
TIRANË-Shifra kontradiktore janë raportuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, sa i përket votës së diasporës, ku numri i votave të numëruara për çdo Qark ka rezultuar më i lartë, se sa numri i zarfeve të raportuara nga KQZ që kanë ardhur në Shqipëri. Në një prononcim për Euronews Albania, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se të dyja shifrat janë të sakta, por sipas tij shifra më e ulët tregon shifrën e zarfave të skanuar, ku mungon zarfi B. Sipas tij, fajet i kanë emigrantët që nuk i kanë bërë dërgesat siç duhet.
“Numrat që janë aty janë shifra të vërteta, por pasqyrojnë të dhëna që nuk janë në kontradiktë me njëra tjetrën. Numri i fletëve të votimit të vlerësuara, me shifrën që rezulton si më e ulët në faqen e internetit të KQZ, kjo e fundit ka të bëjë me ato zarfa që janë të administruar në sistemin elektronik të KQZ në mënyrë automatike. Por ka jo pak dërgesa të votuesve shqiptarë në KQZ që nuk janë bërë në mënyrën e duhur. E kanë dërguar fletën e votimit të futur në zarfin A dhe jo në zarfin B, por si votë ka mbërritur në KQZ”, – tha Celibashi.
Ndërkohë ka përfunduar numërimi i votave të diasporës sa i përket subjekteve politike për të 12 Qarqet e vendit. Partia Socialiste arriti të fitojë 83 mandate, ndërsa Partia Demokratike vetëm 50 mandate. Deputetë do të futen në Kuvend edhe nga partitë e vogla dhe të reja, ku 3 mandate u fituan nga Partia Social-Demokrate e Tom Doshit, 2 mandate nga Partia Mundësia e Agron Shehajt, dhe nga një mandat secila “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit./ZËRI