
TIRANË-Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka kërkuar përjashtimin e anëtarit të PS Ilir Rusmaili ndërsa po shqyrtohet ankimimi i bërë për rezultatin zgjedhor në Shkodër. Por, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar ankesën e Partisë Demokratike për të përjashtuar anëtarin e kësaj trupe.
“KAS pasi shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga pala ankuese e rrëzoi këtë pasi nuk jemi në kushtet e parashikuara nga neni 130 i kodës së procedurës administrative”,- tha relatori i çështjes, Ervin Lako.
Përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu ka depozituar në Komisionin Qëndror të zgjedhjeve, kërkesën ku thuhet se Rusmali është në kushte njëanshmërie për shkak të pozicionit të tij në presidencë. Sipas PD, prania e tij në KAS, teksa ushtron edhe detyrën e këshilltarit ligjor të Bajram Begajt, paraqet një sërë problematikash të natyrës kushtetuese dhe ligjore, duke filluar nga fakti se ndërhyrja e institucionit të presidentit, bie ndesh me nenin 86 të kushtetutës.
“Ky anëtar, sipas dokumentit, për shkak të funksionit zyrtar që mban pranë Presidentit të Republikës, si dhe vendimmarrjeve të ndërmjetme lidhur me ankimet tona të mëparshme, ashtu edhe fjalëve edhe shprehjeve që ka përdorur në raport me përfaqësuesin ligjor të ankuesit, vlerësojmë se është në kushte njëanshmërie dhe si i tillë duhet të përjashtohet nga shqyrtimi i kërkesë ankimore, objekt shqyrtimi ne këtë procedurë administrative”,-thuhet në kërkesën e PD dorëzuar në KAS.
Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ka kërkuar Presidentit të Republikës Bajram Begaj që të mos ndërhyjë përmes kabinetit të tij, në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Duke ju referuar rastit të anëtarit të KAS Ilirjan Rusmali, që rezulton njëkohësisht të jetë edhe Këshilltar Ligjor i Presidentit të Republikës, Bardhi sqaron ne një shkrese të tre ditëve me parë se angazhimi i Kabinetit të Presidentit në procesin e administrimit të zgjedhjeve nënkupton që Institucioni i Presidentit të Republikës po cenon rëndë parimin e neutralitetit dhe përfaqësimit të unitetit të popullit.
Akuzat nga opozita erdhën në mbledhjen e KAS, ku po diskutohej për Kukësin.Demokratët pretendojnë parregullsi të shumta, duke dorëzuar pothuajse të njëjtën dinamikë provash si në rastet e tjera. Anëtari i KAS, Ilir Rusmali debatoi me juristin e PD-së Marash Logu, që kërkoi pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Dibër. Logu kërkoi hapjen e kutive te KZAZ 18 në Bulqizë, pasi nga pamjet filmike kanë konstatuar parregullsi, ndërsa anëtari i KAS tha se pamjet nuk vihen bruto në dispozicion. Debati agravoi edhe në ofendime mes tyre, ku Logu u shpreh se do të kërkonte përjashtimin e antëtarit të KAS, madje e akuzoi për konflikt interesi.
Gjithsesi, duket se argumentet e PD-së nuk janë marrë për bazë nga anëtarët e tjerë të KAS. PD-ja pritet që të vijojë të kërkojë përjashtimin e Ilirjan Rusmalit për të gjitha kërkesat ankimore të saj./ZËRI