TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të premte Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Pjesë e mbledhjes ishte dhe numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku, e cila raportoi në emër të institucioneve në varësi të saj. Balluku tha se aktualisht nuk ka probleme nga HEC-et, ndërsa të gjitha akset rrugore kombëtare janë të kalueshme, ndërsa vështirësitë më të mëdha janë paraqitur në rrugët rurale, mirëmbajtja e të cilave është në varësi të bashkive.
“Po e nis nga energjia, kanë qenë më shumë se 1600 punonjës në terren, kryesisht në zonat e prekura, zonat e veriut kanë pasur më pak problematika. OST njofton se të gjitha linjat janë funksionale, kemi arritur një total të ndërprerjes, për rreth 30 mijë abonentë, nga 1 mln abonentë që llogariten, pjesa më e madhe e ndërprerjeve ka ndodhur në zonat rurale. Nënstacionet janë në gjendje funksionale. Sa i takon kaskadës, ka pasur prurje rekord në Fierzë dhe në Koman”, u shpreh mes të tjerave Balluku.
Sa i përket Kaskadës së Drinit, Balluku u shpreh se ka pasur prurje rekord.
“Kemi arritur edhe 3 mijë metër kub për sekond në liqenin e Fierzës”, tha Balluku. Aktualisht kuota e Fierzës është 289.77 metra.
Ministrja paralajmëroi se edhe ditën e sotme atje do të ketë reshje, por do të jenë mesatare dhe me prurje të ulët.
"Reshje do të ketë edhe ditën e sotme, por janë mesatare, me prurje të ulëta. Presim që gjatë mesnatës së sotme të ketë një agravim të reshjeve, por do të ketë shkarkime të kontrolluara për të mos krijuar probleme në zonën e Nënshkodrës", vijoi Balluku./ZËRI