TIRANË- Kryeministri Edi Rama është rikthyer me rubrikën e tij “Sy m’sy”, ku edhe zbuloi arsyen e nisjes së aksionit për lirimin e hapësirave publike. Aksion që kreu i qeverisë tashmë e ka "pagëzuar" me emrin "Rilindja urbane 2.0". Në fjalën e tij nga zyra në Kryeministri, Rama u shpreh se idenë për aksionin e kishte marrë gjatë fushatës së tij në Tiranë dhe jo vetëm, duke evidentuar edhe mungesën e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.
Edi Rama: Unë këto zgjedhje kam qenë kandidat për deputet i qarkut të Tiranës. Kemi pasur në Tiranë një situatë, ju e dini shumë mirë, jo të zakonshme. Tiranës i mungon drejtimi prej një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet. Pasi nuk më kishte çuar puna që më çon në të gjithë territoret e Shqipërisë, por jo në të gjithë territoret e Tiranës dhe kam vënë re dy gjëra që më bënë përshtypje: nga njëra anë transformimi pozitiv në territore deri shumë periferike që në kohë të mëparshme kanë qenë shumë larg parametrave më të thjeshtë të urbanizimit dhe negative në aspektin e një zgjerimi të kufijve të veprimtarisë së njësive të shërbimit në hapësirat publike, gjë që e kam dëgjuar edhe nga qytetarët e Tiranës. Deputetët e PS kanë qenë në terren për t’u takuar me komunitetin. Kemi riorganizuar tërësisht veten në Tiranë, duke vendosur deputetët në pozicion edhe më kërkues, sa i përket identifikimit të problemeve në territoret e kujdestarisë së tyre. Në të katër anët, ka qenë e qartë kërkesa e komunitetit: na çlironi hapësirat publike! Shpresoj të jenë marrë taksat për çdo metër katror zaptuar. Do të ishte gjysma e së keqes, që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë Pak ditë pasi kemi diskutuar për domosdoshmërinë të kthehemi të territore dhe të shohim se çfarë shqetësimesh ka komuniteti.
Teksa ishte tek çështja e hapësirave publike dhe mbrojti edhe njëherë aksionin e zhvilluar në Theth, kreu i qeverisë e bëri të qartë; nuk ka dëmshpërblime.
"Kur të vijë Luli në pushtet le ta bëjë, ka shumë të tjerë para Lulit për dëmshpërblim. Sa të jem unë kjo nuk do të ndodhë."
Por nëse ka pasur kritika për drejtësinë, konkretisht për prokuroren Elsa Gjeli lidhur me një rast ndërtimi në Theth, tjetër mendim ka për çështjen e Bankersit. Sipas Ramës, për rastin është bërë një hetim i mirë duke zbuluar një evazion fiskal nga një kompani, të cilën shteti shqiptar e ka mundur në Arbitrazh.
"Ne kemi fituar me Bankers një arbitrazh dhe Bankers na detyrohet 240 mln euro. Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë invetsigim dhe uroj ti nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje, ku realisht ka pasur shumë problematika dhe që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë para se unë të merrja detyrën. Koncesionet që kemi dhënë, nuk do ti lija pa i ribërë, janë në shërbim të popullit shqiptar po koncesionet që kemi trashëguar janë ç’janë, ato janë vrima të zeza. Pavarësisht se në ndonjë rast ka pasur edhe ndonjë gjë që s’ka shkuar, por koncesionet që kemi bërë ne kanë bërë të mundur rrugën e Arbrit pa asnjë kosto, zero për qytetarët, pastrimin e qyteteve tona pa asnjë kosto, krahasuar se çfarë ndodh me kostot e pastrimit dhe trajtimit të mbtejeve në vendet e tjera, ne e kemi nën 30 euro. Në vendet e tjera nuk nis pa 100 euro për ton. Kemi bërë të mundur sterilizimin e instrumenteve mjekësorë në spitale, rënien drastike të infeksioneve post respiratorë, pavarësisht se çfarë thuhet. Të gjitha këto pa kosto, pa fatura për publikun. Kur dikush shkon në spital dhe hyn në operacion, apo bën analizë nuk paguan, zero. Ndërkohë që dikur ishte ndryshe. Nuk kam asnjë problem, sa i përket Bankersit, apo kush e ka bërë Bankersin, dhe çfarëdolloj emri që mund të gjesh nëpër rrugët historike të ekonomisë Shqipërisë dhe kush i ka vënë emra apo kush ka lidhje me ato emra,"-shtoi Rama në fjalën e tij.
Më pas, kryeministri Edi Rama tha se dorëheqjet e drejtorëve në bashkitë e vendit ishin të domosdoshme për të dhënë më shumë shtyrë për të bërë detyrën. Si shembull, mori Bashkinë e Vlorës. Sipas tij, u detyra që të ndërhynte sepse kishte pikasur shumë gjëra që nuk shkonin në terren.
“Të mos i fusim të gjithë në një thes dhe të mos ngatërrojmë të njohim me të thatin. Dorëheqjet e drejtorëve nga strukturat e bashkive kryesore janë domosdoshmëri për t’i dhënë impuls tjetër bashkive, për të shkundur mekanizmat e topitur të disa bashkive, dhe për të adresuar problematika që nuk lidhen me buxhete të mëdha por me vëmendje të madhe dhe përkushtim të madh. Vlora është rasti tipik, çfarë ndryshimi po ndodh në një kohë të shkurtër, dhe nuk është ndryshim me buxhet shtesë por me vëmendje shtesë, dhe ku është hapur një proces për të ftuar djem dhe vajza të reja, që duan t’i shërbejnë Vlorës dhe të aplikojnë për të qenë drejtuesit e rinj të bashkisë Vlorë asnjëri nga ata që drejtuan për vite s’ka pse të qëndrojnë aty dhe ka të tjerë që mendojnë se duhet ta kenë këtë mundësi, kudo në të gjitha bashkitë e mëdha të vendit, ku ka burime njerëzore që janë të pashfrytëzuara. Unë u detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për shtytje të fortë nga lart. A duhet të ishin bërë pa nevojën e kësaj ndërhyrjeje, një shoqëri demokratike e konsoliduar ku secili e di se ku e ka kufirin. Nuk fillon gjëra nga inspektori apo kontrollori por nga secili që di se ku ka kufirin,”- tha Rama.
Teksa paralajmëron se aksioni do të vazhdojë, Rama njoftom po ashtu se ka nisur puna për monitorimin teknologjik të rrugëve me kontrollin e trafikut, por sistemi do të shtrihet edhe te shkollat dhe hapësirat publike./ZËRI