Politikë

Reforma territoriale/ Sako kërkon më shumë kompetenca për bashkitë: Çdo funksion i ri të shoqërohet me financim dhe staf (VIDEO)

Sako prezantoi propozimet e miratuara nga Asambleja e shoqatës dhe të dorëzuara dy bashkëkryetarëve të reformës në muajin qershor.

M.K.
Reforma territoriale/ Sako kërkon më shumë kompetenca për
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako

TIRANË- Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako në cilësinë e përfaqësueses së Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë ka paraqitur propozimet e kësaj shoqate në kuadër të diskutimeve për reformën Administrativo-Territoriale.

Sako prezantoi propozimet e miratuara nga Asambleja e shoqatës dhe të dorëzuara dy bashkëkryetarëve të reformës në muajin qershor. Në fokus të tyre janë decentralizimi rritja e kompetencave të njësive vendore financimi i funksioneve të transferuara dhe shpërndarja më e barabartë e investimeve.

Gjatë fjalës së saj Sako theksoi se çdo përgjegjësi e re që i kalon pushtetit vendor duhet të shoqërohet me kompetenca të përcaktuara qartë financim dhe kapacitete njerëzore.

“Gjatë takimeve që kemi pasur me kryetarët e bashkive, kemi vënë theksin te funksionet dhe financat si çështje shumë të rëndësishme për shërbimin fundor të qytetarëve, sepse atyre nuk u intereson se kush e jep shërbimin, por e rëndësishme është që shërbimi me standard të shkojë edhe te qytetari me vendbanimin shumë të largët. Ne propozojmë që të ndalohet me instrument ligjor heqja e funksioneve dhe kompetencave të njësisë së qeverisjes vendore për çështje që shtrihen në territor nga qeveria qendrore. Duhet përcaktuar një metodologji e qartë e decentralizimit të një funksioni. Kompetencat e centralizuara të rishikohen dhe të kthehen te bashkia. Çdo funksion i ri që transferohet te bashkitë duhet shoqëruar me kompetenca të qarta, financim, standarde dhe kapacitete njerëzore. Duhen miratuar standarde kombëtare dhe vendore në harmoni me BE-në për shërbimet publike, të garantohet cilësi dhe akses i barabartë në shërbime në zona urbane dhe rurale. Njësitë administrative duhet të kenë më shumë kompetenca, të ofrojnë më shumë shërbime. Investimet të shpërndahen në mënyrë proporcionale. Vendosja e një rregullatori për shpërndarjen e investimeve do të bënte të mundur mbulimin me investime të të gjithë territorit.” tha Emiriana Sako./ZËRI

Poll

MOS HUMB