
DURRËS- Banorët e Durrësit të prekur nga projekti 'TID' janë mbledhur sërish këtë të mërkurë përpara Bashksië së Durrësit. Ata kërkojnë transparenca mbi projektin, pasi shprehen se kanë paqartësi mbi ndryshimet ne projekt dhe kërkojnë që procesi të shoqërohet me informacion të shkruar dhe afate konkrete.
Ndryshe nga një ditë më parë, këtë herë një përfaqësi e banorëve u takua me drejtoreshën ligjore të bashkisë, Alneida Rroshi.
Pas takimit, përfaqësuesja e banorëve, arkitektja Entela Koja, tha se nga bashkia janë informuar se po rishikohen nga e para të gjitha objektet dhe po verifikohet statusi i tyre ligjor, përpara se të dale VKM-ja per shpronësimet.
“Rrugët tona ndahen te fakti se nuk jemi për prishje dhe shpronësime, aty ku nuk ka nevojë të prishet gjë. Për më tepër që vlerë e shpronësimeve nuk diskutohet më nga banorët. Pra, këtu ndahemi me Bashkinë. Pra, bashkia po bën një punë për shpronësimin e secilit banorë. Kjo tregon se puna e projektit që në fillim nuk ka qenë e saktë. Gjithsesi, kryesorja është që Ministria e Kulturës të sjellë një grup pune për të evidentuar të gjitha pronat e pretenduara. Ne pretendojmë dhe vërtetojmë që në objektet që janë dhënë për prishje, nuk ka projekte fare. Pra, kjo është një punë e dobët. Ajo që ne i kërkuam, ministri e Kulturës duhet të prononcohet për datat dhe të dhënat e të gjithë projektit. Është detyrim ligjor.", tha Entela Koja.
Janë 20 familje pranë zonës së amfiteatrit qe kundërshtojnë ndërhyrjet, duke argumentuar se nuk ka pasur verifikim të plotë në fazën fillestare të projektit.
Projekti i quajtur “TID, Transformimi i Integruar i Durrësit”, është një iniciativë që, sipas qeverisë, synon revitalizimin urban të zonës historike dhe është zhvilluar bashkërisht nga Qeveria, Bashkia e Durrësit dhe Fondacioni Shqiptaro‑Amerikan për Zhvillim (AADF). Qëllimi i këtij projekti është restaurimi i rrugëve, fasadave historike dhe krijimi i një hapësire turistike që integron monumentet arkeologjike me funksione bashkëkohore urbanistike.
Por për banorët e zonës, ky projekt nuk është vetëm një plan zhvillimi; ai është kërcënim real për shtëpitë, historinë familjare dhe vazhdimësinë e komunitetit autokton në këtë zonë.
Më 14 shkurt, kryeministri u takua me banorët, ndërsa pas takimit deklaroi se projekti nuk do të ndalet. Megjithatë, kryeministri deklaroi se do të rishikohen disa objekte me vlerë kulturore, si dhe premtoi rishikim të vlerës së shpronësimeve.
Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh. Banorët kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, pasi sipas tyre, është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi./ZËRI