
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lëshuar një paralajmërim për punonjësit e Bashkisë së Tiranës, duke i paralajmëruar që të mos shkojnë në takimin me kryeministrin Edi Rama. Nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Berisha tha se opozita do t'i regjistrojë emër për emër ata që do të marrin pjesë në takimin e sotëm. Këtë lëvizje të kryeministrit Rama, Berisha e quajti krim shtetëror dhe elektoral dhe tha se vjen në të njëjtën ditë kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës
"Sot thërret antimiting. Thërret bashkinë në antimiting në ditën e rrëzimit të shtatores së diktatorit. U them unë ju, ia ka mbathur me autoblinda nga frika se sulmohet Blloku. Me gjithë familjen e tij kanë përfunduar në tunelet e Zall Herrit atë ditë. I gjithë Blloku. Blloku ishte bosh. Dhe ky tani mbledh punonjësit, patronazhistët e administratës, që emër për emër do regjistrohen, i garantoj se pjesëmarrja në atë krim. Krim elektoral, krim shtetëror. Sepse ai po u thërret ju të dashur punonjës, vetëm për të mbrojtur monumentin e tij të korrupsionit dhe drogës. Nuk po u thërret për asnjë interes tjetër. Dhe mendon se në këtë mënyrë do e kapërcejë. Por tani ai është damkosur,"-tha Berisha në fjalën e tij.
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 16:30 në sheshin 'Skënderbej' punonjësit e Bashkisë Tiranë. Pritet që në këtë takim të marrin pjesë rreth 6 mijë punonjës përfshirë edhe drejtoritë në varësi të bashkisë. Takimi vjen pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nën akuzat për korrupsion./ZËRI