TIRANË- Deputeti Agron Shehaj është përjashtuar nga seanca plenare, pas një debati me tone të ashpra me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Ministri Malaj ngriti akuza ndaj Shehajt për çështje që lidhen me aktivitetin e tij, duke kërkuar shpjegime publike mbi transferimin e fitimeve dhe lidhjet me kompani të regjistruara jashtë vendit.
Nga ana tjetër, Shehaj iu përgjigj ministrit Malaj me një gjuhë të ashpër dhe fyese. Pas disa paralajmërimeve Shehaj është përjashtuar nga seanca plenare.
Pjesë nga debati:
Ministri Malaj: Dua t’u deklarosh shqiptarëve se si, me kompanitë e tua, ke zgjedhur që të mos deklarosh mënyrën se si i transferon fitimet e tua jashtë këtij vendi dhe je gati të paguash gjobën e të mos japësh informacionin që të kërkohet nga Administrata Tatimore?
Dua që të vish këtu e t’u tregosh të gjithë shqiptarëve se cila është lidhja jote, e bashkëshortes tënde dhe e vëllait tënd, me 17 kompani të hapura jashtë Shqipërisë?
Pyetja ime ishte përse këto 2 kompani, të lidhura me bashkëshorten dhe vëllain tënd, refuzojnë të japin informacion për mënyrën se si transferojnë fitimet jashtë këtij vendi? Personi që shfrytëzon shqiptarët dhe që nuk paguan asgjë në këtë vend, po ka zgjedhur të paguajë taksa jashtë vendit. Po të duash, mund të të kaloj të 17 kompanitë dhe kush është administrator i këtyre kompanive të regjistruara jashtë këtij vendi”.
Shehaj: Si në kohën e komunizmit, merreni me familjen time, po s’ju vjen turp fare? Po një qytetari të thjeshtë, çfarë i bën ti more maskara? Çfarë i bën? Më thuaj? I dërgon policinë? Më kërcënon haptas, si guxon? Si guxon, maskara. Je maskara, je një maskara, palaco, hajdut.
Ngjarja ka shkaktuar tension në sallën e Kuvendit, ndërsa seanca ka vijuar më pas me rendin e ditës./ZËRI