Politikë

PD u jep aleatëve 7 deputetë në listat e sigurta, PL&Meta marrin 4, me PDIU "futet" vetë Berisha

3 ditë para se Komisioni Qendor i Zgjedhjeve të mbyllë afatin për koalicionet, Partia Demokratike duke se ka një marrëveshje.

k.m.

PD u jep aleatëve 7 deputetë në listat e sigurta, PL&Meta
Sali Berisha dhe Ilir Meta

TIRANË- Partia Demokratike i ka mbyllur negociatat! Ka vetëm 7 vende nga lista e sigurtë për t'u dhënë aleatëve, por duket se më "problem" është bindja e Shpëtim Idrizit dhe PDIU-së. 3 ditë para se Komisioni Qendor i Zgjedhjeve të mbyllë afatin për koalicionet, Partia Demokratike duket se ka një marrëveshje. Edhe pse ende nuk e ka bërë publike. Madje lideri i opozitës, Sali Berisha u tregua hermetik në konferencën e fundit për shtyp ku nuk pranoi të jepte detaje nga negociatat. Por premtoi se do të jenë në përputhshmëri me rezultatin e zgjedhjeve. 

"Top Channel" ka mësuar se personi që i ishin besuar negociatat, Flamur Noka, ka arritur që të bjerë dakord për 4 vende me Partinë e Lirisë dhe presidentin e saj, Ilir Meta. Edhe pse është në ambientet e paraburgimit të 313-ës, Meta ka kërkuar të jetë pjesë e listave të sigurta. Teksa ai do të kandidojë në Tiranë, në Korçë ka një vend për Tedi Blushin; në Elbasan për Edmond Haxhinaston dhe në Fier për Erisa Xhixhon. Edhe pse kërkesa fillestare ishte për 6-7 vende në listën e mbyllur, duket se demokratët nuk kanë pranuar që të japin dyfishin e emrave që aktualisht kjo forcë politike ka në sallën e Kuvendit.

Aleatët e tjerë janë të "kënaqur" me nga një vend. Fatmir Mediu me Partinë Republikane e ka një vend në Tiranë, Vangjel Dule në Vlorë, ndërsa Agron Duka kërkoi një 'pasardhës' tijin në Durrës. Kjo sepse vetë e ka bërë me dije se nuk do të garojë më për një tjetër mandat. Megjithatë ende nuk e ka zbuluar emrin e personit që do të "delegojë" në sallën e Kuvendit. Më shumë 'dhimbje koke' po shkakojnë negociatat me Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Nëse për të tjerat ka diskutuar vetë Noka, me Idrizin është ulur edhe kryedemokrati Sali Berisha. 

Kjo sepse nga 3 emra në Kuvend, Idrizi kërkon 2 deputetë të sigurtë, me shumë gjasa kërkon një vend për veten dhe për Mesila Dodën; por PD është e gatshme vetëm për një. Për këtë çështje, Berisha dhe Idrizi diskutuan për më shumë se 1 orë në Kuvend, por se cili është përfundimi i atij diskutimi, mbetet që të zbulohet nga vetë opozitarët.

Por edhe pse kishte premtuar koalicionin më të madh kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, demokratët nuk ia kanë dalë. Asnjë nga partitë e reja nuk i është bashkuar fontit. Dashamir Shehi ka zgjedhur që të qëndrojë me "Djathtas 1912", por megjithatë Enkelejd Alibeaj nuk ka qenë i mirëpritur në kampin blu. Edhe Lulzim Basha me "Euro-atlantikët" e tij gjithashtu. Ndërsa Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani zyrtarizuan koalicionin për zgjedhjet parlamentare me emrin “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Të tjerët duket se do të jenë të vetëm. Megjithatë, kanë edhe 3 ditë kohë për të menduar dhe për të vendosur./ZËRI

Poll

MOS HUMB