
TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për Ligjin e Akademisë së Shkencave. Gjykata nuk kishte shumicën për të rrëzuar ligji, pasi gjyqtarët janë ndarë në barazim 4-4.
Gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime, 4 gjyqtarë vlerësuan se ligji duhej të shfuqizohej menjëherë për shkak se mbledhja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ishte thirrur në shkelje të Kushtetutës dhe të mos vazhdohej me pikat e tjera, ndërsa 4 gjyqtarët e tjerë e vlerësuan si të pabazuar këtë pretendim dhe kërkuan shqyrtimin e pretendimeve të tjera në themel.
Në momentin kur ky ligj u miratua, demokratët pretenduan se ky është krijuar për Skënder Gjinushin, pasi atij si kryetar i Akademisë i lejohet të rikandidojë për një mandat të dytë, ndërsa anëtarëve 75 vjeçar nuk u lejohet një gjë e tillë.
“Ligji nuk respekton akademikët sepse nuk garanton barazinë e tyre para ligjit. Ose të gjithë akademikët mbi 75 vjec mund të zgjidhen ose asnjëri. Ose të gjithë akademikët mbi 75 vjec bëhen emeritus ose asnjëri. Nuk mundet të ketë përcaktime ligjore “të gjithë përvec njërit” pikërisht kryetarit për të cilin qepet ligji me porosi”,-deklaroi asakohe deputetja Zhupa.
Kërkesa në Kushtetuese u dorëzua më 10 maj 2024 nga 37 deputetë të opozitës. Padia u dorëzua nga deputetja Ina Zhupa, e cila u shpreh se në ligj janë evidentuar shkelje proceduriale dhe përmbajtjesore, që sipas saj garantojnë “vetëm futjen e hundës së politikës në Akademinë e Shkencave”./ZËRI