Politikë

Rusia godet kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Filo: Pashë vdekjen me sy! ministri Hoxha: E papranueshme

Hoxha me anë të një postimi në platsormën 'X', njofton se ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë është thirrur për të dhënë shpjegime

F.I
Rusia godet kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Filo:
Ernal Filo

UKRAINË-Një sulm i fundit i ndërmarrë nga Rusia ka prekur edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo. Vetë Filo ka deklaruar se kompleksi ku banon ka pësuar dëme shumë të mëdha nga sulmet, duke shtuar se ka parë vdekjen me sy.

“Gjatë sulmeve u strehuam në bodrumet e sigurta, ku qëndruam deri në mëngjes. Kompleksi ku unë jetoj është shumë pranë ambasadës. Ka pësuar dëme shumë të mëdha nga sulmet. Pashë vdekjen me sy!”, është shprehur Filo 

Ndërkohë lidhur me sulmin një reagim ka ardhur nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili shkruan se jeta e ambasadorit është vënë në rrezik serioz, duke e konsideruar këtë diçka të papranueshme.

Hoxha me anë të një postimi në platsormën 'X', njofton se ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë është thirrur për të dhënë shpjegime. Sipas ministrit, Shqipëria “dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë” të ndërmarrë nga Rusia kundër objektivave civile në Ukrainë, duke e konsideruar atë një “shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor”.

POSTIMI:

Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal dhe pa dallim në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmë nga Rusia kundër objektivave civilë në Ukrainë, në një shpërfillje totale për jetën njerëzore dhe dinjitetin themelor njerëzor. Këtë herë, kompleksi rezidencial ku banon #Ambasadori i Shqipërisë në #Ukrainë u godit, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme! Synimi ose rrezikimi i zonave civile dhe #personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë. Kjo luftë e zgjedhur ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i saj i paligjshëm në shkallë të plotë, Rusia ka synuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas. Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, shkatërron dhe po shkakton shkatërrim dhe vuajtje të përhapura. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj #Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t'i japë fund luftës kundër Ukrainës, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata. Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë fort pranë Ukrainës dhe përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin , pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ata që janë përgjegjës për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës. Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për shpjegime.

Sipas administratës ushtarake të Kievit, sulmet goditën më shumë se 40 pika në të gjithë qytetin. Si pasojë e sulmit katër persona kanë humbur jetën dhe të paktën 50 të tjerë janë lënduar./ZËRI

Poll

MOS HUMB