TIRANË- Partia Demokratike do të mbledhë këtë të mërkurë Këshillin Kombëtar, ku pritet të miratohen emrat e ekipit të ri drejtues të forcës më të madhe të opozitës.
Sipas njoftimit zyrtar të PD-së, mbledhja do të nisë në orën 18:00 dhe në rendin e ditës janë përfshirë zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve të partisë, Sekretariatit të PD-së, si edhe e Komisionit të Apelimit. Vendimet që do të merren nga Këshilli Kombëtar pritet të përcaktojnë strukturën kryesore drejtuese të Partisë Demokratike për periudhën në vijim.
Njoftimi i PD:
Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë dhe anëtare të Këshillit Kombëtar!
Së pari, ju falenderoj dhe njëherë bashkarisht për mbështetjen dhe ju shpreh mirënjohjen, respektin dhe përkushtimin tim absolut për punën tonë të përbashkët, që uroj të na shkojë sa më mbarë.
Së dyti, ju njoftoj që ditën e mërkurë, më datë 15 Korrik, ora 18:00, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me rend dite:
1-Zgjedhja e ekipit që do të ndihmojë Kryetarin në drejtimin e Partisë; konkretisht:
a-)Sekretarit të Përgjithshëm;
b-)Nënkryetarëve të PD-së;
c-)Sekretariatit të PD-së;
d-)Komisionit të Apelimit të PD-së.
2-Të tjera.
Ju falemnderit!
Kjo mbledhje vjen pas asaj të zhvilluar më 1 korrik, kur Këshilli Kombëtar zgjodhi kryetarin e këtij organi dhe 20 anëtarët e Kryesisë së PD-së, 14 prej të cilëve janë zgjedhur për herë të parë.
Me plotësimin e strukturave drejtuese, demokratët synojnë të konsolidojnë ekipin politik që do të shoqërojë kryetarin Sali Berisha në drejtimin e opozitës dhe në përballjet e ardhshme politike.
Në njoftimin drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Partia Demokratike falënderoi mbështetësit për angazhimin e tyre dhe bëri thirrje për bashkëpunim në funksion të organizimit dhe forcimit të mëtejshëm të partisë./ZËRI