
TIRANË-Kryeministri Edi Rama, ka mbërritur në Bashkinë e Tiranës, ndërsa pritet të zhvillojë një takim me nënkryetarët. Takimi vjen pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj. Takimi vjen në mungesë të kreut të Bashkisë, kur ende nuk dihet se kush do ta marrë postin e tij. Një skenar i mundshëm është që një prej prej nënkryetarëve të Bashkisë mund të marrë drejtimin e institucionit, konkretisht Anuela Ristani, Andi Seferi, Keti Luarasi, Jonida Halili dhe Frida Pashako.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules, i cili po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK, u gjeneruan 1.1 mln euro. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi. Paratë siguroheshin nga ryshfeti që dhanë 5 biznesmenët për leje ndërtimi dhe fonde publike. Nën hetim edhe Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI