Politikë

Protesta për krerët e UÇK, Rama: Kuvendi i Kosovës s’e ka ngritur zërin për rezolutë, votojmë edhe ne

Rama ka ngritur shqetësimin për mungesën e një reagimi institucional nga Kosova

F.I
Protesta për krerët e UÇK, Rama: Kuvendi i Kosovës
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për protestën e mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Tribunalin e Hagës, mes tyre edhe ish-presidenti Hashim Thaçi. 

Rama me anë të një postimi në Facebook ka ngritur shqetësimin për mungesën e një reagimi institucional nga Kosova dhe kërkon miratimin e një rezolute pa dallime politike, që të denoncojë, siç shkruan ai, cenimin e procesit të rregullt ligjor nga Dhomat e Specializuara. Sipas tij të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë.

POSTIMI:

Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?! Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet.

Mijëra qytetarë në Prishtinë një ditë më parë protestuan “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të pranishëm ishin edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Poll

MOS HUMB