TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime në mënyrën e kryerjes së inspektimeve për bizneset. Përmes një video-mesazhi në rrjete sociale, Rama thekson se kontrollet duhet të kalojnë testin e 'Besës', duke paralajmëruar bizneset në mënyrë që të kenë mundësi të përmirësohen.
Kreu i qeverisë theksoi se duhet të ndryshojë edhe qasja ndaj masave ndëshkuese, duke nënvizuar se gjoba duhet të jetë masa e fundit për bizneset. Në përfundim, Rama njofton se inspektorët do të jenë të pajisur me kamera inteligjente.
“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojën testin e besës. Nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektoi nuk vjen te dera e biznesit si skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh. Qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim, por ti ndihmojmë të përmirësohen dhe në përmbushjen e standardeve.
Gjoba është arma e fundit, jo e para. Kurrë një spate shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit. Kush nxjerr gjobën para fjalës së mirë, nuk po e mbron shtetin. Kujt i vjen inspektim pa paralajmërim për kontroll rutinë, duhet ta denoncojë menjëherë të inspektori i përgjithshëm.
Këtë të drejtë ne mund ta vendosim vetëm së bashku, së shpejti çdo inspektoi që troket në emër të shtetit te dera e një tatim paguesi, do jetë i pajisur me kamera inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë, dhe ai ta dijë se në çdo minutë është i mbikëqyrur”, tha Rama.