Politikë

Mandati i "Shqipëria Bëhet" u vulos! Lapaj: Ndihem i tradhtuar nga Shabani, ka ngrënë bukë tek shtëpia ime

Sipas Lapajt, gjithë sistemi u bë kundër, që ai mos të shkojë në parlament.

F.I
Mandati i "Shqipëria Bëhet" u vulos! Lapaj: Ndihem i
Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj

TIRANË-Kryetari i koalicionit Nisma Shqipëria bëhet, Adriatik Lapaj ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili i kaloi mandatin e Partisë "Shqipëria Bëhet" të parës në listën e mbyllur, Ana Dajkos. Sipas Lapajt, gjithë sistemi u bë kundër, që ai mos të shkojë në parlament.

Sa i takon kreut të 'Nisma Thurje', Lapaj shprehet se ndihet i tradhtuar nga Endri Shabani. Lapaj deklaroi se e ka pasur mik prej 12 vitesh dhe se Shabani ka ngrënë bukë në shtëpinë e tij dhe se nuk e ka pritur këtë nga ai. 

"Ne nuk kemi pasur luftë për një mandat, por për lista të hapura. Nëse do të doja që të isha në atë parlament, do e kisha të thjeshtë, sepse kam firmosur unë atë listë. Por ne kemi dashur të hapim garën. Ne e bëmë marrëveshjen për qytetarët, beteja ka qenë gjithmonë për garën. Sa do e mbaj unë fjalën apo jo, duhet të merrja mandatin, e pastaj mund të gjykohesha. Duhet të ecnim vetëm në rrugën tonë, unë dhe z Shabanaj e shohim politikën pak ndryshe. Nuk na bën deputetllëku që të mbajmë anën e së drejtës, ne jemi përfaqësues të 80 mijë qytetarëve. Më kanë kërkuar, unë kam refuzuar që të bëhem palë me pushtetin. U bë padrejtësi, do qëndroj deri në fund në parimet e mia dhe në parimet tona. “Shqipëria bëhet” është lëvizje model. Angazhimi ynë do jetë akoma më i fortë. Beteja jonë nuk do jetë në parlament. Dajko është zonjë e nderuar, është nëna e një prej kandidatëve tanë. Beteja do jetë rrugëve të atdheut. Ndihem i tradhtuar nga z Shabani, ishte mik i imi për 12 vite, ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Beteja jonë do jetë që të përfaqësohemi nga ata njerëz që duan votuesit. Njerëzit do na mbështesin, sepse kandidatët tanë janë njerëz me formim të shkëlqyer. Na u bë padrejtësi, politika shqiptare na ka borxh 7 mandate. Njerëzit e dinë të vërtetën,"-u shpreh Adriatik Lapaj në News24.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), venosi më 30 korrik që mandati i vetëm i fituar nga Nisma Shqipëria Bëhet në qarkun e Tiranës, t'i kalonte të parës së listës së mbyllur, Ana Dajko. Sipas vendimit të KAS, çdo dorëheqje në bllok nga kandidimi apo mandati i kandidatëve në zgjedhje është nul dhe nuk mund të pranohet. Kështu, deputete nuk është më kushërira e Lapajt, Kleana Xhuveli, por Ana Dajko, e renditur e para në listën e Tiranës.

Ndërkohë, më 4 gusht, Adriatik Lapaj depozitoi një ankimim, duke kundërshtuar vendimin e KAS. Në ankimim, Lapaj kërkoi që të njihej si fitues me pretendimin se e ka fituar mandatin në zgjedhjet e 11 majit. Gjithashtu ai kërkoi edhe mosnjohjen si të vlefshme të revokimit të dorëheqjeve më 15 dhe 17 korrik nga Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit dhe nga Kleana Xhuveli./ZËRI

Poll

MOS HUMB