TIRANË- Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, ka uruar kryeministrin Edi Rama dhe ministrat për marrjen e detyrës së re, teksa pritet të bëhet dhe votimit i tyre në Kuvend. Në reagimin e BE thuhet se Shqipëria mund të arrijë objektivin e saj për mbylljen e procesit të negociatave deri në fund të vitit 2027.
“Urime Kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë ministrave për marrjen e detyrës. Me një përpjekje të qëndrueshme për të miratuar dhe zbatuar reformat e nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027. Ne pritje për të punuar me të gjithë aktorët shqiptarë për të arritur këtë moment historik, në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e rinj u betuan të premten në zyrën e presidentit Bajram Begaj, ndërkohë që të enjten u kalua në kohë rekord në Kuvend, programi qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Tashmë Rama ka nisur prezantimin e ministrave dhe vendosjen e prioriteteve për 4 vitet e ardhshme, ku fokus kryesor do të jetë procesi i Integrimit të Shqipërisë në BE. /ZËRI