
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka kometuar zgjedhjen e Rigels Rajkut, të njohur si Noizy, për të kënduar këngën e fushatës së Partisë Socialiste. Vendim ky, në një kohë kur qeveria e drejtuar prej tij bllokoi aksesin në rrjetin social TikTok pikërisht për shkak të videove të dhunshme që promovohen aty.
Rama u shpreh në “Off the Record” në A2CNN se nuk e njeh reperin si një person të dhunshëm, por si një djalë të talentuar. Kreu i qeverisë theksoi se nuk jemi në një vend ku t'iu mbyllet goja këngëtarëve.
“Ai nuk është personi, ai është personazhi. Pra personazhi paraqitet në atë rrymë muzikore e cila ka ato karakteristika. Dhe ne nuk jemi akoma një vend ku t’iu mbyllim gojën këngëtarëve. Për mua pala tjetër ka vetëm një melodi, që është kua-kua-kua, melodia e kënetës. Ndërkohë që për sa i përket personit, është një njeri që nuk e njoh fare për të dhunshëm, por një djalë shumë i talentuar, por krejtësisht i këndshëm në bisedë. S’kam parë asgjë tjetër veç tyre”, tha Rama.
I pyetur nëse do të kërkonte mbylljen e TikTok nëse do të kishte qenë në opozitë, Rama u përgjigj: E mbyllëm TikTok me kërkesën e 95% të prindërve dhe mësuesve të Republikës së Shqipërisë.