Politikë

PD rikthehet në Komisionin Hetimor, Vokshi përplaset me Ndrecën: Mos na provokoni! Deputetët e PS-së ikin nga salla

Opozita u fut në sallë edhe pse Garda e Republikës ishte tek dera.

k.m.
PD rikthehet në Komisionin Hetimor, Vokshi përplaset me Ndrecën:
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në shëndetësi, ka nisur dhe ka përfunduar me debat dhe përplasje mes palëve. Nënkryetari i Komisionit Plarent Ndreca është përplasur me kryetaren e Komisionit, deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Opozita u fut në sallë edhe pse Garda e Republikës ishte tek dera. Pasi u fut në sallë, Vokshi hodhi akuza se opozita kishte për qëllim që të uzurponte Komisionin dhe se Garda kishte tentuar që të pengonte deputetët që të futeshin në sallë.

Por pretendimet e Vokshit, u hodhën poshtë nga socialistët. Plarent Ndreca tha se nuk ishin ata që e kishin kërkuar praninën e Gardës, pasi nuk kishin kompetenca për të marrë një vendim të tillë. Më pas, Ndreca komentoi protestën e zhvilluar dje nga opozita. Teksa iu referua protestës së 7 tetorit të opozitës para kryeministrisë, ku u hodhën molotov, Plarent Ndreca hodhi akuza se opozita po kërkonte që të bënte të njëjtën gjë edhe në Komision.

Debati mes tyre ka vazhduar shumë gjatë, për gati 50 minuta. Derisa në një moment deputetët e PD nuk e kanë lejuar Plarent Ndrecën që të vijojë fjalimin dhe kanë nisur që ti binin tavolinave me duar. Kështu që deputetët socialistë janë larguar nga mbledhja e komisionit. Edhe pse Vokshi tentoi që të zhvillonte seancën me pretendimin se kishin kuorum, sërish mbledhja u ndërpre.

DEBATI I PLOTË NË SALLË:

Albana Vokshi: Si bëhen mbledhjet e Komisionit pa pasur asnjë dëshmitar? Të gjitha mbledhjet e javës së kaluar janë nul. Maxhoranca ka vazhduar me thirrjet për të provokuar. Mos vijoni me provokimet e mëtejshme. Po mundoheni që të minoni hetimin e këtij Komisioni. Mos provokoni! Mos provokoni me Gardën tek dera që na ndalon që të hyjmë në Komision. Kështu do e bëni hetimin parlamentar?

Plaurent Ndreca: Ju ankoheni për diktaturë dhe e ushtroni vetë. Nëse doni konferenca për shtyp, e keni dhomën atje. Shkoni!

Ina Zhupa: Në këtë parlament nuk po zbatohet asnjë ligj. Ne sot u përballëm me Gardën e Republikës.

Plaurent Ndreca: Keni ardhur për mbledhje apo Konferencë për shtyp? Nuk iu mjaftuan 4 orë mbrëmë?

Ina Zhupa: E shikoj se jeni të shqetësuar

Plaurent Ndreca: O zot! Po shumë frikë ju kemi. O goc dil në konferencë për shtyp moj! S’kam lëshuar asnjë urdhër për Gardën, dhe nuk kam as kompetencë

Albana Vokshi: E urdhëruan të të heqin dhe mikrofonin (i drejtohet deputetes Zhupa)

Plaurent Ndreca: Çfarë ke ardhur të bësh? (i drejtohet deputetes Ina Zhupa)

Albana Vokshi: Ore kush je ti, si i flet kështu deputetes

Plaurent Ndreca: Nuk ju marr leje ju

Albana Vokshi: Unë kam marrë masë, ti nuk flet dot, s’të jap fjalën

Plaurent Ndreca: Fjalën e kam marrë unë

Albana Vokshi: Ti nuk flet dot, se nuk vjen dot këtu t’i thuash deputetes gënjen

Plaurent Ndreca: Ja çfarë bën deputetja… (tregon deputetët e opozitës që bëjnë zhurmë në tavolina)

Albana Vokshi: Mëso të flasësh mirë

Plaurent Ndreca: S’ke ardhur ti të më bësh moral

Albana Vokshi: Jam kryetare

Plarent Ndreca: E mira është që të qetësoheni sepse jeni të karikuar për luftë, keni ardhur për të vënë molotov. Nëse doni të bëni rrugaçin kjo është gjë tjetër.

Albana Vokshi: Kujdes me fjalorin, si nuk të vjen turp, po flet më fjalor rruge.

Plarent Ndreca: Sa herë të gënjeni do t'ju themi prapë. Po më bënë presion, po bërë presion s'të njoh fare. Ti ti bësh presion mazhorancës s'ka shancë, më lini të flas.

Albana Vokshi: Nuk flet këtu dot me fjalor rruge.

Plarent Ndreca: Është shqipe e pastër

Albana Vokshi: Ik shko dil në rrugë, shko tregoje aty tek PS-ja këtë fjalor.

Plarent Ndreca: Më lini të flas me dhunë nuk fitoni gjë, ose jeni tek molotovi ose tek Kushtetuta, nëse keni ardhur të hidhni molotov në komision, harrojeni. Je uzurpatore… Mbledhjen do e bëjmë në një moment të dytë

Vokshi: Kush je ti që e mbyll?

Zhupa: O frikacak

Plarent Ndreca: Mirëseerdhet se kishit disa ditë që mungonit

Ina Zhupa: Po na përjashtove ti

Albana Vokshi: E kishit bërë skenarin, është injorancë kjo e juaja, mos t’i drejtoheni opozitës që drejton komisionin

Plarent Ndreca: Nuk zgjidhet dhunë, o molotovi o kushtetuta

(Do ta provosh dhunën ti, pse nuk erdhe dje në protestë ti cubi), dëgjohet një deputet nga salla, por nuk kuptohet se cili është.

Komisioni pret nesër ish-ministrin Beqajn dhe 20 shtatorin për Rrjepajn si data për të marrë dëshmitë, megjithatë autorizimi deri më tani është dhënë vetëm për Rrjepajn dhe Rrapajn, dhe jo për ish-ministrin. Për Beqaj, ka një masë detyrimi paraqitje për koncensionin e sterilizimit, ndërsa ai gjendet pas hekurave për një tjetër aferë, që është ajo e abuzimin me fondet e BE, teksa ishte në drejtimin e SASPAC.

Në Mars të këtij viti, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për koncesionin e sterilizimit, ku ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj akuzohej për veprën penale shpërdorim detyre. Në bankën e të akuzuarve Beqaj do të jetë së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministri, Klodian Rrjepaj si edhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat.

Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj akuzohen për 'mashtrim'. Ndërkohë mbi zëvëndësministrin Rrjepaj rëndon edhe akuza e falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorim detyre. SPAK ka dërguar për gjykim edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike të cilët janë në arrest shtëpie, mjeku Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini që deri më tani kanë pasur masën 'detyrim me paraqitje'. Ish-zyrtarët akuzohen për 'falsifikim dokumenti' dhe 'shpërdorim detyre'./ZËRI

Poll

MOS HUMB