
TIRANË- Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka përgënjeshtruar aludimet e disa mediave shqiptare, ku pretendohet se ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato-s ka ndërhyrë në raportin paraprak të OSBE-ODHIR. Përmes një reagimi të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Delegacioni i Bashkimit Europian jep versionin e tij se lajmet e publikuara janë të pavërteta. Në të njëjtin sqarim, delegacioni i BE thekson se raportet e OSBE-ODHIR janë të pavarura dhe bazohen vetëm në gjetjet e verifikuara nga vëzhguesit në terren.
“Artikulli që pretendon se Delegacioni i BE-së në Shqipëri apo Ambasadori kanë ndërhyrë për të hequr emra nga raporti paraprak zgjedhor i OSBE/ODIHR është i pavërtetë. Raportet e vëzhgimit zgjedhor të OSBE/ODIHR janë të pavarura, të paanshme dhe bazohen vetëm në gjetje të verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve. Dezinformimi mund të dëmtojë besimin e publikut në proceset demokratike,"- thuhet në deklaratë.

Por çfarë shkruhet në artikullin e publikuar nga Syri.net?
Në shkrimin e publikuar ditën e djeshme, Syri.net raportohet se në raportin e OSBE/ODIHR ka pasur emra banditësh, drejtorësh, shefa policie në Elbasan që sipas tyre janë të përfshirë në krim elektoral. Por për arsye që nuk dihet janë hequr nga raporti.
SHKRIMI I PLOTË:
OSBE/ODIHR publikoi raportin paraprak për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, ku thuhet se “ka raste të vazhdueshme korrupsioni të profilit të lartë dhe shqetësime në rritje mbi qeverisjen demokratike dhe lirinë e shprehjes”. Raporti paraprak për zgjedhjet i OSBE/ODIHR dukej se ishte kritik, por në momentet e fundit me ndërhyrjen e ambasadorit te BE në Tiranë, Silvio Gonzato janë hequr disa emra konkretë nga raporti.
OSBE/ODIHR ka pasur në raport emra banditësh, drejtorësh, shefa policie në Elbasan që janë angazhuar në krim elektoral, por që me ndërhyrjen e zyrtarëve të BE në Tiranë, emrat janë hequr nga raporti. Ky vendim ka ardhur me argumentin që Shqipëria ka hapur negociatat dhe nuk mund ta vizatojmë si vend me krim dhe manipulim zgjedhjesh. Sipas vlerësimit të OSBE/ODIHR, këto zgjedhje përfaqësojnë një tjetër moment kyç për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, sidomos në kuadër të negociatave të saj të vazhdueshme për anëtarësim në Bashkimin Europian. Raporti thekson se shumica e sugjerimeve për përmirësim të procesit zgjedhor bërë nga kjo organizatë mbeten të pazbatuara./ZËRI