TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar presidentit Bajram Begaj shpalljen e datës për zgjedhje të pjesshme lokale në 6 bashki të vendit, përfshirë dhe kryeqytetin, duke i dhënë 48 orë kohë. Në mesin e bashkive ku qeveria ka shpallur vakancën është edhe kryeqyteti, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese mori në konsideratë ankimimin e Erion Veliajt, duke caktuar dhe relatoren që do të shqyrtojë padinë e tij. Në shkresën që mban datën 30 shtator, Presidenti Bajram Begaj njoftohet edhe për vakancat në 5 bashki të tjera të vendit, që janë: Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena.
SHKRESA E KRYEMINISTRISË
INSTITUCIONIT TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
E nderuar, Në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe referuar pikës 4, të nenit 61, të ligjit nr. 139/2015, "Për vetëqeverisjen vendore", të ndryshuar, Këshilli i i Ministrave është vënë në dijeni për krjimin e vakancave për kryetar në disa bashki të vendit, përkatësisht, bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik, e si rrjedhim kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në këto bashki, brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor.
Gjithashtu, bashkëlidhur lutem gjeni vendimin nr.539, datë 25.9.2025, të Këshillit të Ministrave
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, SEKRETARI I PERGJITHSHËM ËNGJËLL AGAÇI
Në padinë e avokatëve të Veliajt që u dorëzua të hënën në Gjykatën Kushtetuese (29 shtator), thuhej se neni 62 i ligji për vetëqeverisjen vendore, i përdorur si argument ligjor për shkarkimin e Veliajt, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës, por interpretohet në pajtim me të. Sipas avokatëve mbrojtës të Veliajt, neni 115 i Kushtetutës është një filtër i nevojshëm për çdo vendim shkarkimi. Tashmë Gjykata Kushtetuese me gjasë do të vendosë për pezullimin e vendimit të shkarkimit të Veliajt, derisa të shprehet në themel për çështjen.
Këshilli Bashkiak votoi kërkesën për shkarkimin e Veliajt, më 23 shtator, me 50 vota pro të PS-së dhe PD-së, duke iu referuar ligjit të vetëqeverisjes vendore, se shkarkimi i kryetarit mund të kërkohet pasi ai mungon për 3 muaj rresht në detyrë. Kërkesa e Këshillit Bashkiak u miratua dhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa vendimi i shkarkimit u publikua në Fletoren Zyrtare. Socialistët kanë zyrtaruar dhe kandidaten e tyre për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliun, ndërsa Veliaj do të ketë sot seancën e parë në Gjykatën e Posaçme, ku do të vendoset nëse dosja e tij do të kalojë për gjykim.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim. /ZËRI


