
TIRANË-Partia Socialiste ka miratuar shtyrjen e afatit të regjistrimit në platformën PER për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, por vetëm për ata që aktualisht janë regjistruar si aplikantë të refuzuar në sistem. Njoftimi vjen pasi Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi se data 9 mars mund të jetë afati i fundit, pasi duhet shpallur lista paraprake. Celibashi ofroi një formulë të mesme, që KQZ të mos pranojë më kërkesa të reja, por të ndihmojë përtej afatit të bëjnë aplikim të saktë, 42 mijë personat që deri më tani janë refuzuar.
Elena Xhina, përfaqësuesja e socialistëve pranë KQZ deklaroi se afati nuk ka përse të shtyhet për të gjithë emigrantët, por të ndihmojnë vetëm ata që kanë shprehur vullnetin për të votuar, por që kërkesat u janë refuzuar për shkak të mangësive gjatë aplikimit.
REAGIMI:
Duke marrë në konsideratë faktin se këta shtetas i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për regjistrim; e kanë shprehur vullnetin e qartë brenda afatit të deklaruar; janë në një numër të konsiderueshëm (42,000); kanë aktualisht një llogari të hapur në sistem dhe u është njohur e drejta e riaplikimit pavarësisht të qënit të refuzuar; shtyrja me disa ditë e afatit mund tu krijojë atyre shansin e fundit për të korrigjuar mangësitë dhe konfirmuar regjistrimin. Partia Socialiste thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER. Falë angazhimit të KQZ-së por dhe forcave politike me fushatën e gjërë të informimit, vlerësojmë se ka qenë koha e mjaftueshme që çdo shtetas i interesuar të bëhej pjesë e procesit brenda datës 4 Mars. Çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vet logjikën e afateve në një proces të tillë. Ndërkohë, dhënia e kohës shtesë për ata aplikantë që janë të refuzuar në sistem, do ti shërbente shterrimit të të gjitha mundësive që vullneti i tyre për tu bërë pjesë e procesit të mos shkonte dëm!
Platforma online "PER" u hap më 11 janar për të pritur aplikimet e emigrantëve që duan të regjistrohen si votues nga jashtë. Deri më tani, janë 270 mijë kërkesa nga diaspora, ku janë pranuar 218 mijë dhe janë refuzuar 42 mijë. Zarfi me fletën e votimit do të dërgohet në diasporë, në fillim të prillit./ZËRI