
ITALI- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka folur së fundmi për marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët. Në një intervistë për median italiane “Quarta Repubblica”, Meloni u shpreh e bindur se projekti do të funksionojë dhe se Italia po punon për të gjetur një zgjidhje.
Kryeministrja italiane deklaroi se nuk merr impenjime që nuk mund t’i mbajë dot dhe marrëveshja me Shqipërinë duhet të funksionojë sepse është inovativ dhe ka marrë vëmendjen e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit europian. Meloni deklaroi se e dinte që do hasej me shumë pengesa sidomos në politikat për të zgjidhur çështjen e emigracionit.
Intervista:
Giorgia Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë do të funksionojë. Unë nuk marr impenjime që nuk mund t’i mbaj dot.
Gazetari: Po gjyqtarët nuk i lejojnë emigrantët të ikin atje.
Giorgia Meloni: Mos u shqetëso. Ka zgjidhje, po punojmë. Projekti i Shqipërisë sipas meje duhet të funksionojë. Po punojë që të funksionojë. Për mendimin tim, projekti shqiptar duhet të funksionojë dhe unë do të bëj gjithçka që duhet të bëj për ta realizuar atë. Besoj se është një projekt absolutisht inovativ dhe nuk është rastësi që i kushtohet vëmendje pothuajse nga të gjitha vendet në Bashkimin Evropian, është një ndryshim total në menaxhimin e flukseve migratore, ka zgjidhje për ta bërë atë të funksionojë. Unë kisha marrë parasysh se do të më duhej të punoja tre herë më shumë se paraardhësit e mi për të arritur rezultate. Jam e pajisur, e dija, veçanërisht për emigracionin, sepse e dija që do të kishte kundërshtime shumë të gjera. E dija që do të kisha hasur në shumë pengesa, kjo që po shohim, e dija që shumë nuk do të ishin dakord me këto iniciativa, pas së cilës mendoj se nuk duhet të ndalemi para pengesave që ne hasim dhe prandaj vazhdoj të kërkoj dhe do të gjej zgjidhje, marrëveshja me Shqipërinë do të funksionojë.
Qendrat pritëse janë bosh, pasi në nëntor emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve u larguan nga Gjadri. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. Por deri më tani qendrat janë bosh./ZËRI