TIRANË- Partia Demokratike ka nisur këtë të shtunë negociatat për të zgjehdur kandidatin që do të garojë përballë Ogerta Manastirliut në zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë së Tiranës. Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti u mandatuan nga Sali Berisha për të negociuar edhe me aleatët për një kandidaturë unifikuese. Burime bëjnë me dije se aleatët e parë që PD nis takimet për zgjedhjet e parakoshme në Tiranë janë Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane dhe Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste.
Takimi po mbahet në një nga hotelet e kryeqytetit, ku rastësia bëri që në të njëjtin ambient të ndodheshin dhe socialistët dhe demokratët duke bërë përgatitjet për garën e Tiranës. Zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe kandidatja e socialistëve për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, u panë duke kaluar në ambientet ku po mblidheshin demokratët. Ata janë shprehur për kamerat shkurtimisht: "Ne e kemi kandidaten tonë".
Këshilli i Ministrave miratoi më 25 shtator shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës, vendimi i parë i marrë nga qeveria 'Rama 4'. Më herët, Këshilli Bashkiak miratoi propozimin për shkarkimin e Veliajt, i arrestuar më 12 shkurt, me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë. Megjithatë, pritet të shihet nëse Veliaj do ta çojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese, pasi një veprim i tillë do të bllokonte çdo procedurë të ndërmarrë deri më tani për shkarkimin e tij, gjithashtu edhe mbajtjen e zgjedhjeve./ZËRI