TIRANË- Debati për pasuritë e biznesmenit Ermal Beqiri në Francë, për të cilat SPAK ka kërkuar sekuestro, është rikthyer në vëmendje, pas deklaratave të ministrit Blendi Gonxhja.
I ftuar në një studio televizive në "MCN Tv", Gonxhja është shprehur se biznesmeni Beqiri nuk duhet të identifikohet vetëm me tenderat e AKSHI-t, duke theksuar se ai ka pasur edhe aktivitete të tjera. Lidhur me këtë, Gonxhja thotë se investimet e biznesmenëve shqiptarë jashtë vendit nuk janë diçka e pazakontë.
Për më tepër, për ministrin nuk përbën habi as kështjella luksoze me vlerën 2.6 mln euro, e sekuestruar në Francë. Sipas ministrit, çmimi i kështjellës nuk është i jashtëzakonshëm, pasi është më i ulët se çmimi i disa vilave luksoze në jug të Shqipërisë dhe në rrethinat e Tiranës.
“Këtu nuk ka asnjë lloj lajmi se në funksionin e tij, pra një njeri i cili ka punuar, se ai nuk është marrë vetëm me tendera, është marrë me një aktivitet të tërë, ka plot bizesmenë të cilët mund të investojnë edhe jashtë shtetit. Ta zhveshim nga kjo pjesa e narrativës që.. po ne na bën përshtypje që qëllon ky pikërisht si biznesmen që ka marrë këtë kështjellën diku në Francë, që çmimi ishte më i lirë se një pjesë e mirë e vilave më të shtrenjta elitare në jugun e vendit apo në rrethinat e Tiranës”, ka deklaruar Gonxhja.
Ermal Beqiri u arrestua në Francë më 24 korrik. Gjykata franceze i caktoi masën e përkohshme "arrest me burg" me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Biznesmeni u prangos fillimisht nga forcat ajrore franceze, pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly në Seine-Maritime. Beqiri ndodhet në paraburgim në Francë me vendim të autoriteteve franceze, ndërsa autoritetet e vendit tonë kanë ndërmarrë hapin e radhës për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Drejtësia franceze duhet të përfundojë procedurat që lidhen me veprat penale për të cilat Beqiraj dyshohet se i ka kryer në territorin francez.
Ne emër të tij janë zbuluar një sërë pasurish, llogari bankare dhe një kështjellë me vlerë 2.6 milionë euro, për të cilat SPAK ka kërkuar sekuestrimin.
ZËRI ndau pamje nga kështjella 'Château d'Auteuil', një rezidencë e ndërtuar në shekullin XVI, e cila raportohet se ka përfituar gjithashtu fonde nga Bashkimi Evropian dhe autoritetet lokale franceze për restaurimin dhe zhvillimin e saj si destinacion turistik, ndërsa është përfshirë edhe në guidat e Figaro Magazine si një nga rezidencat historike të rekomanduara për akomodim në Francë.
Ndërkohë, në Shqipëri janë sekuestruar një sërë pasurish, mes tyre prona në Green Coast në Vlorë, pasuri në zonën e "Hoxha Tasim" dhe Rolling Hills në Tiranë, një apartament në Golem, jahti "Skyfall", disa automjete, llogari bankare, si edhe aksione në shoqëri tregtare. /ZËRI