti vetë sistemin e zhyt në një mjedis pasigurie. Sistemi juridik. Do t’u jap një shembull, ky është kodi i tretë në 30 vite. Në vitin 1995, u miratua kodi i parë penal. Në vitin 2014, me ndihmën e Euralius, u hartua kodi penal që është sot në fuqi. Dhe pa u mbushur 10 vite apo fiks në 10 vite, del nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim, nga zyrat e Edi Ramës, një tekst tjetër i ri i kodit penal. Edhe njëherë, kodet plotësohen me veprat penale që krijohen, me praktikat që duhet të zbatohen, por të ndryshosh kod çdo 10 vite do të thotë se interesa tepër të mprehta të detyrojnë të ndërmarrësh një akt të tillë. Dhe këtë kur e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediat, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat e narkoshtetit, shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë. Pa asnjë debat paraprak të gjerë, paraqesin këtu arkitekturën e plotë të kodit penal të diktaturës komuniste në raport me lirinë e fjalën dhe dënimin, trajtimin e qytetarëve. Sot me këtë kod, qytetari shqiptar dënohet me burg për një parkim të gabuar. Me këtë kod, qytetari shqiptar burgoset për një kundërshtim që i bën një polici pijanec apo të droguar. Sot qytetari shqiptar dënohet me dhjetëra vite në qoftë se i ka marrë ndërmarrjes 1 milion lekë. Ndërkohë që zyrtari i lartë duhet të vjedhë qindra milionë që të marrë dënimin që meriton. Ky është kodi i përçudnive të mëdha. Por nuk janë vetëm këto. Pra, është kodi që vrasësit serialë i nxjerr nga dënimi i përjetshëm dhe u jep një shans të dytë, në një kohë kur në të gjitha ligjet, dhe sot në ligjet e vendeve demokratike të botës, ata marrin dënimin me vdekje. Dhe në qoftë se pyeten qytetarët sot, janë të gatshëm të votojnë për rivendosjen e dënimit me vdekje. Por meqenëse ka ndodhur që këta janë enturazhi i Edi Ramës, dhe qeveritarëve të tjerë, atëherë duhet të bëjmë ligjin që këtyre t’u japim një shans të dytë. Shans të dytë atij që ka vrarë në gjumë tjetrin. Dhe ajo që është vrarë në gjumë, apo ai që është vrarë në gjumë, është i 10-ti apo i 12-ti që kanë vrarë. Për këta, Ulsiu dhe Edi Rama na dalin si të civilizuar para qytetarëve që po bëjmë një kod. Kodi është kryekëput infrastrukturë ligjore e narkoshtetit të instaluar. Ky kod ka rikthyer nenin 55 të diktaturës komuniste. Imagjinoni ju tani, që në qoftë se ti thua se Irena Gjoka, me fakte, është një delinkuente, një kriminele, që ka fshehur krimet e saj, që është e dënuar me burg dhe që për shkak të këtij dënimi, ajo kurrë nuk mund të ishte magjistrate gjykatëse, por që e kanë futur si peng për ta keqshfrytëzuar në mënyrën më të egër. Imagjinoni Altin Dumanin, i cili ka 3-4 shtëpi, tre apartamente dhe banon te shtëpia e vjehrrit. Thotë është e vjehrrit, po a hajde a është a nuk është, si e ndërtoi vjehrri është punë tjetër. I cili mban në dosjen e tij dokumentet zyrtarë që faktojnë se Taulant Balla është bashkëpunëtor kryesor i bandës së Elbasanit. I cili mban në dosje dokumente që faktojnë se prokurorë të SPAK janë bashkëpunëtorë të bandës së Elbasanit. I cili mban në dosje emra që kushëriri i tij i ka denoncuar se nxirrte në pritë rivalët, siç është Shpataraku. Pra, Altin Dumani, i cili thuhet kundër një ryshfeti 700 mijë euro nuk dënoi për rastin e Jan Prengës, Altin Hajrin dhe që tani së fundmi fshehu për javë të tëra mandatin e arrestit të Troplinëve. Pra, në qoftë se ti guxon dhe ia thua publikut këto, dënohesh. Një mbrojtje të tillë, Enver Hoxha nuk ia ka dhënë kurrë Aranit Çelës. Një mbrojtje të tillë, ky është një atentat i rëndë në themelet e fjalës së lirë dhe të transparencës. Imagjinoni ju, ky njeri që shëtiti dy vjet duke marrë peng qeveritarë dhe duke kërkuar që të ndryshojë Kushtetuta për mandatin e tij, ka arritur me Edi Ramën dhe Ulsiun e kostumeve të Altin Hajrit, e 600 mijë eurove të çantës Louis Vouitton, të fusë nenin po fole për gjykatësit, dënohesh kaq dhe aq vite. Atentat i rëndë ndaj fjalës së lirë, ndaj medieve. Atentat i rëndë ndaj Kushtetutës. Edi Rama tregoi se çdo ditë shpalos shpirtin katran të babait të tij xhelat, babait të tij biologjik xhelat që firmoste për varjen në litar të atyre që shkruanin kundër pushtetit të tij. Të sjellësh një kod, dhe shikoni djallëzinë, në mënyrë që të miklojë, të sigurojë kund ndonjë mbështetje, po vodhe paratë e BE, dënohesh një të tretën më shumë. E keni parë ju këtë apo jo? Po vodhe 1 milion, dënohesh një vit, po të jenë fondet e BE, dënohesh një vit e tre muaj. Në këtë mënyrë mendon se do hutojë apo do sigurojë mbështetje për një kod të turpshëm që ia ka lakmi edhe Maduro i Venezuelës. Por kodi është një dorë e zezë mbi veprimtarinë ekonomike të qytetarit. Ju nuk mund të imagjinoni, ju lutem keni durim se materiali është pak i gjerë. Shpërdorimi i detyrës është thjeshtuar shumë për zyrtarët. Nuk ka tani, zyrtarët janë pothuajse me imunitet. Gazetarët në satër. Fjala e lirë në satër. Po qe se mjetet e komunikimit bëjnë ndonjë sulm apo japin lajme për ndonjë sulm ndaj institucioneve dhe gjykatës, i pret neni 536. Neni ndikimi mbi pavarësinë e gjykatës. Pavarësinë e Dumanit dhe të Irena Gjokës dhe të Fetahut. Tani, mospërmbushja e qëllimit të kontratës. Pra kanë futur një nen në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuta thotë në nenin 23/3, askujt nuk mund t’i hiqet liria për shkak se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor. Kurse këta, mospërmbushja e qëllimit ët kontratës, detyrimit po e po, të dënojnë me vite të tëra burg. Pra, është pikërisht ajo që të shndërrosh në terror shërbimet shtetërore ndaj qytetarëve, të shndërrosh ligjin në satër mbi qafën e tyre, vetëm e vetëm se si t’i terrorizosh ata. Po është një nen tjetër shumë interesant. Neni 633, konkurrenca e pandershme. Në pamje të parë, thua këta janë me të vërtetë të vendosur të mbrojnë konkurrencën. Shikoni se çfarë bëjnë. Bërja e një oferte për të shitur ose blerë të njëjtat mallra ose për të ofruar të njëjtin shërbim, duke e ditur më parë se një tjetër person ka arritur një marrëvesje paraprake ose është duke lidhur një kontratë me të njëjtën shoqëri për të kryer veprimtari tregtare, dënohet me gjobë ose me burg gjer në 3 vjet. Pra, dëgjojeni. Kjo vetëm me konkurrencën nuk ka lidhje. Ky është krahu i mafies. Dëgjojeni çfarë thotë, kur subjekti A ka hyrë në marrëdhënie për të lidhur kontratë me subjektin B, dhe kur konkurrenti i B bën një ofertë më të mirë, për pasojë i imponon B kushte më të pafavorshme sepse ka një ofertë më të mirë ose ndërpret negociatat dhe lidh kontratë me C. Po a ka gjë më normale se kjo? Nëse vjen një tjetër dhe më sjell një ofertë më të favorshme, pa dyshim që do marr ofertën më të favorshme sepse kjo është konkurrenca. Pra, siç e shihni, kodi i ri i Edi Ramës apo kodi Rama-Manja është kodi që mbron zyrtarët, qeveritarët. Është kodi që shtrin satrin e ligjit mbi qytetarët. Është kodi që tregon mëshirë ndaj atyre që më parë në të gjitha vendet merrnin dënimin me vdekje për veprat e tyre. Por ndëshkon qytetarin me burg se parkon gabimisht apo se shtyhet me policin, etj, etj. Është kod fund e krye me parime mafioze të cilat kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit beson se do mund t’i maskojë me faktin e ka shtuar me një të tretën e dënimit për çdo vjedhje të fondeve evropiane apo donatorëve të tjerë. Është dëshmi e vendosmërisë për të konsoliduar me ligje narkoshtetin e tij. Është apel për qytetarët shqiptarë të ngrihen me të gjithë forcën për përmbytjen e këtij regjimi i cili mbahet mbi votën e vjedhur, kartelet e drogës dhe vjedhjen e pasurive të qytetarëve shqiptarë. Nuk u ndala gjatë sepse ka shumë aspekte, janë kufizuar liria e protestës, por natyrisht një analizë më të plotë do bëjë departamenti i ligjeve pranë PD dhe do u paraqitet në kohë. Sidoqoftë ky draft do hyjë në historinë e jurisprudencës shqiptare si një akt i turpshëm, një përpjekje e papërmbajtur për rikthimin e ligjeve të vjetra të ish-diktaturës komuniste, për vendosjen e bazave ligjore të forta të narkoshtetit ekzistues sot.

Ministria e Drejtësisë prezantoi javën e kaluar projektin e një Kodi tëri Penal, ku propozohet ndër të tjera, mundësia e lirimit me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Dokumenti i ri ligjor u hartua nga grup pune i kryesuar nga kreu i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, i njëjti që ndau risitë e draftit./ZËRI

Poll

MOS HUMB