LIVE UPDATES

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh 'këneta'! Berisha: Me ne, Shqipëria do lulëzojë!

➤ Protesta e parë e këtij viti për opozitën është mbyllur në më pak së një orë! ➤ Tubimi nisi rreth orës 17.30 dhe zgjati thuajse 1 orë e gjysmë. ➤ Edhe pse ishte premtuar si protesta më e fuqishme deri më tani, u mbyll vetëm me fjalime dhe disa incidente me kapsolla. ➤ I vetmi incident që raportohet është se janë lënduar 3 efektivë, prej hedhjes së mjeteve piroteknike. ➤ Edhe pse nga burgu, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta me anë të një audiomesazhi iu drejtua protestueve ku iu bëri thirrje që bashkë me emigrantët të votojnë në 11 maj për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. ➤ Ndërsa Berisha premtoi se me ardhjen e PD në pushtet, Shqipëria do të lulëzojë. Po ashtu, nuk i kurseu akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. ➤ Pas përfundimit të tubimit, protestuesit u shpërndanë në paqe, ndërsa Berisha u nis për të takuar emigrantët shqiptarë në Romë. ➤ Si rrallë herë edhe kryeministri Edi Rama e komentoi me ironi tubimin, disa orë para nisjes.

12 artikuj për këtë temë.
4 MUAJ ME PARE

Protesta e opozitës, VOA: Lufta e brendshme ka prodhuar një fragmentarizim të PD

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
Foto ilustruese

Në Shqipëri, opozita iu rikthye të shtunën pasdite protestave, por duke u mbledhur, në ndryshime nga më parë, vetëm përpara godinës së qeverisë. Përpara disa mijëra mbështetësve të tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, renditi një seri akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama dhe afera korruptive të qeverisë së tij, duke u mbështetur më së shumti dhe në deklaratat publike të ish zëvendëskryeministrit socialist Arben Ahmetaj, nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme dhe prej më shumë se një viti e gjysëm në arrati.

Ndërsa vendi ndodhet gati 3 muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare, Berisha shfrytëzoi fjalën e tij për të shpalosur disa nga pikat kryesore të programit të opozitës.

“Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera”, deklaroi ai.

Opozita hyn në këto zgjedhje, pas një periudhe të gjatë, gati traumatike përçarjeje. Ndonëse Berisha, arriti të rimerrte kontrollin e Partisë Demokratike, lufta e brendshme ka prodhuar megjithatë një fragmentarizim të saj, me disa forca të reja politike që kanë rrjedhur nga rradhët e partisë Demokratike. Pavarësisht peshës së tyre elektorale, që mbetet për t’u provuar, sistemi zgjedhor penalizon shpërndarjen e votave. Nga ana tjetër, një ndër aleatët e PD, Partia e Lirisë, vuan pasojat e arrestimit të drejtuesit të saj, ish presidentit Ilir Meta, i dyshuar për “korrupsion e pastrim parash”. Ai përshëndeti protestën përmes një mesazhi audio nga burgu.

Berisha, ndonëse deklaroi se partia e tij është më e bashkuar se kurrë, i mëshoi nevojës që të gjitha forcat opozitare të jenë nën një ombrellë të vetme, në zgjedhje. “Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës.Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët”, deklaroi Berisha.

Ai pati dhe një thirrje për atë që njihet si elektorati gri.

“Mos harroni që, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës. Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare”, u shpreh Berisha.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, të cilat ishin karakterizuar nga akte force dhe përplasje me policinë, këtë herë gjithshka shkoi paqësisht. Gjatë protestës, pati vetëm hedhje të shashkave, nga të cilat mësohet se tre punonjës policie u lënduan lehtazi.

Parpara nisjes se protestës, kryeministri Edi Rama shpërndau një postim rrjetin social “X”, ku me tone deniguese ndaj opozitës dhe drejtuesit të saj Berisha ai shkruant se “vetëm duke e braktisur kënetën e bufit stërplak, demokratët do të krijojnë hapësirë për rilindjen e një opozite politike të denjë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, përndryshe humbjet vetëm do të thellohen edhe përtej 11 majit, kur protestuesit e sotëm do të jo vetëm të humbur për të dhjetën herë radhazi, po edhe me diferencën më të thellë me Partinë Socialiste, qysh nga viti 2013”./VOA

4 MUAJ ME PARE

UPS! Berishës për pak i bie flamuri nga dora

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh

 

4 MUAJ ME PARE

Përfundon protesta, Berisha niset drejt Italisë

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
Sali Berisha

TIRANË-Protesta e opozitës ka përfunduar me fjalimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Kreu i PD është nisur për në aeroportin “Nënë Tereza”, për të shkuar në Romë, ku do të zhvillojë takime me diasporën për zgjedhjet e 11 Majit. Protesta e nisur rreth orës 17:30 u mbyll pas rreth 1 orë e 44 minuta.

Berisha ka folur rreth programit që do të krijojë Partia Demokratike duke theksuar se një program i tillë do sjellë ndryshime të mëdha në Shqipëri, duke nisur që pas datës 11 maj. Programi përfshin rritjen e pensioneve, rritjen e rrogave, çmime më të ulëta si dhe uljen e tarifave, ku të gjitha këto sipas kreut të PD, do realizohen brenda një viti. Kreu i PD dha edhe një mesazh për zgjedhjet e 11 majit. Ai tha se duhet ta bëjnë natën ditë me qëllim që në zgjedhjet e 11 majit të korrin një fitore të thellë.

Para Berishës, një fjalim nga burgu mbajti edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Meta përcolli fjalën e tij përmes një audiomesazhi duke përshëndetuar fillimisht kryedemokratin Sali Berisha dhe po ashtu edhe ish-deputetin Ervin Salianji. 

Ndërkohë incidentet nuk munguan as në këtë protestë, ku tre efektivë police u lënduan gjatë tubimit të zhvilluar nga opozita sot para kryeministrisë. Në momentin që Berisha është ngjitur në podium për të mbajtur fjalën e tij, protestuesit kanë hedhur kapsulle dhe tymuese drejt Kryeministrisë./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

"Ramën do e paketoj për McGonigal-in"/ Nga protesta, Berisha sërish ofertë partive të reja: Të bashkohemi!

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh i bindur se opozita do korrë fitoren më të thellë ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në fjalën e tij, në tubimin e Partisë Demokratike para Kryeministrisë, Berisha përmendi edhe njëherë akuzta për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve ndaj kryeministrit Edi Rama, duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje çështjen e "McGonigal", që sipas tij do të sjellë fundin politik të kryesocialistit.

"Dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës. Çdo natë, në dy muajt e fundit, ai në ëndërr i del ishulli Riker. Atje do përfundojë, tek McGonigali. Iu garantoj ju se pas zgjedhjeve do e paketoj, të bëjë dënimin më pas të kthehet,"-tha Berisha, 

Në këtë protestë kombëtare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publike edhe pikat kryesore të programit qeverisës, ndërsa fjalën e tij e mbylli duket ftuar të gjithë partitë politike që e konsiderojnë veten opozitare, që të bashkohen në një front të përbashkët  për të mundur socialistët. 

"Të vazhdojmë betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj. Të bashkohemi! Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës. Ftoj të gjithë elektoratin gri: mos harroni gjë, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës. Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare,"-tha Berisha.

FJALA E PLOTË E BERISHËS:

Dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës. Çdo natë, në dy muajt e fundit, ai në ëndërr i del ishulli Riker. Atje do përfundojë, tek McGonigali. Iu garantoj ju se pas zgjedhjeve do e paketoj, të bëjë dënimin më pas të kthehet. Miqtë e mi! Ky nuk është një miting elektoral, por përsëri ne duhet të ndjehemi krenarë me programin tonë. Edi Ramën e ka tmerruar programi ynë. Edi Ramën e ka shfazuar programin ynë sepse ne me programin tonë kemi shembur piramidën e tij të mashtrimit. Me programin tonë kemi faktuar vjedhjet e tmerrshme që u ka bërë shqiptarëve. Edi Rama, i pashpirt, i la pensionistët shqiptarë në gjendjen më të mjerë që mund të jenë pensionistët në botë. Shumë prej tyre, me pensionin që marrin nuk blejnë dot as ilaçet e një jave. Dhe ka tre muaj që kalon nga një skenë në tjetër për t’i mashtruar ata. Sjell dëshmitarë të rremë me pashpirtësi. Ja ku jemi këtu dhe i themi çdo pensionisti se kurrë pas 11 majit, asnjë prej jush nuk do ketë më pak se 200 euro në muaj. Jo vetëm kaq, por çdo njeri prej jush do ketë kartën e konsumatorit për t’u kthyer TVSH-në, e cila është e barabartë me tre pensione. Mbaji për vete bonuset e mashtrimit elektoral Edi Rama. Ne do u kthejmë pensionistëve TVSH-në e të gjitha blerjeve ushqimore që bëjnë në një vit. Jo vetëm kaq, çmime krejt të tjera do kenë për qiratë në ndërtesat sociale, do kenë për ujë, drita. Dhe i garantoj ata se kjo përpjekje nuk do ndalet gjer sa të marrin pensionet më të mëdha në rajon. Programi ynë e ka tmerruar, e ka verbuar sepse ai program po nxjerr në dritën e diellit të gjitha mashtrimet e tij monstruoze. Ne u premtojmë të gjithë punëtorëve me rrogë të ulët, se në Shqipëri pas 11 majit, brenda 3 muajsh, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Dhe se ky do jetë pragu me të cilin do ecim drejt rrogës minimale më të lartë më rajon. Brenda vitit, rroga mesatare do jetë 1200 euro.

Miqtë e mi! Ne jemi parti e taksave të ulëta. Ne besojmë se paratë në xhepat e qytetarëve janë më të vlefshme për shoqërinë dhe qytetarin se në arkat e shtetit. Prandaj dhe biznesi i vogël, shikoni çfarë bën mashtruesi. Ua ka dhjetëfishuar taksat lokale. I garantoj bizneset e vogla se pas 11 majit, së pari do përgjysmohen, së dyti do ecet me shpejtësi drejt një të pestës së tyre. Energjia, që sot ato e paguajnë 18 deri 24 lekë, do jetë 3.2 herë më e ulët. Do jetë 7 lekë. Tarifat e sipërfaqeve të sipërmarrjeve të bizneseve do pjesëtohen me tre. Do ulen tre herë. Taksa e sheshtë 10 përqind për bizneset e tjera është zotimi ynë. Biznesi i vogël do paguajë gjysmën e asaj që paguan sot për sigurimet shoqërore. Miqtë mi! Shqipërinë jo do e ndryshojmë, por do e ndryshojmë me shumë shpejtësi. Shqipëria është në emergjencë, Shqipëria ka dhimbje, shqiptarët ndjejnë dhimbjen e skamjeve dhe mjerimit. Ne do i çlirojmë ato me shpejtësi. Fermeri shqiptar do subvencionet për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë, për çdo fidan. Pronarët dhe të përndjekurit do marrin shpërblimet e tyre. Pra, modelit të kleptokracisë, të vjedhjes, do i lëshojë vendin modeli i qytetarit të parë. Do i lëshojë vendin modeli ku në epiqendër do jetë qytetari me interesat e tij. Kjo e ka tmerruar Edi Ramën, por është i pashpresë. Të dashur miq! Nuk ishte ky mitingu i programit elektoral, por natyrisht pa shpallur këtu disa nga ndërhyrjet më emergjente që mund të bëjmë ne për të përmbysur situatën aktuale, nuk mund të ndaleshim. E vërteta është, mesazhi i fundit që unë kam për ju: tre muajt na ndajnë nga zgjedhjet. Fitorja varet nga ne. Fitorja, në rast se ne e bëjmë natën ditë, në rast se ne përkushtohemi, në rast se ne nuk harrojmë se jemi parti që bëmë të pamundurat, të mundura, ne do korrim një nga fitoret më të thella. Mos harroni se fitoret e arritura deri tani, ne i arritëm në kushtet më të jashtëzakonshme, më të vështira. Kurse tani që presidenti Donald Trump i ka prerë gjarprit në Uashington, Xhorxh Soros, e kuptoni ju apo jo çfarë do të thotë kjo. Era e desorosizimit, flladi i tij nga Uashingtoni po fryn në gjithë botën. Ju garantoj ju se nuk fiton kush më shumë nga kjo se shqiptarët, pasi u shndërruan në kopshtin eksperimental të dogmës, jo të Oruellit, por të Sorosit. Pra, edhe ne kemi programin tonë të desorofikimit të vendit, të rivendosjes në piedestal të familjes, vlerave të saj, të besimit tek Zoti, të interesit kombëtar. Shqipërinë e bëjnë shqiptarët dhe shqiptarët patriotë, atdhetarë. Ndaj të vazhdojmë ne betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj. Të bashkohemi! Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës. Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët. Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera.

Ftoj të gjithë elektoratin gri: mos harroni gjë, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës. Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare.

Regjimin që kreu gjenocid të butë duke përzënë 1 milionë shqiptarë në 10 vite, regjimin e Edi Ramës. E kemi detyrim madhor ndaj fëmijëve tanë, por edhe ndaj atyre që nuk i kemi më, të luftojmë dhe fitojmë. Dhe unë u garantoj se me punë, me vizion, me vendosmëri, me mbështetje mbarëshqiptare, me mbështetjen e miqve tanë, 11 maji do të jetë dita e fitores së thellë, fitores së madhe të opozitës shqiptare. Rrofshi ju, rroftë Shqipëri. Zoti e bekoftë Shqipërinë, flamurin e saj./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Incident gjatë protestës! Kapsulla në drejtim të Kryeministrisë, 3 efektivë përfundojnë në spital (FOTOT)

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
PAMJE NGA SPITALI

TIRANË- Tre efektivë të policisë së Shtetit janëparë duke u larguar nga protesta e opozitës. Në momentin që Berisha është ngjitur në podium për të mbajtur fjalën e tij, protestuesit kanë hedhur kapsulle dhe tymuese drejt Kryeministrisë. Kapsollet ranë mbi kordonin e policisë, që po mbron godinën e Kryeministrisë. Si pasojë, tre efektivë janë lënduar. 

Në videon më poshtë efektivja shihet teksa shoqërohet nga kolegët e saj. Siç duket edhe në pamje ajo dyshohet të jetë lënduar në sy, si shkak i tymueseve të hedhura nga protestuesit. Dy të tjerët janë dëmtuar në dorë dhe qafë.

"Si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike drejt punonjësve të Policisë janë lënduar tre punonjës policie, ( një punonjëse në sy, një punonjës në dorë e një tjetër në fytyrë). Tre punonjësit e policisë të lënduar janë dërguar në spital”, njofton policia.

Të tre efektivët po marrin ndihmën mjekësore në spital.

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh

Njoftimi i policisë:

Sot në mbrëmje, gjatë protestës së thirrur dhe organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, e mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike drejt punonjësve të Policisë, të vendosur me shërbim para selisë së Kryeministrisë, janë lënduar tre punonjës të Policisë së Shtetit.

Një efektive pësoi dëmtime në sy, ndërsa dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe dorë.

Punonjësit e Policisë janë shoqëruar menjëherë për marrjen e ndihmës së nevojshme në spital dhe ndodhen nën kujdesin e specializuar të mjekëve.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Shtetit po grumbullojnë të gjitha provat dhe pamjet filmike, për të identifikuar dhe përballur me drejtësinë autorët që dëmtuan punonjësit e Policisë, të planëzuar sipas planit të masave për mbarëvajtjen e tubimit të opozitës. Drejtori i DVP Tiranë, Drejtues Elton Alushi, dhe Zëvendësdrejtori i Rendit kanë vizituar punonjësit e lënduar në ambientet e spitalit, duke u siguruar që ata të marrin çdo ndihmë të nevojshme, në bashkëpunim me stafin mjekësor./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Meta audiomesazh në protestë: Përshëndes doktorin dhe zemërluanin Salianji!

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
Ilir Meta

TIRANË- Ashtu siç e kishte paralajmëruar, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka marrë pjesë në tubimin e sotëm të opozitës. Por sigurisht që jo fizikisht, pasi është ende në qelinë nr. 5 të burgut 313. Në tubimin e sotëm, Meta ka përcjellë mesazhin e tij përmes një audiomesazhi duke përshëndetuar fillimisht kryedemokratin Sali Berisha dhe po ashtu edhe ish-deputetin Ervin Salianji. Ndër të tjera në fjalën e tij, Ilir Meta iu bëri thirrje protestuesëve që bashkë me emigrantët të votojnë në 11 maj për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Po ashtu, nuk i kurseu as akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit. 

"Pse hesht Dumani për çështjen McGonigal që e ka kyçur në sirtar? Ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI- së në SHBA. Si shpjegohet që ka 2 vite që nuk e thërret njëherë Edi Ramën ta pyesi për McGonigalin edhe pse emri i tij del dhjetëra herë në procesin e McGonigalit dhe këtë e di e gjithë bota. Si shpjegohet që një ish-zyrtar i LSI-së, i cili ka firmosur për lobimet e ka qenë përgjegjës për financat, hyn te Dumani si opozitar e del nga Dumani si rilindas, e bën fushatë për Edi Ramën, ndërsa unë mbahem në burg për firmat e tij. Se ky është SPAK-u, inkuinzitor për opozitarët e pashantazhueshëm dhe patriotë, pengmarrës për ata që kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur, të cilët i konverton në shërbërtorë të “Rilindjes” dhe garant i pandëshkueshmërisë së Ramës dhe pamundësimit të rotacionit politik,"-tha Meta ndër të tjera.

FJALA e PLOTË e Metës:

Përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë ju, misionarë të lirisë, demokracisë dhe patriotizmit që protestoni plot guxim kundër Narkoregjimit të vetëm në Europë. Përshëndetjet më të përzemërta për Prof. DRr. Sali Berishën, qëndrestarin e paparë dhe gjithe drejtuesit e opozitës. Përshëndetje të veçanta për Ervin Salianjin, zemërluanin opozitar dhe të gjithë të burgosurit politikë të Narkoregjimit që është në grahmat e fundit. Çdo shtet ka mafian e tij, por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj. Tani kjo dëshmohet publikisht edhe nga ish-Zv/Kryeministri socialist, Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës për 10 vite në pushtet. Kjo është një dëshmi historike, sepse vjen nga një dëshmitar okular i disa prej mega-aferave më tronditëse të Edi Ramës. Kjo dëshmi vjen me prova dhe shkresa zyrtare, por mbi të gjitha me gatishmërinë për të dëshmuar edhe para një Gjykate Ndërkombëtare. Ahmetaj na provoi se si shteti është shndërruar në organizatë kriminale dhe se Edi Rama është Kryetar i Organizatës. Ai na tregoi se SPAK-u është një instrument i Edi Ramës që përdoret si komando elektorale për mbulimin e krimeve zgjedhore dhe goditjen e opozitës politike. Edhe për arsye të rrethanave ku ndodhem, po edhe i bindur se shumë çështje ju do t’i prekni dhe denonconi vet, por do të ndalja në dy çështje që më kanë bërë përshtypje të veçantë.

Edi Rama u kujtua mbas 12 vitesh në pushtet për të hedhur sytë nga bujqësia dhe për të krijuar edhe një Bankë Zhvillimi me fokus bujqësinë. Po kush e pengoi këtë deri tani, për 12 vite? Apo ky kujton se me këtë shashkë do mashtrojë pa mbarim mbi 35% të shqiptarëve që merren me bujqësi, të cilëve për këtë vit buxhetor do t’ju japë më pak se ryshfeti që ka marrë, sipas Ahmetajt, për tunelin e Llogarasë. Mirë deri në 2017-ën mund ta ketë penguar LSI-ja për t’ju përkushtuar zhvillimit të bujqësisë, po këto 8 vite kush e pengoi? Sipas vet INSTAT-it të tij, si shpjegohet që në vitin 2017, numri i gjedhëve ishte 505 mijë, ndërsa tani është vetëm 226 mijë. Si shpjegohet që numri i të imtave, dhi e dele ishte 2 milion e 930 mijë dhe sot është vetëm 1 milion e 200 mijë, kur Maqedonia e Veriut fqinje vetëm në një vit ka eksportuar 1 milion qengja në Bashkimin Europian. Si shpjegohet që sa e mori edhe Ministrinë e Bujqësisë u riktheu TVSH-në me 20% fermerëve? Ai e ndriti me fondet e IPARD-it që i jepte dhe i kontrollonte BE- ja, duke i cuar në zero, sepse dhe këto fonde dedikuar për bujqësinë nga BE, ai i dërgonte te bizneset e lidhura me inceneratorët. Ndaj sot jo vetëm që jemi vendi me mbështetjen më mjerane për bujqësinë, por dhe me politikat më armiqësore për fermerët, për blegtorët dhe për prodhuesin vendas.

Jemi vendi që për çmimet e bulmetit ua kalojmë dhe vendeve më të zhvilluara në BE. Si s’pati kohë ky para dy muajsh të votojë amendamentet e opozitës në Kuvend për të rritur mbështetjen buxhetore për bujqësinë, meqë ka porositur edhe shumë emisione në televizione për të diskutuar për Bankën e Zhvillimit të Bujqësisë? A mund t’ju thotë ky fermerëve, shqiptarëve e sidomos blegtorëve, se ku e ka ndërtuar atë Akademinë e famshme të çobanëve që premtoi para 8 viteve? Apo kështu e ka ky, në prag të çdo zgjedhje premton mashtrime të reja, pa dhënë llogari për mashtrimet e vjetra? Ku është shëndetësia falas? Ku është nafta e Shpiragut që do begatonte jo Shqipërinë, por edhe Ballkanin. Po premtimi i tij që do udhetonte në "economy class" si qytetarët e thjeshtë ku përfundoi? E tha Ahmetaj vet, me bilance në dorë, të minus 20 milionë euro të Air Albania, që për të mbuluar shpenzimet e këtij anullon fluturimet dhe i le mijëra shqiptarë të flenë natën në stolat e aeroportit të Stambollit dhe aeroporteve të tjera. Po kështu nuk ka shtresë më të diskriminuar në këto 12 vite se sa pensionistët, ku Edi Rama si kurrë më parë shkeli edhe ligjet në fuqi dhe u është borxh deri në fyt çdo pensionisti në zonat urbane dhe në zonat rurale për mos indeksimin sipas ligjit të pensioneve të tyre. Ky kujton se duke u ofruar bonusin e mjerimit në prag të zgjedhjeve do t'i mashtrojë për t'i varfëruar më mizorisht në katër vitet që vijnë.

Opozita thotë ky mashtron se s’mund të përmbyset skema e pensioneve. Po përse Kosova që e ka buxhetin shumë më të vogël se ne i ka pensionet dyfish më të larta apo Mali i Zi tre herë më të larta. Kjo ndodh se ky kusar i bën rrugët disa herë më të shtrenjta, jo se në këto vende, por edhe se në vendet e BE-së dhe këtë na e tha vetë Ahmetaj, numri dy i Qeverisë. Kjo ndodh se ky i ble respiratorët disa herë më shtrenjtë se vlera e tyre reale dhe këtë përsëri Ahmetaj na e tha. Kjo ndodh se ky AKSH-in e ka kthyer në kopsht familjarbnë funksion të kompanive me normën e fitimit më të larta në botë. Kjo ndodh se ky përzë investitorët e huaj, si në Portin e Durrësit dhe Becchetin e shumë të tjerë dhe shqiptarët duhet të paguajnë qindra milion euro në arbitrazhet ndërkombëtare , ndaj nuk ka lekë për pensionet. Kjo ndodh se ky firmos vet për të shpallur firma fituese, të cilat lindin ligjërisht vetëm pasi ky i shpall në mënyrë të paligjshme fituese.

Kjo ndodh sepse ky i çon lekët te inceneratorët që nuk ekzistojnë apo që nuk punojnë. Ku do i gjejnë lekët, pyet ai, që pi një shishe verë 33 mijë euro? Ato 3.2 miliardë euro që ti i vjedh çdo vit shqiptarëve me organizatën tënde kriminale pa i futur fare në Buxhetin e Shtetit, të cilat shkojnë 13 miliard euro me një mandat 4-vjeçar, mjaftojnë për të tejkaluar të gjitha premtimet e opozitës. Se ti mbledh vetëm 28% të të ardhurave në raport me PBB, kur Mali i Zi, Bosnja, Serbia mbledhin 42%. E pra, kjo diferencë 14% është 3.2 miliardë euro që ti i vjedh vetëm në një vit shqiptarëve, përveç vjedhjeve që bën me tenderat dhe PPP-të e tua. Prandaj edhe Ministër të Brëndshëm ke caktuar një të shkarkuar për korrupsion, siç na e dëshmoi Ahmetaj vet , që s’ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste. Flet për ekonominë ky, që e ka lënë Shqipërinë të fundit për prodhim dhe eksporte. Vetëm 8% të Produktit të Brendshëm Bruto eksporton Shqipëria sot, 5 herë më pak se mesatarja e rajonit dhe 7 herë më pak se Maqedonia e Veriut fqinje që eksporton 57% të PBB. Ndërsa se si funksionon SPAK-u dhe "Drejtësia e Re", na e sqaroi aq mirë Arben Ahmetaj, i cili edhe ka votuar vet për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota në mënyrë antikushtetuese e po kështu për çdo ligj e vendim antikushtetues e të njëanshëm të Edi Ramës, që e shndërroi Reformën në Ramaformë.

Pra Ahmetaj na dëshmoi se u largua nga vendi, sepse po arrestohej për t'u bërë "kokë turku" për aferën e inceneratorëve, të cilën me shkresa zyrtare ai e ka kundërshtuar që të mos financohej nga Buxheti i Shtetit. Ahmetaj na dëshmoi për herë të parë se përse Altin Dumani nuk e heton Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për firmën e paligjshme për inceneratorin fantazëm në 2017. Sepse e paska urdhëruar e detyruar vet Rama për këtë akt të paligjshëm dhe çdo hetim do tregonte se koka e vërtetë e kësaj mega-afere është vet Edi Rama. Ndërsa emisioni “Plug” te Syri TV, na tregoi para pak ditësh se përse "Afërmendshi" nuk i heton këto shkresa të Ramës dhe Veliajt për inceneratorët dhe jo vetëm, sepse "Afërmendshi" me dy shtëpi, vilë, një dyqan e paska kaluar vettingun për 24 orë.

Sepse "Afërmendshi" i "Drejtësisë së Re", qenka promovuar me shpejtësi rrufeje, në mënyrë të paligjshme nga i vetmi Prokuror i Përgjithshëm i shkarkuar me vota konsensuale të socialistëve e demokratëve e po kështu i shkarkuar edhe me firmen e një Presidenti me integritet si Mejdani, i zgjedhur nga socialistët. "Drejtësia e Re" është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh që ka ndodhur. Koha e gjykimit u shumëfishua, transparenca u zëvendësua me dhomat e mbyllura. Për të ndjekur një çështje, tani duhet të paguash. Po kështu harta e re gjyqësore e bëri drejtësinë edhe më të paarritshme edhe më të largët edhe më të pamundur edhe më të shtrenjtë për qytetarët. Ndaj asnjë vend tjetër se pranon këtë eksperiment të turpshëm. Pse hesht Dumani për çështjen McGonigal që e ka kyçur në sirtar? Ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI- së në SHBA. Si shpjegohet që ka 2 vite që nuk e thërret njëherë Edi Ramën ta pyesi për McGonigalin edhe pse emri i tij del dhjetëra herë në procesin e McGonigalit dhe këtë e di e gjithë bota. Si shpjegohet që një ish-zyrtar i LSI-së, i cili ka firmosur për lobimet e ka qenë përgjegjës për financat, hyn te Dumani si opozitar e del nga Dumani si rilindas, e bën fushatë për Edi Ramën, ndërsa unë mbahem në burg për firmat e tij. Se ky është SPAK-u, inkuinzitor për opozitarët e pashantazhueshëm dhe patriotë, pengmarrës për ata që kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur, të cilët i konverton në shërbërtorë të “Rilindjes” dhe garant i pandëshkueshmërisë së Ramës dhe pamundësimit të rotacionit politik. Ndaj 11 Maji është dita historike e skadencës së Narkoregjimit dhe Narkodrejtësisë. 11 Maji do të jetë dita e triumfit të sovranit, të patriotëve dhe liridashësve. 11 Maji do të jetë dita e përmbysjes së këtij modeli të Narkoekonomisë në shërbim të një pakice mizore dhe të pastrimit të parave të tyre dhe ndërtimit të një modeli ekonomik që mbështetet në prodhimin vendas dhe zhvillimin e bujqësisë, të industrive, inovacionit dhe nxitjen e eksporteve që rrit produktivitetin dhe garanton paga dinjitoze për të rinjtë tanë. Gjej rastin t'i ftoj të gjithë vëllezërit tanë emigrantë kudo ndodhen, që të nxitojnë që të regjistrohen, që të mos humbasin këtë mundësi historike për të kontribuar për rivendosjen e vendit të tyre në shinat e Kushtetutës, për rikthimin e lirisë, të demokracisë dhe të llogaridhënies dhe në këtë menyrë i hapet rruga dhe riintegrimit të tyre në Atdheun e tyre. Edhe njëherë suksese protestës tuaj dhe mirënjohje për patriotizmit tuaj dhe për gjithçka që ju bëni për triumfin e demokracisë në vendin tonë!/ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Opozita në protestë! Kush janë tre deputetët demokratë që mungojnë

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
Sali Berisha

TIRANË-Teksa protesta e opozitës ka filluar, u pa se kryetari Sali Berisha doli nga selia në krah të deputetit Flamur Noka. Një mungesë e rëndësishme në protestë është ajo e kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi. Deputeti ndodhet së bashku me një përfaqësi tjetër politike dhe parlamentare në SHBA. 

Veç Bardhit në tubim mungojnë edhe Bledion Nallbati dhe Jorida Tabaku të cilët kanë shoqëruar kreun e Grupit të PD-së në SHBA.

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
Bledion Nallbati, Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku

Mësohet se për shkak të takimeve me diasporën kanë qëndruar në Michigan. Ndërkohë ka edhe shumë deputetë të tjerë që për shkak të tureve të Diasporës për zgjedhjet e 11 Majit ndodhen jashtë vendit./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Protesta e PD! Kamera, megafonë dhe shtylla me graso, "blindohet' Kryeministria

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
PAMJE NGA VENDNGJARJA

TIRANË-Teksa pak orë nga protesta e thirrur nga Partia Demokratike, në vendin ku do të zhvillohet tubimi duket se gjithçka është gati. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është duke u montuar podiumi, në të cilin demokratët do japin mesazhet e tyre për qytetarët.

Që prej orëve të para të mëngjesit është bllokuar qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa dera e Kryeministrisë edhe këtë herë është veshur me mburojë metalike. Efektivët kanë vendosur kamera në shtylla dhe megafonë, për t’iu bërë thirrje protestuesve në rast incdidentesh. Gjithashtu, edhe shtyllat janë lyer me graso. 

Tubimi i thirrur nga opozita pritet të nisë në orën 17:00 dhe do të zgjasë deri në 20:00. Policia e Shtetit ka marrë masa për të menaxhuar protestën, duke bllokuar disa nga akset që të çojnë drejt bulevardit. Në terren do të jenë rreth 1200 efektivë, përfshirë RENEA dhe FNSH./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Protesta e PD, Rama ironizon tubimin: 'Këneta' u frymëzua nga 'broçkullat' e të arratisurit të drejtësisë

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e Partisë Demokratike që do të zhvillohet para Kryeministrisë. Rama e ka quajtur kryedemokratin Sali Berisha “buf stërplak i kënetës” dhe e cilësoi këtë protestë si të frymëzuar nga gënjeshtrat e Arben Ahmetaj, i cili është një i arratisur që kërkohet nga drejtësia për korrupsion dhe fshehje pasurie. Kryeministri tha se qytetarët duhet të braktistin “kënetën” e Berishës në mënyrë që të krijohet një parti opozitare në vend. Sipas tij, PD do të vazhdojë të humbasë për aq kohë sa udhëhiqet nga Berisha.

“Sot bufi stërplak i kënetës opozitare dilka bashkë me kënetën e tij në protestë dhe frymëzimi i protestës qenkan broçkullat e një të arratisuri në kërkim nga drejtësia për korrupsion e fshehje pasurie. Duhet përshëndetur kjo protestë, sepse është një pasqyrë e qartë sa s’ka e alternativës së kalbur të një kënete politike humbësish të degraduar, të cilën më 11 maj shqiptarët duhet ta çojnë drejt tharjes, duke votuar të vetmen forcë politike të denjë në Shqipëri, Partinë Socialiste të Shqipërisë. Vetëm duke e braktisur kënetën e bufit stërplak, demokratët do të krijojnë hapësirë për rilindjen e një opozite politike të denjë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, përndryshe humbjet vetëm do të thellohen edhe përtej 11 majit, kur protestuesit e sotëm do të jo vetëm të humbur për të dhjetën herë radhazi, po edhe me diferencën më të thellë me Partinë Socialiste, qysh nga viti 2013”, shkruan Rama.

Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e radhës. Ndryshe nga tubimet e mëparshme që mbahej në zona të ndryshme të kryeqytetit, sot do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë. Policia e Shtetit ka marrë masa për të menaxhuar protestën, duke bllokuar disa nga akset që të çojnë drejt bulevardit. Në terren do të jenë rreth 1200 efektivë, përfshirë RENEA dhe FNSH./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Protesta e PD/ 1200 efektivë policie në terren, Proda: Mos u provokoni!

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
Ilir Proda

TIRANË- Policia e Shtetit ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm gjatë protestës së Partisë Demokratike. Mësohet mbi 1200 forca të policisë do të jenë në terren, duke nisur nga ato rendit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Shqiponjat dhe RENEA.

Po ashtu edhe Garda e Republikës është mobilizuar për të qenë në gatishmëri dhe për të ruajtur instuticionet. Të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz dhe do të ketë 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Do të krijohet kordoni me efektivët e policisë para Kryeministrisë dhe rreth perimetrit të saj. Dyert e instuticionit do të blindohen me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

Ndërsa, dje kryepolici Iir Proda dha porosi efektivëve dhe u kërkoi që të kenë kujdes të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë. Po ashtu, Proda iu bëri thirrje që ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje dhe të mos krijohen përplasje të provokuara./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Protesta e opozitës, Policia plan masash, kufizohet lëvizja e automjeteve në disa akse

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Policia e Shtetit ka ndërmarre një plan masash me qëllim mbarëvajtjen e protestës së Partisë Demokratike para Kryeministrisë. Policia, bën me dije se do të kufizohet lëvizja në disa akse dhe segmente rrugore në kryeqytet.

Përkatësisht zonat ku do të kufizohet lëvizja janë:

-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin “Zhan D’Ark” dhe bulevardin “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Opozita ka kërkuar 3 orë leje për të zhvilluar protestën nga ora 17:00 deri në 20:00.

“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi ditën e sotme, nga ora 17:00 deri në orën 20:00, para Kryeministrisë. Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.

Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;  

-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. 

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim”, njofton Policia./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Sot protesta e opozitës, mbi një mijë efektivë policie në terren, çfarë pritet të ndodh

Protesta e PD/ Opozita 1 orë para Kryeministrisë, Rama: U mblodh
Sali Berisha

TIRANË- Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e radhës. Kreu i PD-së, Sali Berisha ftoi ditën e djeshme qytetarët të marrin pjesë në mosbindjen civile, që ndryshe nga protestat e mëparshme që mbahej në zona të ndryshme të kryeqytetit, sot do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë. Kryedemokrati do të marrë gjithashtu pjesë në këtë protestë, i cili do të shoqërohet nga dhjetra të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe do të marshojnë nga selia blu drejt Kryeministrisë. Por, ndryshe nga më parë, Berisha nuk tregoi asgjë rreth skenarit të kësaj proteste. Ai u shpreh vetëm se kjo protestë do të jetë ndryshe nga ato të mëparshmet.

Policia e Shtetit ka marrë masa për të menaxhuar protestën, duke bllokuar disa nga akset që të çojnë drejt bulevardit. Në këtë protestë do të jenë do të angazhohen rreth një mijë forca policore për mbarëvajtjen e protestës.

Zonat që do të bllokohen janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi”Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Opozita ka kërkuar 3 orë leje për protestën që do të zhvillohet nga ora 17:00 deri në orën 20:00./ZËRI

Poll

MOS HUMB