Politikë

'Partizani'/ Avokatët e Berishës kërkojnë përjashtimin e togave të zeza: Çështja të gjykohet jashtë GJKKO!

Berisha dhe Malltezi duan që çështja të gjykohet nga gjyqtarë që nuk kontrollohen nga SPAK e BKH.

k.m.
'Partizani'/ Avokatët e Berishës kërkojnë
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Edhe pse gjyqi për dosjen "Partizani" kishte nisur që në orën 10:30, kryedemokrati nuk u fut brenda në dhomën ku po zhvillohej seanca e radhës. Përmes një shkrese dorëzuar gjykatës, Berisha ka deklaruar se do të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës.

“Kam dijeni për seancën e së hënës dhe deklaroj se nuk do paraqiten. Dua të përfaqësohem nga avokatët Genci Gjokutaj dhe Klodina Gjyzari. Do të paraqitem sa herë të jetë nevoja dhe kur ta mendoj të arsyeshme se duhet të jem i pranishëm,”- thuhet në deklaratë.

Sot ai kishte shkuar vetëm për të respektuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje".

Ndërkohë që në seancë, gjyqtarja Elsa Ulliri ka bërë me dije se do të vazhdojë të jetë në krye të trupës gjykuese, edhe pse kishte kërkuar largimin për konflikt interesi. Kjo sepse ajo është e afërmja e ish-deputetes së Partisë Demokratike, Andja Ulliri. Por kërkesa i është refuzuar nga zv.kryetari i Gjykatës.

"GJKKO nuk pranoi dorëheqjen time nga çështja,"-bëri me dije gjyqtarja në sallë, ndërkohë që avokati i Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi gjykim të paanëshëm.

“Kërkojmë të gjykohemi nga një gjykate të paanshme. Gjyqtarët e gjykatës së Posaçme kontrollohen nga SPAK. Gjyqtaret e gjykatës se posaçme janë në moritorim të vazhdueshëm gjë që nuk përmbush kushtet e pavarësisë dhe paanshmërisë dhe dërgimin e çështjes për gjykim te gjyqtarët që nuk kontrollohen nga SPAK e BKH. Të gjykohet nga gjyqtarë jashtë kësaj gjykate. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces shkel parimin e një gjykate të pavarur,”- tha Gjokutaj në sallë. Në kërkesën e tij, Gjokutaj tha se duan që çështja të gjykohet nga gjyqtarë që nuk kontrollohen nga SPAK e BKH. E njëjta kërkesë është bërë edhe nga avokati i Malltezit.

Në reagim, prokurori i SPAK, Arben Kraja, u shpreh shkurtimisht: Nuk dua të shprehem për kërkesën, por Gjykata Kushtetuese i ka dhënë përgjigje këtij pretendimi.

Kjo kërkesë e Gjokutajt ka ardhur në kontradiktë me deklaratën e bërë pak më herët nga vetë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në një deklaratë për mediat jashtë selisë së SPAK, u shpreh se nuk ka asnjë kundërshtim për treshen gjykuese. 

"S’kam asnjë kundërshti për asnjë gjykatës konkret”, tha Berisha nga ambientet e SPAK, ndërsa në gjykatë përfaqësohej nga Gjokutaj. Por nuk i kurseu sulmet ndaj të gjyqtares Irena Gjoka, të cilën e quan mashtruese ordinere dhe vazhdon që të këmbëngulë se ajo është e dënuar në Greqi dhe nuk mund të mbajë më postin që ka.

Pas debateve, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për në 15 shtator, ora 10:30./ZËRI

Poll

MOS HUMB