TIRANË- Sërish ndryshime në kabinetin qeveritar! Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave ka pasur disa lëvizje në postet e zv.ministrave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Konkretisht Ami Kozeli ka marrë drejtimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar ditën e sotme. Ndërsa Besjan Kadiu, i cili ishte në postin e zv. ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës ka zënë vendin e Viola Haxhiademi si sekretar i Përgjithëm i MIE-së. Haxhiademi është lirguar nga kjo detyrë dhe është emëruar në krye të KESH-it.
Lëvizjet vijnë, ndërsa dy drejtuesit, Erald Elezi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Gentian Gjyli, kreu i Autoritetetit Rrugor të Shqipërisë, janë marrë të pandehur nga SPAK, të cilët rezultuan pjesë e hetimit të zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku. Kreu i ARRSH dhe KESH akuzohen për shkelje të barazisë në tendera.
Drejtori i KESH Erald Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë dhe masa i është caktuar për dy tenderët me vlerë 210 mln euro, Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.
Gjyli akuzohet nga SPAK për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tunelin e Llogarasë. Për të dy GJKKO ka caktuar masën 'arrest shtëpie' për Gjylin dhe Elezin./ZËRI


