Politikë

Berisha për kontratën e lobimit 6 mln dollarë: Rama është tmerruar se morëm avokatin e Trump

Në një takim elektoral në Kuçovë, Berisha foli shkurt duke përmendur edhe kryeministrin Edi Rama.

k.m.
Berisha për kontratën e lobimit 6 mln dollarë: Rama
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar, tërthorazi, kontratën e lobingut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për heqjen e "non gratës". Në një takim elektoral në Kuçovë, Berisha foli shkurt duke përmendur edhe kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, kontrata e ka frikësuar të parin e qeverisë, duke e akuzuar edhe njëherë si të lidhur me bandat.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Sot jam këtu për të prezantuar programin e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore programin më të mirë që i është ofruar ndonjëherë qytetarëve shqiptarë. Fushatën e nisëm sot në mëngjes në Selanik, ku mijëra vëllezër dhe motra nga diaspora erdhën për të dëgjuar programin tonë. Ata janë më të vendosur se kurrë për të votuar më 11 maj për shpëtimin e Shqipërisë, për ndryshimin e madh, për t’u ndarë nga një e keqe që po shkreton çdo javë, çdo muaj më shumë Kuçovën, Beratin dhe mbarë vendin.

Jam sot këtu dhe i drejtohem Ledianit, bashkëmoshatarëve të tij dhe gjithë të rinjve që ndodhen në këtë shesh apo kudo tjetër: 11 maji shënon një fillim të ri për çdo të ri, për çdo vajzë e djalë që dëshiron të ndërtojë ëndrrën e tij në Shqipëri, të ardhmen e tij në këtë vend. Ne garantojmë se shkollimi i fëmijëve tanë do të zhvillohet në kushte moderne, në shkolla të pajisura me teknologji të reja dhe me cilësi të lartë. Do të dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe do të heqim mesataren si një pengesë absurde që i ndalon të rinjtë të hyjnë në universitete. Përkundrazi, dyert e universiteteve do të jenë të hapura për të gjithë, dhe pas diplomimit, çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do të mbështetet nga qeveria me një vit sigurime shoqërore të paguara për çdo të ri të punësuar. Qeveria do të ofrojë grante për çdo biznes dhe startup të të rinjve tanë. Do të vendosim grante për çdo kredi për banesë, në mënyrë që çdo çift i ri të ketë mundësi të ndërtojë jetën në vendin e tij. Do të mbulojmë deri në 30 mijë euro interesat e kredive, dhe për familjet që sjellin në jetë fëmijën e tretë, shteti do të marrë përsipër shlyerjen e plotë të kredisë.

Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane "Continental Strategy". Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Si garant i pagesës së kësaj shume ka dalë shqiptaro-amerikani Nuredin Seci. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës./ZËRI

Poll

MOS HUMB