TIRANË- Kryetari i demokratëve, Sali Berisha, është ndalur në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Parlamentetit, pasi përfundimit të seancës plenare. Berisha ka deklaruar se pas një kohe relativisht të gjatë, PD do të rikthehet te protestat. Lideri demokrat shtoi se 'narko diktatura' siç ai e quan, nuk ikën më vota dhe protestat mund të jenë rruga e vetme, megjithatë nuk ka ende një datë se kur mund të rinisin.
“Narko-qeveria dhe programi i saj u votua në errësirë të plotë. Rruga e vetme mbetet vendosmëria qytetare, protestat kundër këtij grupi mafioz. Sapo ta kem datën, do ta komunikoj”, u shpreh Berisha pas daljes nga Kuvendi.
Gjithashtu, Berisha nuk u shpëtoi pyetjes së gazetarëve në lidhje me zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës. Ndërsa lidhur me një emër potencial përballë Ogerta Manastirliut, ai tha se PD ka jo një, por disa kandidatë.
“Opozita ka jo një, por disa kandidatë të pakrahasueshëm me korbën e korrupsionit. Ka dy taktika, por ka dy qëndrime. Taktika e bojkotit, qe kërkon lëvizje guerile.”, tha ai.
Në seancën e sotme plenare u miratua lista e anëtarëve të 11 komisioneve të përhershme parlamentare ku 94 deputetë votuan pro, 1 kundër dhe ndërsa abstenuan demokratët Luçiano Boçi, Gent Stazimiri dhe Elda Hoti. Po ashtu, edhe procesverbali i seancës së kaluar është miratuar vetëm me votat e mazhorancës pasi opozita nuk ka pranuar të votojë pro për shkak të kundërshtive./ZËRI
