Politikë

PD denoncon: Persona të shpallur në kërkim, po kërkojnë vota për PS! Kërcënime ndaj të burgosurve

Ai renditi gjetjet kryesore gjatë fushatës elektorale, ku ndër to theksoi edhe kërcënimet dhe presionet ndaj të burgosurve.

F.I

PD denoncon: Persona të shpallur në kërkim, po kërkojnë

TIRANË-Drejtuesi politik i PD për Krujën Gent Strazimiri ka ngritur alarmin për një sërë parregullsish dhe shkeljesh të rënda që, sipas tij, po minojnë integritetin e zgjedhjeve të 11 majit. Në një konferencë për shtyp, Strazimiri tha se persona të shpallur në kërkim janë përfshirë në mbledhjen e votave për Partinë Socialiste. Ai renditi gjetjet kryesore gjatë fushatës elektorale, ku ndër to theksoi edhe kërcënimet dhe presionet ndaj të burgosurve.

Gjetjet kryesore janë:

        •       Mospërputhje masive në listat e zgjedhësve: janë 520.873 shtetas të regjistruar me të dhëna të pasakta ose të paplota të adresës, duke i kthyer në zgjedhës “shëtitës”, që do të thotë në dispozicion nga një qëndër në tjetrën pa u identifikuar, që të mund të votojnë disa herë në shumë qendra votimi, në kundërshtim me kërkesat ligjore për banim të përhershëm.

        •       Janë 133 individë që kanë hequr dorë zyrtarisht nga shtetësia shqiptare, por vazhdojnë të figurojnë në listat zgjedhore brenda vendit; 5 prej tyre janë të regjistruar edhe për të votuar jashtë vendit, pra kemi dublim, që tregon regjistrim të dyfishtë dhe mundësi për votim të dyfishtë.

        •       127 qytetarë janë të regjistruar si votues si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, që përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kodit Zgjedhor.

Në këtë burg të madh që është kthyer Shqipëria tashmë, kemi dhe ato burgjet që janë zyrtare, edhe aty, sigurisht, ka problematikat e veta. Janë 1.271 të burgosur të regjistruar si votues në qendra të veçanta votimi, ndonëse nuk e kanë vendbanimin zyrtar aty, por në lokacione të tjera.

Kjo përbën shkelje të dyfishtë të nenit 26 të Kodit Zgjedhor, i cili kërkon në mënyrë eksplicite që votuesit të jenë të regjistruar në zonën ku banojnë.

Sigurisht i keni parë dhe janë publikuar edhe në rrjetet sociale kërcënime dhe presione ndaj të burgosurve, me dëshmi dhe ankesa të shumta që tregojnë për presione dhe frikësim të tyre, që u thuhet se do të keqtrajtohen ose transferohen nëse nuk votojnë për Partinë Socialiste.

Këto veprime përbëjnë shkelje serioze të parimeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe ngrenë shqetësime të thella për përdorimin e sistemit penitenciar për qëllime politike.

Kemi modele të dhënash që sugjerojnë patronazhim dhe manipulim:

        •       Janë 1.483 aplikime për regjistrim që vijnë nga e njëjta adresë IP dhe janë evidentuar në sistemin e regjistrimit të votuesve emigrantë, që sugjerojnë veprimtari të orkestruar dhe mundësi manipulimi të votës së diasporës.

        •       Sistemi ka dështuar në verifikimin e adresave të shtetasve jashtë shtetit, duke rezultuar në refuzimin e shumë aplikimeve legjitime pa një arsye të qartë.

Të gjitha këto, ia kemi përcjellë hap pas hapi, ditë pas dite, minutë për minutë, misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it. I falënderoj për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin që kanë treguar, si dhe për impenjimin për të ndjekur rast pas rasti edhe në terren edhe ditën e zgjedhjeve, secilin prej denoncimeve tona.

Të njëjtën gjë nuk mund ta themi për Strukturën e Posaçme të Prokurorisë, e cila vazhdimisht kthen përgjigje negative, me kërkesa që ne nuk mund t’i zbatojmë dhe që nuk janë aspak ligjore, në lidhje me persona të identifikuar që merren me shitblerjen e votës, që janë në kërkim ose punojnë në administratë, të identifikuar me emër, mbiemër, me numra telefoni, me adresë banimi, me territorin ku po veprojnë, dhe kudo tjetër.

Gjithsesi, siç e thamë edhe një herë, me bindje të plotë që ky proces është i pandalshëm, procesi i ndryshimit të kësaj bande që ka kapur shtetin është i pandalshëm. Dhe garancia për këtë janë, siç e thashë dhe më herët, dhe më duhet ta ritheksoj këtë fakt, bashkëpunimi i qytetarëve pa anonimat, haptazi, duke i denoncuar emër për emër. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në momentin e fundit, duke i publikuar gjithashtu në “murin e zi”, name and shame, të atyre terroristëve elektoralë të lidhur me qeverinë.

Poll

MOS HUMB