
TIRANË-Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka ka reaguar për herë të parë pasi SPAK e mori në hetim për çështjen ndaj Veliajt, e akuzuar për pengim të zbardhjes së të vërtetës. Opozita kërkoi që Bushka të mos drejtojë mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Deputeti Dashnor Sula tha se PS nuk ka moral të flasë, pasi vjen era korrupsion.
“Ne si gjithë Komisioni i Ligjeve duhet të kishim reagim unifikues me situatën që ka ndodhur. Prandaj, zonja kryetare, mund t’ia lini radhën zonjës Çupi të drejtojë mbledhjen apo kujtdo anëtare e Komisionit mund ta kishte këtë aftësi. Zonja kryetare ke penguar drejtësinë. Mbyllni gojën anëtarë socialistë të Komisionit, se nuk keni moral të flisni. Është turp. Vjen era korrupsion”, tha Sula.
Në përgjigjen e dhënë Bushka, u shpreh se është ajo drejtuesja e Komisionit dhe theksoi se do të japë sqarime vetëm atje ku duhet.
Klotilda Bushka: Ju sqaroj që ky është një komision ligjesh dhe jo komision hetimor, unë jam drejtuese e komisionit të ligjeve dhe jam duke ushtruar detyrën time. Nëse kam diçka për të sqaruar do ta sqaroj atje ku sqarohen. Sa i takon cështjes së dinjitetit unë kam qenë e dinjitetshme, jam dhe do jem.
Deputetja socialiste Klotilda Bushka është nën lupën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se Bushka po hetohet nga SPAK për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Bushka ka ndërhyrë në hetimet e SPAK ndaj Erion Veliaj në dhjetor të vitit 2024.
'Deri në këtë fazë kontatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë te dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim, K.B ka kryer veprime aktive të kundraligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues…,” -thuhet në njoftimin e SPAK.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules, i cili po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK, u gjeneruan 1.1 mln euro. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi. Paratë siguroheshin nga ryshfeti që dhanë 5 biznesmenët për leje ndërtimi dhe fonde publike. Nën hetim edhe Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI