Politikë

Programi qeverisës u miratua pa debat, Rama: Shkeljet nga opozita do mbyllin seancat!

Rama ka paralajmëruar opozitën se shkeljet e sharjet do të çojnë automatikisht në përfundimin e parakohshëm të seancave parlamentare.

F.I
Programi qeverisës u miratua pa debat, Rama: Shkeljet nga opozita do
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mbylljes së seancës maratonë për vetëm 25 minuta. Kuvendi miratoi mes tensioneve dhe bojkotit të opozitës, programin qeverisës dhe kabinetin. Në postimin e tij në Facebook, Rama ka paralajmëruar opozitën se shkeljet e sharjet do të çojnë automatikisht në përfundimin e parakohshëm të seancave parlamentare.

Edi Rama: 83 mandatet e 11 majit për ne, janë ndër të tjera edhe një detyrim për të respektuar zgjedhësit e palës tjetër, duke u dhënë përfaqësuesve të tyre në Kuvend të gjithë hapësirën për të folur, po edhe një detyrim ndaj zgjedhësve tanë për t’i vënë një kufi të pakalueshëm kujtdo që përdor duart, këmbët, trupin si argument dhe zhurmën e sharjet e rrugës si alternativë opozitare. Mjafton që të respektohet ai kufi, i cili është kufiri etik i çdo parlamenti të Bashkimit Europian dhe opozita do të ketë e papenguar të gjitha hapësirat e saj në sallën e Kuvendit apo në komisionet parlamentare. Ndërsa shkelja e atij kufiri për të vazhduar avazin e traditës anti-demokratike të pengmarrjes së Kuvendit, do të çojë automatikisht në hapjen e procesit të votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës.

Seanca e sotme ishte parashikuar të zgjaste për më shumë se 24 orë, për shkak se të gjithë deputetët do të merrnin fjalën, për të diskutuar mbi programin qeverisës. Opozita pengoi fjalën e kryeministrit, i cili sipas rregullores hap seancën maratonë dhe më pas pasojnë të tjerët. Shkak për eskalimin e tensioneve u bë fjala e ministres artificiale Diella, e cila u vendos nga kryeministri. Në këto kushte u hap votimi, ku programi u miratua vetëm me votat e mazhorancës. 

Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili mbërriti me vonesë në Kuvend, pasi socialistët kishin votuar, u shpreh se Rama e ka poshtëruar parlamentin, dhe se duhet një reagim kombëtar kundër tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB