Politikë

BLOFI I PD me efektivin e FNSH, Luan Baçi ndryshon disa herë version, Policia: Ishte spraj! (Çfarë parashikon rregullorja?)

Versionet që u thanë aty për aty ishin nga të gjitha llojet.

k.m.

BLOFI I PD me efektivin e FNSH, Luan Baçi ndryshon disa herë
Momenti kur pretendohet se është nxjerrë armë

TIRANË- Partia Demokratike është duke përdorur si kalin e saj të betejës, një incident mes deputetit të Partisë Demokratike Luan Baçi dhe një prej punonjësve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Teksa përplaseshin dhe shtyheshin me punonjësit e Policisë së Shtetit, deputetët e opozitës pretendojnë se një prej tyre u ka drejtuar një armë zjarri.  ZËRI ka verifikuar të gjitha pamjet filmike të televizioneve që kanë raportuar live protestën dhe në asnjë moment, efektivi në fjalë apo ndonjë efektiv tjetër nuk i kanë drejtuar asnjë send apo objekt të ngjashëm me armën deputetit Baçi dhe demokratëve të tjerë. 

I vetmi variant i pasqyruar nga pamjet filmike është ai se në momentin e shtyrjes, efektivi vendos dorën në jelekun e posaçëm aty ku ndodhet kryesisht spraji lotsjellës e shumë më sipër sesa pozicionit normal të armës së zjarrit.  Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili nxorri edhe videon pretendon se efektivi nxorri armën dhe ia drejtoi Luan Baçit. Vetë ky i fundit ka disa versione për ngjarjen. Njëherë pretendon se ka nxjerrë armën dhe ia vendosur në gjoks, në një moment tjetër pretendon se e kanë qëlluar. 

SHIKONI SEKONDËN E 6:

“Absolutisht po. Ne ishim duke shkuar në parlament dhe ata plehra që janë aty, polici nxorri pistoletën dhe më pas filloi të gjuante me atë,”- tha deputeti i PD-së, Luan Baçi për mediat tek parlamenti.

Në një media tjetër dha tjetër version duke u shprehur: Ne ishim duke hyrë brenda dhe gjithë policia me skafandra, duke shtyrë. Më vuri pistoletën te gjoksi. E gjithë policia që është futur brenda është jashtë rregullat. Ishin shumë aty, me mua u përplasën. E nxori këtu dhe tha: e do këtë? Shqip e tha, e doni shqip? Mund të gjendet te kamerat. E gjithë policia që është e paligjshme këtu.

Sa herë fliste, versionin e ngjarjes e ndryshonte. Herën e fundit që foli për mediat tha se punonjësi i FNSH-së e kishte kërcënuar me mimikën e fytyrës. Kësaj here shton se punonjësi nuk i ka folur fare, por thjesht e ka kërcënuar me mimikë. 

"Hapi xhaketën, nxorri pistoletën, e vuri dorën tek pistoleta dhe me anë të mimikës së fytyrës më kërcënoi. Jo se foli me thënë të drejtën. Por me anë të mimikës më tha "kujdes". Unë i mora kapelen dhe ia kam hedhur tek fytyra, duke i thënë që nuk kërcënon dot me pistoletë deputetët,"-tha Baçi. 

Më pas, ndryshoi tërësish individin të cilit i referohej duke u shprehur se efektivi në foton e shpërndarë nga Policia nuk është efektivi në fjalë, por një tjetër.

“Në një situatë të tillë të tensionuar ai foli qartë me mimikat e fytyrës, hapi xhaketën si kaubojs, vuri dorën tek arma e nxori pak dhe më pas kur pa se u acaruam e futi sërish. Janë falsifikime nga ana e policisë. Nuk lejohet të armatosur në Kuvend,”- u shpreh më tej Baçi.

Pas pretendimeve të opozitës, i menjëhershëm ishte reagimi i Policisë së Shtetit. Këta të fundit fillimisht mohuan publikisht me reagim zyrtar, duke sqaruar se efektivët nuk mbajnë armë shërbimi gjatë protestave, përveç mjeteve të tjera, si shkopi i gomës apo spraj. Dhe në këtë video shoqëruese sqarohet më mirë se çfarë kishte në brez, te vendi i pistoletës efektivi dhe kolegët e tij. Në këtë rast, në vend të pistoletës kishte një spraj që përdoret në protesta, kur ka sulme fizike, kundërshtim dhe thyerje të rendit dhe perimetrit.

SQARIMI I POLICISË:

Reagim i Policisë së Shtetit

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë. Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.  Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni. Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit. Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private. Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.

Edhe ligji për Tubimet sqaron qartë se Policët përgjatë protestave nuk shkojnë të pajisur me armë përtej shkopave të gomës, skafandrave apo sprajve për neutralizimin e protestuesve. Protokolli shtetëror në këto raste është i përcaktuar mjaft qartë, duke shtuar se në asnjë moment në pamje nuk vërtetohet e kundërta. Nuk ka patur një stimulim real nga ana e efektivit të FNSH në rastin konkret. Por edhe pse pretendimet e tyre janë rrëzuar me fakte, opozita vazhdon të ngulmojë në pretendimet e saj. Madje, kanë lajmëruar se Policia mashtron, pasi pretendojnë se në video ka pasur armën poshtë bomobolës së gazit.

NJOFTIM PËR SHTYP

Garda nxjerr pistoletën në drejtim të deputetëve të opozitës. Video e publikuar nga Policia mashtrim. Pamjet hedhin poshtë dizinformimin e shpërndarë në media. Policia e Shtetit ka shpërndarë një video ku tenton të mbulojë aktin e rëndë të policit i cili i drejtoi armën dy deputetëve të opozitës, Luan Baçi dhe Bledion Nallbati. Në një video e cila i është shpërndarë medias nga vetë Policia, tregohet qartë se bombola e gazit është në pozicionin e brinjës ndërsa pistoleta poshtë saj. Kjo hedh poshtë mashtrimin e policisë për të fshehur një tentim vrasje të deputetëve të opozitës.

Çështja do të përfundojë me gjasë në SPAK, atje ku PD ka nisur një kallëzim penal. /ZËRI

Poll

MOS HUMB