Politikë

'Ke marrë para nga kompania e Çopjave"/ PËRBALLJA Shehaj-Lapaj, kreu i “Shqipëria Bëhet”: Shihemi në gjyq!

Përveç akuzave dhe komenteve që janë bërë në rrjetet sociale, duket se palët do të përballen edhe në gjyq.

k.m.
'Ke marrë para nga kompania e Çopjave"/ PËRBALLJA
Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj

TIRANË- Një tjetër përplasje në distancë ka ndodhur mes politikanëve të rinj, ku edhe kësaj here një nga të përfshirët është kreu i partisë "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj. Pas përplasjes që pati me aktivistët e "Lëvizja Bashkë" dhe me ish-deputetin e Partisë Demokratike, Myslim Murrizin, Lapaj ka nisur një debat me Agron Shehaj, i cili drejton partinë "Mundësia". Përveç akuzave dhe komenteve që janë bërë në rrjetet sociale, duket se palët do të përballen edhe në gjyq. Shkak është bërë një video-postim në rrjetet sociale i Adriatik Lapajt, ku shprehet se Shehajn e shohin njerëzit si biznesmen dhe kërkojnë para prej tij.

"Unë e kam fajin?! Të shohin si biznesmen more zotëri dhe nuk lëvizin nga vëndi pa u dhënë lekë ti. Nuk jemi e njëjta gjë zotëri dhe unë prapë po të shtrij dorën,”-deklaron Lapaj në podcastin e tij. Me videon e tij në telefon, Shehaj i ka dhënë gjithashtu përgjigjen përmes një videomesazhi. Në videomesazhin e parë, Shehaj thotë vetëm se ai nuk financohet nga paratë e krimit dhe nuk shtjellohet më tej për të sqaruar se për kë e kishte akuzën e bërë. Edhe pse nënkuptohet që i drejtohet Lapajt. 

"Adriatik ne jemi shumë ndryshe. Unë nuk financohem nga paratë e krimit Adriatik. Unë nuk kam marrë dot pronat e mia, jo më të përfitoj nga ish-pronarët që ju keni torturuar; gjykatës të korruptuar, avokatë sekserë; ti ke qenë dhe je pjesë e këtij sistemi Adriatik. Unë jam si ata, qindra mijëra shqiptarë që kanë vuajtur këtë shtet të korruptuar, këtë sistem të padrejtë; atë drejtësi të korruptuar ku ti ke ngrënë Adriatik. Kjo është diferenca midis teje dhe meje. Adriatik, unë jam i pakapshëm. Të fala Ramës Adriatik,"-thotë Shehaj në videon e tij. 

Në videon e dytë përmend emra. Duke iu referuar një personi të quajtur Ferdinand, Shehaj thotë se Lapaj ka marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3”, e cila u sekuestrua pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja. Por se përse i ka marrë nuk e ka zbuluar. 

Deklarata e Agron Shehaj: Fredinandi më shkruajti sot në mëngjes dhe më tha: “Jo të gjitha paratë që përdor Adriatiku janë para të pista, sepse disa nga ato para i kam dhënë edhe unë.” Edhe unë, thotë Fredinandi, kam dhënë një kontribut. Ky është një dokument i vitit 2024. E gjeni në QKB. Është bilanci i një kompanie të sekuestruar nga SPAK-u për pastrim parash, që tregon se Adriatiku ka marrë 45 milion lekë. Pyete, meqë ke kontakte me të, pse i ka marrë këto para, sepse arsyeja pse i ka marrë është më e rëndë se fakti që i ka marrë. Mua më vjen keq, sepse shumë prej atyre që mund të kenë besuar tek Adriatiku, por edhe ata që duan të vazhdojnë të besojnë, do të zhgënjehen. Por këto janë faktet. Shkoni dhe shikoni vetë. Është dokument publik. E vërteta është që ky është një sistem i kalbur dhe Adriatiku është i mbështetur nga i gjithë sistemi. Jo vetëm kaq, por është i mbështetur edhe nga pjesa më e errët dhe më e zymtë e këtij sistemi. Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm dhe të shikojmë në thellësi, sepse na kanë gënjyer dhe do të vazhdojnë të na gënjejnë.

Pas kësaj akuze ka një kundërpërgjigje edhe nga Lapaj. Në rrjetet e tij sociale, kreu i "Shqipëria Bëhet" sqaron se paratë,  që ende nuk i ka marrë, i ka si avokat pasi ka përfaqësuar në gjyq këtë kompani. Por thekson se ka 2 vite që nuk i ka marrë  paratë për shërbimet e tij. Po ashtu, sqaron se kompania në fjalë nuk është e sekuestruar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por vetëm administratori i saj është nën hetim. Sqarimin e mbyll me një paralajmërim për përballje në gjyq. 

"Punën si avokat nuk ma kanë paguar dhe do duhet të vete në gjyq për t’i marrë. Ndoshta dhe nuk i marr dot e puna iku dëm! Po ky është hall për mua! A janë kriminelë ata apo jo, për mua ka pak rëndësi se unë nuk kam profesion të qenit Klerik, por avokat. Avokati përfaqëson edhe ata që shkelin ligjin. Madje kryesisht ata që shkelin ligjin. Është si t’i thuash doktorit pse i hoqe dhëmballën një trafikanti. Ti Agron për politikë nuk paske limite, por përballë ke një njeri të ligjit! Tani, o unë do dënohem nga gjykata për bashkëpunim me krimin e organizuar o ti do dënohesh për shpifje! Pa dashje, ti Agron më bëre një nder! Nga teoria lekët t’i jep Sorosi, kaluat te teoria pse punon avokat! Me pak fjalë Sorosi paska qenë jo mjaftueshëm i pasur sa të më linte të kisha nevojë për para nga krimi. Të mesme nuk ka! Shihemi në gjykatë!,"-shkruan ndër të tjera Lapaj.

Edhe postimi i Lapaj e ka marrë një përgjigje! Shehaj ka nxjerrë dokumenta duke shkruar se për kompaninë “Merkaj 3” ka marrë përsipër regjistrimin e vendimit gjyqësor dhe nxjerrjen e certifikatës së pronësisë. Po ashtu, ka nxjerrë se me çështjen është marrë vjehrri i Adriatikut, Alltun Çela, që në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës.

'Ke marrë para nga kompania e Çopjave"/ PËRBALLJA

'Ke marrë para nga kompania e Çopjave"/ PËRBALLJA

"Përgjigje për Adriatik Lapajn: Jo vetëm ka marrë para të pista, por arsyeja pse i ka marrë është dhe më e rëndë. Këto janë dokumentet që tregojnë çfarë shërbimi i ka dhënë Lapaj kompanisë në hetim për pastrim parash nga SPAK. E para është kontrata e shit-blerjes së një prone prej miliona euro në bregdet, midis kompanisë së akuzuar nga SPAK, pronarëve dhe Adriatik Lapajt. Lapaj merr përsipër regjistrimin e vendimit gjyqësor dhe nxjerrjen e certifikatës së pronësisë. E dyta është një screenshot nga faqja e gjykatës që tregon se me këtë çështje është marrë vjehrri i Adriatikut, që në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës. Ky është një teatër i madh! Është një mashtrim i madh që ka një regjizor, që është Edi Rama. Ky sistem i korruptuar dhe i kalbur e ka ngritur Adriatik Lapajn në piedestal. I ka hapur dyert e mediave, e ka financuar dhe e ka mbrojtur. Duan të çojnë në Parlament njerëz të kapur dhe të kapshëm. Të kompromentuar. Nuk duhet të dorëzohemi! Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë dhe të pa shantazhueshme!,"-shkruan Shehaj.

Përgjigja e Lapajt për akuzat e Agron Shehajt:

1. E para, dokumenti në fjalë është bilanci publik sipas ligjit i një kompanie private që tregon se i ka detyrim personit fizik Avokat Adriatik Lapaj 4,5 milion lekë. Në fakt, mua më kanë borxh shumë kompani e persona që i kam përfaqësuar si avokat!

2. E dyta, nuk kam marrë 4,5 milionë, kompania që citon ti m’i ka borxh për punën si avokat. Ka afro 2 vite që nuk më likuidon lekët. Hallet e veta. Nuk i’a kanë dalë! Gënjeshtra jote e parë!

3. Z. Shehaj ju pretendoni se unë jam paguar 4,5 milionë nga kjo kompani për politikë. Në fakt ky është mashtrimi juaj i dytë i kryer publikisht. Unë si avokat këtë profesion kam! Te rasti në fjalë kam ofruar shërbime civile dhe konkretisht kam qenë avokati që ka përfaqësuar 35 familje pronare të një toke që kompania në fjalë ka blerë. Si avokat kam përpiluar kontratat dhe kam ndjekur procesin juridik.

4. Z. Shehaj ju thoni që kompania në fjalë është sekuestruar nga Spaku duke synuar që të krijoni dëmtimin tim si imazh te votuesit. Pra, doni të krijoni perceptimin që Adriatiku bashkëpunon me krimin. Në fakt, kompania në fjalë nuk është e sekuestruar nga Spak. Gënjeshtra jote e tretë! Administratori saj është nën hetim. Halli i vet! Shërbimi im si avokat është për kompaninë afro 2 vite para se administratori saj të merrej nën hetim. Kontrata është me kompaninë dhe jo për punët e Administratorit. Gënjeshtra jote e katërt! Kjo për të qenë korrekt, se unë dhe sot mund ta përfaqësoj pa problem atë kompani ose administratorin e saj edhe në Spak se kjo është puna ime. Përfaqësues ligjor! Avokat!

5. Z. Shehaj, nëse do qenë para që krimi m’i jepte, do m’i kishin dhënë, e nuk do më mbeteshin borxh 2 vite. Madje do m’i jepnin jo me bankë!

6. Punën si avokat nuk ma kanë paguar dhe do duhet të vete në gjyq për t’i marrë. Ndoshta dhe nuk i marr dot e puna iku dëm! Po ky është hall për mua!

7. A janë kriminelë ata apo jo, për mua ka pak rëndësi se unë nuk kam profesion të qenit Klerik, por avokat. Avokati përfaqëson edhe ata që shkelin ligjin. Madje kryesisht ata që shkelin ligjin. Është si t’i thuash doktorit pse i hoqe dhëmballën një trafikanti.

8. Unë si avokat o Agron përfaqësoj këdo dhe kam detyrim t’i deklaroj në shtet. Fakti që janë deklaruar tregon se unë punoj me kontrata e fatura, jo në të zezë. Ndoshta ti je mësuar në të zezë!

9. Ti Agron për politikë nuk paske limite, por përballë ke një njeri të ligjit! Tani, o unë do dënohem nga gjykata për bashkëpunim me krimin e organizuar o ti do dënohesh për shpifje!

10. Pa dashje, ti Agron më bëre një nder! Nga teoria lekët t’i jep Sorosi, kaluat te teoria pse punon avokat! Me pak fjalë Sorosi paska qenë jo mjaftueshëm i pasur sa të më linte të kisha nevojë për para nga krimi. Të mesme nuk ka! Shihemi në gjykatë!/ZËRI

Poll

MOS HUMB