TIRANË- Mes debateve dhe tensioneve ka përfunduar seanca e sotme plenare, e cila nisi në orën 13:00 dhe zgjati rreth dy orë.
Mazhoranca kaloi e vetme me shumicë votash kalendarin dhe programin e punimeve të Kuvendit për muajin e ardhshëm, kjo pasi opozita bojkoti votimin. Opozita u largua nga salla në momentin që kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla po mbante fjalën e tij. Ndërkohë, ky votim, i hap rrugë punës së komisioneve parlamentare.
Gjatë kësaj seancë u miratua edhe procesverbali i seancës plenare të datës 24 shtator, ku u miratua përbërja e komisioneve të përhershme parlamentare.
Seanca plenare nisi menjëherë me debate në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit, e miratuar që në seancat e para të kaluara. Opozita ka akizuar kryesinë e Kuvendit se nuk kanë shpërndarë rregulloren e miratuar në seancën e kaluar dhe kërkoi kthimin e punimeve parlamentare në normalitet. Ndërkohë, kryeparlamentari Niko Peleshi u kundërpërgjigj duke thënë se rregullorja e re u është shpërndarë deputetëve si dhe gjendet në faqen online të Parlamentit.
Në seancën e sotme në rend dite është miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar, ku u votua përbërja e 11 Komisioneve Parlamentare, që më pas do t’i hapë rrugë nisjes nga puna të komisioneve. Tonet janë ngritur nga deputetë të opozitës, të cilët secili në fjalën e tij, kritikojnë ashpër mënyrën se si po zhvillohet puna në Parlament.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, i ka tërhequr vëmendjen deputetëve të opozitës që të respektojnë rregulloren e kuvendit. Balla theksoi se fjala u jepet de[utetëve vetëm pas miratimit të procesverbalit dhe pas miratimit.
“Në seancë kam marrë fjalën dhe, bazuar në procesverbal, kujtoj që kam kërkuar respektimin e nenit 44, pika 2, të Rregullores. Citoj se seanca fillon me miratimin e procesverbalit dhe pas miratimit, fjala u jepet vetëm deputetëve që kërkojnë të propozojnë korrigjim ose të saktësojnë mendimin e tyre. Kemi mbi 20 minuta që dëgjojmë diskutantë që s’kanë dhënë asnjë informacion për fjalimin e tyre ‘historik’ të para disa ditëve. Për herë të parë po ndodh një precedent që s’ka ndodhur asnjëherë më parë. Nuk ka pasur diskutime të kësaj natyre në rendin e ditës – diskutime të tilla bëhen pas miratimit të rendit të ditës. Kemi pasur një diskutim të mirë në Konferencën e Kryetarëve, por deputetja nuk priti, por mori fjalën për procesverbalin. Pak durim, do të shkojmë te ajo pikë. Z. Kryetar, duhet t’i japim fund këtij procesi, s’mbahet mend të nisë Kuvendi me procesverbalin!”, tha Balla.
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin dhe akuzon mazhorancën se po shkel rregulloren e Kuvendit. Sipas saj, komisioni parlamentar për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura, është antikushtetues dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit.
“Çështja e parë lidhet me raportimin e institucioneve të pavarura. Nuk kemi pasur mundësinë ta trajtojmë këtë çështje gjatë sesionit të vjeshtës. Për dy muaj nuk e di se çfarë do t’u vendosim në dispozicion këtyre institucioneve.
Është e papranueshme që të jemi në shkelje të Kushtetutës për këtë pikë. Çdo institucion ka një përgjegjës, i cili reflektohet në kalendarin dhe programin e projekteve. Ajo që po bëni me komisionin e ri që keni krijuar është thjesht një mënyrë për t’i dhënë punë atij zotërisë, por kjo është kundër rregullores.”, tha Tabaku.
Deputetja e PS, Zegjine Çaushi, ka mbajtur për herë të par fjalën e saj në Kuvend, ku u është drejtuar kolegëve të saj të opozitës, duke u thënë që të rikthehen në normalitet dhe të vijohet seanca sipas rendit. Ajo bëri thirrje për uljen e toneve, ndërkohë që nuk ka “harruar” të vijojë me ironitë ndaj Gazment Bardhit, siç ka bërë edhe gjatë fushatës zgjedhore.
“Është e papranueshme që në këtë seancë, si çdo herë tjetër, të dëgjojmë të njëjtin fjalor. Jo, nuk (vend) ka për falje, por këtu ne jemi pasqyra e atyre qytetarëve, e mijëra që na ndjekin nga pas, dhe kjo sjellje të vazhdojë kështu në çdo seancë nuk mund të pranohet. Besoj se në grupin tuaj parlamentar keni mjaftueshëm juristë, por edhe një jo-jurist mund ta kuptojë rregulloren. Kini kaq shumë seanca që e kërkoni fjalën për procedurë, edhe për ato që niset seanca për të rregulluar procesverbalin, por askush nga ju nuk është ngritur të thotë që kjo fjalë e shkruar në procesverbal nuk është shkruar drejt. Por jeni marrë vetëm me ofendime, për programin, për Diellën, e çdo gjë tjetër, që ju vetë e keni pasur mundësinë ta dëgjonit atë program…Gazi nuk është se atë sjelle ka Gazi, dhe ju të tjetër si Gazi do përfundoni”, tha me ironi deputetja e PS.
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar programin e qeverisë gjatë fjalës së tij në seancën plenare. Korreshi i ka kërkuar mazhorancës që të anulohet seanca e 18 shtatorit, ku u miratua me votat e PS programi qeverisës pasi opozita u largua. Më tej demokrati tha se opozita është e gatshme për rikthimin në normalitet të seancave plenare.
"Ne pikërisht jemi këtu për këtë programin e bukur atë që keni bërë me buzëkuq ju. E di si është ky program juaj me buzëkuq por me çizme me gisht përpara, me thonj pa prerë. O Kryetar ke një muaj që as na jep të drejtë fjale dhe në hallexhinjtë vjedhim ndonjë dy minutësh për procedurë. Por kjo është se e bën ti këtë pjesë, siç prishe rregulloren atje, siç vunë përralla me mbrete me Diell e ku di unë.Nëse do ti rikthehesh normalitetit hajde sot rikthe atë seancë që të flasim që sot për programin qeverisë.", tha Korreshi.
Deputeti demokrat Flamur Noka foli sot nga foltorja e Parlamentit duke iu kthyer dy çështjeve të politikës së ditës, teksa vëmendjen më të madhe e fokusoi të çështja "Aruba".Sipas Nokës, shumica e deputetëve të mazhorancës janë përfaqësues të grupeve kriminale, duke pretenduar lidhje të tyre me disa prej tyre me individë të njohur për aktivitete kriminale. Ai ka theksuar gjithashtu se takimi në Aruba është një dëshmi e lidhjeve të thella të qeverisë me kriminelët.
"Takimi i Arubës është tronditës. Shumica e deputetëve në parlament janë përfaqësues të krimit. Njërin nga ju e ka sjellë Ben Qimja, një tjetër e kanë sjellë Xhabaftët, tjetrin e ka sjellë një klan tjetër kriminal. Edhe takimi në Aruba është tronditës, atje përfaqësues të qeverisë janë takuar me kriminelët, mazhoranca është e lidhur me Troplinët, me Xhabaftët dhe me Suel Çelën. Raporti i DASH thotë se biznesi është deformuar nga kartelet e drogës. Narkosi ka shkatërruar gjithçka në biznes, sepse ka pastrim parash dhe konkurrenca është e padrejtë. Shqipëria cilësohet si vend që është e vështirë të bësh biznes. Ikin shqiptarët, për shkak se ke Narcos-in këtu.", tha Noka.
Ironitë dhe debatet nuk munguan as zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe deputetit të PD, Klevis Balliu.
Klevis Balliu: Zonja Balluku e para faleminderit për fjalën bukurosh. Unë bukurosh kam lindur, kurse ty bukurosh të bënë paratë e shqiptarëve. Ti do bëje mirë këtu që të na flisje për tigrin1 dhe tigrin3, do të bëje mirë që të na flisje që në vendin më të varfër të Europës, ke sjellë kilometrin më të shtrenjtë të botës, 25 milionë euro. E ke bërë vetëm ti. Vjen në vendin më të varfër të Europës me 40 mijë lekë ndihmën ekonomike dhe me 25 milion euro kilometrin dhe rrugët të shkatërrohen më një shi. Duhet të flasësh për këto, për bukuroshët gjej kohëve tënde, jo këtu në Parlament.
Belinda Balluku: Problemi është që ky filloi të besojë që është bukurosh, kjo është me keqja. Dhe pa qenë pa qenë bukurosh e çfarë nuk thoshte kurse me këtë epitetin do të çmendet fare. Unë çuditesha se përse ti mërziteshe kur të përmendej emri i babait, por mund të pyesësh edhe Fariun edhe Jetën, kurse ne andej nga fisi jemi të bukur përgjithësisht dhe nuk na është dashur asnjë lekë.
Ndërkohë, teksa kreu iGrupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, po mbante fjalën në Kuvend, deputetët e opozitës kanë braktisur seancën plenare. Megjithatë, Balla vazhdoi fjalën e tij teksa iu përgjigj akuzave lidhur me takimin e pretenduar në Aruba. Ai iu drejtua atyre, ndonëse mungonin në sallë, se nëse kanë prova duhet të drejtohen me kallëzim në institucionin e akuzës.
“Dhe në këto ditë është zgjedhur kryetari, qeveria, programi, rregullorja, tani e arritët qëllimin, e bëtë rrëmujën, pa ditur asnjë prej jush se për çfarë folën. Madje udhëheqësi poliedrik Flamur Noka foli këtu për programin. Fiksime e ka pasur të shkojë njëherë në Aruba, pa thënë asnjë emër, asnjë fjalë, se më e pakta do marrësh letrën dhe do bësh një kallëzim. Ata ikën por do i thosha një këshill, se mirë është që kur mbarojnë Konferencën e Kryetarëve, të paktën kryetari i tyre që nuk ishte sot këtu, është marrë vendimi që do ikni”, u shpreh ai.
Pas 120 minutash seancë, maxhoranca votoi e vetme. Ndërsa për kërkesën e PD për shkarkimin e Niko Peleshit, Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet brenda javës./ZËRI