Politikë

Veliaj dhe bashkëshortja e tij zyrtarisht të pandehur! Akuza i komunikohet edhe Bushkës, biznesmenit dhe policit

Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar mesditën e kësaj të mërkure pranë ambienteve të Paraburgimit në Durrës, për t’i komunikuar akuzat, pasi Veliaj nuk ishte vetë i pranishëm në SPAK. Ndërkohë, mëgjesin e sotëm akuzat iu komunikuar edhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

zh.ll
Veliaj dhe bashkëshortja e tij zyrtarisht të pandehur! Akuza i
Erion Veliaj

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar mesditën e kësaj të mërkure pranë ambienteve të Paraburgimit në Durrës, për t’i komunikuar akuzat, pasi Veliaj nuk ishte vetë i pranishëm në SPAK. Ndërkohë, mëgjesin e sotëm akuzat iu komunikuar edhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Kjo e fundit u mor e pandehur për tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim parash. Xoxa është lënë në masën “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen Veliaj, ku rezultonte se ishte e përfshirë në skema abuzimesh me fondet publike.

Gjithashtu, SPAK i ka komunikuar akuzat edhe deputetes socialiste, Klotilda Bushka. Siç është bërë me dije edhe më herët, Bushka është marrë e pandehur në lidhje me hetimet për dosjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Ajo akuzohet për “veprime qe pengojnë zbulimin e të vërtetës”. 

Bëhet me dije se po ashtu, është marrë i pandehur edhe polici i burgjeve, Fatjon Baçi, cili i dha celularin Erion Veliajt gjatë kohës që ishte i arrestuar. Bëhet fjalë për një episod në 11 Mars 2025, teksa kryebashkiaku po transportohej nga Paraburgimi i Durrësit drejt Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë. 

Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe Mirton Likën, një biznesmen dhe Konsull Nderi i Sri Lankës në Republikën e Shqipërisë. Lika është marrë i pandehur në lidhje me ambientin e ndodhur në katin e 11-të të kullës të quajtur “Sky Toëer”, e cila dyshohet se posedohet nga bashkëshortja e Erion Veliaj, si pronë e fshehur. Sipas hetimeve rezulton se Lika i ka dhënë një zyrë Ajola Xoxës me kontratë hua-përdorje, por Prokuroria e Posaçme dyshon se është veprimtari paligjshme. SPAK i ka komunikuar akuzën “fshehje e te ardhurave” biznesmenit.

Ndërkohë, një ditë më parë edhe biznesmeni Elman Abule u mor zyrtarisht i pandehur për pastrim parash. Në ditët në vijim pritet të merren të pandehur për të njëjtën akuzë Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Kujtojmë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.

Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI

Poll

MOS HUMB