Politikë

Mbyllet kalvari 5-vjeçar i Berishës! Nga "non grata" te rikthimi në SHBA, kryedemokrati 'prek' sot Amerikën

Me vizën amerikane në 'xhep', Berisha do të kalojë oqeanin, duke mbyllur kështu zyrtarisht njërën nga betejat më të gjata diplomatike në historinë e politikës shqiptare.

zh.ll
Mbyllet kalvari 5-vjeçar i Berishës! Nga "non grata" te
Sali Berisha

TIRANË- Për më shumë se pesë vite, etiketa “non grata” e kryedemokratit Sali Berisha ka qenë një nga çështjet më të dikutuara politike në vend, duke nxitur debate e përplasje të forta jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe brenda vetë Partisë Demokratike.

Por këtë vjeshtë, dhe pikërisht sot, 4 shtator, historia merr një kthesë tjetër! 

Me vizën amerikane në 'xhep', Berisha kalon oqeanin, duke mbyllur kështu zyrtarisht njërën nga betejat më të gjata diplomatike në historinë e politikës shqiptare.

Historia nisi para 2021-it-Një deklaratë në Kuvend

Historia e vizës amerikane të Sali Berishës nuk nisi në vitin 2021, pasi dy vite përpara shpalljes “non grata”, debati ishte hedhur publikisht në Kuvend nga Kryeministri Edi Rama. Gjatë një seance plenare, më 31 janar 2019, kryeministri Rama iu drejtua drejtpërdrejt Sali Berishës nga foltorja me një pyetje të koduar: “Sali, ti e kapërcen dot oqeanin me dash? Hajde përgjigju... Me dash?”

Kjo deklaratë shënon nisjen e aludimeve se Berishës mund t'i ishte bllokuar viza për në Shtetet e Bashkuara. Por, Berisha e mohoi duke thënë se nuk kishte aplikuar për vizë: “Me SHBA kam arritur aty ku nuk mund të arrish ti kurrë. Kur të më teket, shkoj kur të më teket.”

Megjithatë, ajo përplasje mori një tjetër dimension dy vite më vonë me shpalljen e Berishës “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, në maj të vitit 2021.

Goditja e 2021-shit dhe tërmeti në opozitë

Gjithçka nisi në maj të vitit 2021, kur Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi vendimin për t’i ndaluar hyrjen në territorin amerikan Sali Berishës dhe familjes së tij. DASH e argumentoi masën me përfshirjen në korrupsion madhor dhe minimin e demokracisë. Berisha e cilësoi menjëherë vendimin si politik, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe diplomacinë e ndikuar nga George Soros.

Kjo goditje solli një tërmet të vërtetë në kampin opozitar: kryetari i atëhershëm Lulzim Basha mori vendimin për ta përjashtuar atë nga grupi parlamentar i PD-së, çka çoi në përçarjen më të thellë historike të së djathtës.

Debati për “non gratën” në prag të zgjedhjeve të 2025

Çështja e “non gratës” mbeti një nga temat kryesore të përplasjes politike edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, që sigurisht u shfrytëzua nga mazhoranca për ta minuar forcën e kampit blu. 

Kryeministri Edi Rama ishte ndër të parët që ka reaguar asokohe për masën ndaj Berishës, duke e cilësuar ngjarjen një "turp kombëtar".

"Non gratën e kam konsideruar turp të madh kombëtar, për të gjithë Shqipërinë dhe për mua. Sikur të mos kishte ndodhur do kishte qenë 100 herë më mirë, për të gjithë bashkë", shprehej Rama gati një muaj para zgjedhjeve të majit 2025.

Ndërkohë, gjatë fushatës pati edhe diskutime dhe aludime për mundësinë e heqjes së masës amerikane ndaj Berishës. Rama i shoqëroi këto pretendime me ironi.

"Kjo historia që do hiqej në janar, shkurt, mars e prill, ta shohim. Mos më qani hallin mua", shprehej Rama referuar aludimeve për heqjen e non gratës ndaj Berishës. 

Gjatë fushatës, dukej sikur opozita po luftonte më shumë për 'çlirimin' e Berishës nga masa e 'non gratës' se sa për të fituar zgjedhjet. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, Partia Demokratike do të deklaronte një 'fitore' të përkthyer nga një postimi në "X" nga një gazetar amerikan, i cili pretendonte se kishte komunikuar me një përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe se ka marrë një përgjigje se kryedemokrati Sali Berisha mund të udhëtonte drejt SHBA-ve.

Si duket, ajo që nisi dhe u aludua një vit më parë, sot po bëhet realitet...

Kthesa e verës 2026: Heqja zyrtare e "non gratës" 

Gjithçka ndryshoi gjatë verës së vitit 2026, ku shënua një kthesë e papritur. Më 11 qershor, Departamenti i Shtetit anuloi zyrtarisht masat kufizuese ndaj Berishës, duke i hequr statusin e papërshtatshmërisë për hyrje në SHBA.

Kryedemokrati nuk e konsideroi një fitore personale, por si një triumf për të gjithë demokratët që qëndruan krah kauzës: "Ky vendim është gjithashtu një shpërblim i madh për të gjithë ata demokrate e demokratë që në kushtet më të pazakonte qëndruan për kauzën e drejtë, qëndruan për të vërtetën, e cila vonon, por nuk harron. Ky vendim nxjerr edhe njëherë para shqiptarëve dhe botës, fytyrën e shëmtuar të atyre që morën përsipër një akt të tillë, që vendimet politike të godisnin opozitën konservator në Shqipëri."

Ndërsa Rama, nga ana tjetër, e konsideroi lajmin për lajmin si një "trushpëlarje": "Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve".

Berisha pajiset me vizë dhe përgatitet të udhëtojë drejt SHBA-së

Më 31 gusht, kryetari i PD u raportua se është pajisur me vizë amerikane, ndërsa sot Berisha është gati të niset për në SHBA.

Nga Rinasi, Berisha nuk fshehu entuziasmin, ku dha detaje për udhëtimin e tij. Ai u shpreh se do të marrë pjesë në konferencën e Partisë Republikane Amerikane. Në një tur që do të zgjasë për rreth një jave, Berisha do të marrë pjesë në disa aktivitete të planifikuara, në një vizitë që pritet të zgjasë 7 ditë. Përveç Konventës Kombëtare Republikane, që do të zhvillohet në Dallas më 9 dhe 10 shtator, Berisha do të zhvillojë edhe dy takime me komunitetin e shqiptarëve në dy lokacione të ndryshme. Takimi i parë i kreut të PD, nis të dielën në datën 6, në New York, të martën, në datën 8, në Texas.

Kështu...pas vitesh përplasjesh, debatesh dhe akuzash mes palëve, udhëtimi i Berishës drejt SHBA-së shënon një kapitull të ri dhe mbyll zyrtarisht kalvarin 5-vjeçar të “non gratës” të liderit demokrat dhe marrëdhënieve të tij me Amerikën./ZËRI

Poll

MOS HUMB