BRUKSEL-Gjatë Konferencës së 9-të Ndërqeveritare me BE-në, kryeministri Edi Rama është pyetur edhe lidhur me projektin e investimit në zonën e Zvërnecit. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, duke deklaruar se do të jetë një projekt i cili do ta bëjë Shqipërinë krenare. Rama theksoi se projekti nuk është ende i finalizuar dhe do të ndiqen gjithë rregullat e Komisionit Europian.
Edi Rama: Nga vitet e gjata në detyrë kam mësuar që kur thua Bruksel është një fjalë komplekse. Të gjithë zërat në Bruksel janë të respektueshëm, por ka një zë që ne e marrim shumë seriozisht dhe është zëri i Komisionit dhe duhet të dini që Komisioni është në krye të gjithçkaje dhe është shumë i informuar përmes fakteve. Në këtë botë, sistem shumë kaotik i informacionit, ku e vërteta gjen shumë pak hapësirë, Komisioni mbetet në fakt ai që mbart fort objektivitetin. Ndaj jam i sigurt se edhe ju, nëse do të kishit interes për faktet, do të kuptonit se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Projekti nuk është finalizuar. Përmendja e emrave është diçka që nuk na ndihmon. Ka vetëm një libër rregullash që flet për ne, është libri i rregullave të standardeve të anëtarësimit dhe ai i Komisionit Europian. Nëse Shqipëria nuk do të ishte në rregull me të, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, zero. Ne do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipërinë dhe Europën. Shqipëria duhet ta bëjë realitet për Shqipërinë dhe Europën dhe ne do të vazhdojmë që të jemi shumë rigorozë.