
TIRANË-Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin e radhës me qytetarët në rubrikën 'Sy më sy' ka folur rreth zgjedhjeve të 11 Majit. Rama u shpreh se nuk është çështja që të fitojë PS, por është marrja e pasaportës evropiane dhe se vetëm ai dhe PS, mund ta 'kyçin' Shqipërinë në BE.
Edi Rama: Ka rrjedhur bufi i kënetës. Që është në rrjedhje duket qartë, por është çështje e moshës. Por them votoni për mua se vetëm unë dhe PS e bëjmë këtë hap të fundit për të kyçur Shqipërinë në BE. Kjo është e thjeshtë dhe e qartë. Nuk e bën dot askush tjetër, cilido tjetër minimalisht do të shkaktonte një shtyrje dhe vonesë dhe mbylljen e kësaj dere.
Kreu i qeverisë ndër të tjera komentoi dhe mbylljen e platformës Tik Tok, ku u ritheksoi se përdorimi i VPN-së është i rrezikshëm, pasi mund të ndikojë në cënimin e të dhënave personale.
Edi Rama: Përdorimi i Tik Tok me VPN një turp i madh. Duhet shumë kujdes sepse është i hapur për marrjen në kohë reale të të dhënave. Është njësoj si ta përdorësh duke ndarë me të tjerët paswordin apo të dhënat. Por çështja këtu nuk është çështje Hitlerit, por është çështja Tik Tik në mënyrën si shërbehet në Shqipëri është shumë i rrezikshëm.
Përdorimi i VPN
Pas lajmit për mbylljen e platformës Tik Tok, përdoruesit nisën që të kërkojnë alternativa për të siguruar lundrimin në aplikacion, duke kërkuar mundësi për të ndryshuar lokacionin e përdorimit. "Proton VPN", shërbim VPN i operuar nga një kompani zvicerane ka pasur një "boom" shkarkimesh në celularë. Sipas tyre, përdorimi i ProtonVPN në Shqipëri është rritur 1200% dhe ende nuk ka të ndalur.
Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Brenda një jave apo 10 ditësh, shqiptarët nuk do të mund të aksesojnë më platformën “Tik Tok”. Vendimin e marrë e ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se për 12 muaj, “Tik Tok” nuk do të mund të funksionojë më brenda territorit të Shqipërisë.
Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre./ZËRI