Politikë

'Ligjet' pezullojnë 'Paketën e Maleve'! Opozita: Shkel Kodin Zgjedhor. Gjiknuri: Kërkojmë opinionin e KQZ

Opozita deklaroi se drafti nuk është i sqaruar dhe se bie në kundërshtim me rregullat e Kodit Zgjedhor.

F.I
'Ligjet' pezullojnë 'Paketën e Maleve'! Opozita:
PAMJE NGA MBLEDHJA

TIRANË-Komisioni i Ligjeve ka pezulluar shqyrtimin e projektligjit të 'Paketës së Maleve'. Opozita deklaroi se drafti nuk është i sqaruar dhe se bie në kundërshtim me rregullat e Kodit Zgjedhor. Nga ana tjetër edhe mazhoranca kërkoi një opinion nga KQZ dhe më pas të vendoset.

Diskutimi:

Greta Bardeli: Opozita kërkon shtyrjen e shqyrtimit të Paketës së Maleve

Klotilda Bushka: Ta dëgjojmë relatimin, dhe më pas vendosim

Pandeli Majko: Jam dakord me kërkesën e znj. Bardeli, sepse ka nevojë për një diskutim. Ne nuk do ta miratojmë sot.

Greta Bardeli: Nuk kemi pse ta diskutojmë fare, të plotësohet relacioni

Dhurata Çupi: 35 organizata e shoqërisë civile kërkojnë shtyrjen e shqyrtimit të projektligjit për të pasur transparencë. Është ligj me ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 11 majit.

Petro Koçi: Që të marrim vesh nëse projektligji është në shkelje të kodit zgjedhor, ne duhet ta dëgjojmë një herë. Mos e bëni primitive sjelljen, se ju keni lidhur edhe kontratë me një amerikan për një fushatë modern. Nuk do ta kalojmë sot këtë projektligj.

Damian Gjiknuri: Ka disa ndalime për ligjet që kanë përfitime, ne si deputetë duhet ta dëgjojmë që ta gjykojmë.

Sula: Është në shkelje të Kushtetutës, duhet të mbyllet urgjentisht ky projektligj.

Damian Gjiknuri: Propozoj ta dëgjojmë dhe ti kërkojmë opinion edhe KQZ mbi këtë projektligj.

Klotilda Bushka: Propozojmë ta pezullojmë shqyrtimin e projektligjit, dhe më pas e vendosim të gjithë bashkë. 

Projektligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i jep të drejtën të gjithë "investitorëve strategjikë" që të aplikojnë për të blerë prona shtetërore me tarifën simbolike 1 euro, me kushtin e vetëm që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar. Këshilli i Ministrave do të miratojë zonat me përparësi zhvillimi dhe më pas do të jetë MEKI, ajo që do të krijojë një strukturë të posaçme që të bëhet inventarizimi për çdo zonë.

Cilat zona shpallen prioritare për zhvillim?

Për t'u shpallur një zonë si prioritare për zhvillim, duhet të argumentohet potenciali i saj ekonomik, industrial apo turistik. Për të përfituar si posedues, subjektet duhet të plotësojnë disa kritere, si:

-Posedim i vazhdueshëm mbi pasurinë e paluajtshme shtetërore për të paktën 10 vjet, duke e përdorur atë sikur të ishte ai pronari i saj.

-Pasuria të jetë shtetërore dhe jo publike e patjetërsueshme.

-Mosprani e të drejtave reale të palëve të treta mbi pronën.

“Subjekti paraqet dokumentacion provues ose që përcjell informacion për këtë posedim, nëse ka të tillë. Mungesa e dokumentacionit nuk pengon procedurën administrative për njohjen e tij si “posedues jopronar” dhe merret i mirëqenë deklarimi i subjektit për sa kohë nuk paraqiten prova nga të tretët për të kundërtën gjatë afishimit publik dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj. Për qëllime të këtij ligji, do të konsiderohen posedues  jopronarë edhe ata persona fizikë që nuk e përdorin pasurinë, por vërtetojnë lidhjen e tyre me pasurinë, për të cilën nuk janë pajisur me titull pronësie, sipas legjislacionit në fuqi dhe kërkojnë ta zhvillojnë atë nëpërmjet një investimi”, thuhet në pikën ç të nenit 3 të këtij pr/ligji.

Duke qenë se do të duhet të përmbyllet plotësisht inventarizimi i pronave shtetërore, regjistrimi i tyre në kadastër si dhe përditësimi i inventarizimeve të mëparshme, ky projektligj parashikohet të hyjë në fuqi më 31 dhjetor 2028.

Poll

MOS HUMB