Politikë

Fati i Veliajt në ‘dorën’ e Begajt! Rama nuk pret Kushtetuesen, shpall vakancën dhe kërkon datën e zgjedhjeve brenda 48 orëve

“Patatja e nxehtë” e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë ka mbërritur në zyrën e Bajram Begajt, a do të shprehet presidenti brenda 48 orëve, apo do të presë një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese

E.K
Fati i Veliajt në ‘dorën’ e Begajt! Rama nuk pret
Erion Veliaj, Edi Rama dhe Bajram Begaj

TIRANË- Zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës janë në pikëpyetje, njësoj si fati politik i Erion Veliajt, ish-numrit 2 të socialistëve, i cili që prej muajit Shkurt gjendet në qelitë e paraburgimit, pas akuzave të SPAK për korrupsion. Edhe pse avokatët e tij mbrojtës depozituan dje ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, që ligjërisht pezullon vendimin e shkarkimit të tij nga qeveria, me kërkesë të Këshillit Bashkiak, kryeministria ka njoftuar sot vakancën në drejtimin e bashkisë më të madhe të vendit. Në këtë mënyrë qeveria ka anashkaluar regjistrimin e ankimimit të Veliajt në Kushtetuese, duke vënë presidentin Bajram Begaj përpara një përgjegjësie të re.

Vetë Gjykata Kushtetuese në një reagim për Ora News, ka deklaruar se ka bërë publikimin e regjistrimit të kësaj kërkese. Në sqarimin e dhënë, u theksua se shpallja e kërkesës është e barazvlefshme me njoftim publik, çka nënkupton pezullim automatik (ex-lege) të vendimit të shkarkimit. Sipas Gjykatës, nuk është e nevojshme që të bëhet një njoftim specifik për kryeministrinë apo presidencën, që do të duhet të përballet me vendimmarrjen për zgjedhjet e pjesshme.

Në shkresën që kryeministria i dërgoi sot presidencës, përveç Bashkisë së Tiranës, shpallej vakanca edhe në 5 bashki të tjera të vendit, kryetarët e të cilave lanë mandatin për t’u zgjedhur deputetë dhe ministra në Kuvend.

Që prej shpalljes së kandidaturës së Ogerta Manastirliun për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama nuk ka bërë hapa pas për vendimin e tij se kryeqyteti duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, edhe pse Erion Veliaj fillimisht kërkoi të dëgjohej, dhe më pas vendosi që të apelonte shkarkimin në Kushtetuese. Nga ana tjetër Partia Demokratike ende nuk ka një emër për Bashkinë e Tiranës, edhe pse ka nisur prej ditësh negociatat me të gjithë aleatët, në tentativë për të gjetur një kandidat gjithëpërfshirës. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB