TIRANË-Debati politik për mandatin në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” mes dy drejtuesve, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabanit ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e partisë 'Nisma Thurje'. Pas Pano Sokos, edhe Rigerta Loku Tushaj dhe këshilltari bashkiak i Nismës Thurje në Bashkinë e Korçës, Klajdi Pllaha kanë njoftuar largimin nga Nisma Thurje.
Në një postim në rrjete sociale, Rigerta Loku Tushaj shpreh indinjatën për përpasjet lidhur me mandatin e vetëm që fitoi koalicioni “Shqipëria Bëhet”. Rigerta nuk kursen Adriatik Lapajn, teksa thotë se për të besa dhe fjala janë institucionet më të vjetra, duke iu referuar faktit se ai kërkoi të merrte mandatin edhe pse më parë kishte deklaruar se nëse merrnin një të vetëm s’do hynte në parlament. Ajo thekson se për një mandat nuk u dëmtuan vetëm dy partitë e koalicionit, por u minua gjithashtu edhe rruga e forcave të reja politike.
Reagimi i plotë:
"Burri lidhet për fjale jo për konopi"-Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit që ndodhën në lidhje me mandatin e vetëm të " Nisma Shqipëria Bëhet" shpreh indinjatën time dhe mosdakortësinë absolute se si rrodhën ngjarjet. Për mua besa dhe fjala e dhënë janë institucione më të vjetra dhe më të shenja se ligji dhe në gjithë këto kohë vetëm janë shkelur e përdhosur. Ka vite e vite, që nga këtu ku jam, rend, jo pas partisë por pas idealeve, sepse nuk dua të bëj politikë me lojra fjalësh por me fjalën që ze vend. Vetëm me dy statuse në fb, dy të rinj më pikëlluan e zhgënjyen më tepër se të vjetrit tash 30 vjet. Për një mandat të vetëm nuk janë dëmtuam vetëm dy parti, një kualicion, por është dëmtuar dhe minuar rruga e të gjitha forcave të reja politike edhe atyre që ndoshta do dilnin nesër. Besoja dhe kemi sakrifikuar fort që c'do mandat, që ky mandat, të zbriste te lista e hapur. Por kjo nuk ndodhi, dhe nuk ndodhi në menyrën më të keqe të mundshme. Prandaj që sot unë nuk jam më e angazhuar politikisht me "Nismën Thurje" ama do vijoj të jem një elektron i lirë në të voglën time. Patjetër që edhe në Këshill Bashkiak, do të kaloj zyrtarisht e pavarur, fundja e pavarur kam qënë gjithmonë. As nuk dua tja di për patitë e individëve, mua më intereson Mirdita ime, Shqipëria ime.
Pllaha shpjegon se po largohet për shkak të idealeve, si pasojë e sherreve që kishin lindur së fundmi mes drejtuesve të koalicionit, pra si shkak i përplasjes Lapak-Shabani. Ai thekson vijimin e angazhimit të tij si këshilltar i pavarur për qytetarët e Korçës.
Postimi i plotë i Klajdi Pllahës:
“Një mik i mençur më pati thënë dikur: “Për të njëjtën arsye pse hyn në një parti, për të njëjtën edhe del prej saj.”-Në vitin 2021, kur u angazhova për herë të parë me Nismën Thurje, e njihja pak, por hyra me idealizëm, sepse besoja në pastërtinë e të rinjve që donin të ndryshonin sistemin. E përfaqësova në tri palë zgjedhje, duke rritur rezultatin dhe duke u pjekur politikisht, pa humbur idealizmin dhe pastërtinë.
Tani ka ardhur momenti të shkëputem nga kjo lëvizje, sepse ngjarjet e zgjedhjeve të fundit treguan se ky idealizëm është humbur në këtë parti, ose në rastin më të mirë është vënë në hije nga egoja personale apo papjekuria politike. Mbase një ditë do të ndodhë një reflektim i thellë dhe i sinqertë nga dy drejtuesit e koalicionit, por për momentin, unë nuk mund ta përfaqësoj më Nismën Thurje. Megjithatë, nuk pendohem për këto pesë vite angazhim. Së pari, sepse më kanë bërë të njoh të rinj të tjerë idealistë, që fatkeqësisht, njëri pas tjetrit, janë larguar nga Nisma. Së dyti, gjatë gjithë kohës nuk jam ndjerë i përfshirë në vendimmarrjen e partisë, ndaj kam qenë gjithmonë më afër qytetarëve të Korçës sesa vetë partisë. Dhe jam i sigurt që të gjithë ata që më kanë votëbesuar, ia kanë dhënë besimin Klajdit, jo partisë.
Angazhimi im politik do të vazhdojë, ashtu si në dy vitet e fundit në Këshillin Bashkiak, për të qenë zëri i qytetarëve korçarë – tashmë dhe zyrtarisht si i pavarur, ashtu siç jam ndjerë gjithmonë. Dhe, pavarësisht gjithçkaje, unë mbetem pozitiv, duke besuar se të rinj idealistë dhe me karakter nuk do t’i mungojnë kurrë Shqipërisë, madje as politikës. Ndërkohë, le të vazhdojmë të forcojmë zërin qytetar”.
Kujtomë se "Kriza" në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet". Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Debati u mbyll në KQZ, ku mandati i 'Nisma Shqipëria Bëhet' për Tiranën i kaloi Kleana Xhuvelit./ZËRI
